Abaz Shehu (1905-1943) pjesëmarrës i lëvizjes demokratike-revolucionare, veprimtar i shquar i lëvizjes komuniste dhe i Luftës ANÇ, Hero i Popullit, lindi në Bënçë të Tepelenës në një familje me tradita patriotike. Mori pjesë aktivisht në Revolucionin e qershorit 1924 Më 1925 i shtrënguar nga regjimi zogist shkoi në Francë, ku u bë anëtar i PKF. Aktivitetin e tij revolucionar në Francë Abazi e vazhdoi për 6 – 7 vjet deri aty nga viti 1931 kur vendosi të kthehej në Shqipëri. Aktiviteti i tij antizogist bie në sy të autoriteteve qeveritare dhe pa kaluar shumë kohë, duke u cilësuar si element i kuq, arrestohet si pjesëtar i organizatës së Vlorës dhe dënohet në fillim me vdekje, por pastaj dënimi i kthehet në burgim të përjetshëm. Jeta e tij në burg zgjati 5 vjet, pas të cilëve, me ndihmën dhe përpjekjen e miqve, u lirua. Abazi, si revolucionar me eksperiencë të madhe i dha një ndihmë të veçantë Luftës Nacionalçlirimtare në krahinën e Tepelenës. Fjala e tij e mprehtë, diskutimet dhe thirrjet plot zjarr, që i bënte popullit, linin kudo gjurmë të thella në zemrat e patriotëve, të njerëzve të thjeshtë, të cilët mbushnin vullnetarisht radhët e çetave partizane. Me zgjerimin e rreshtave partizane Abazi punon për organizimin e batalionit “Baba Abaz”, në krye të të cilit ai kreu aksione të rëndësishme, duke u dalluar për trimëri e heroizëm. Në tetor të vitit 1943, me urdhër të Shtabit të Zonës I Operative Vlorë – Gjirokastër, Abaz Shehu, u caktua komandant i grupit të Vlorës dhe më vonë u ngarkua nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare si komandant i Brigadës V Sulmuese, që ishte në formim e sipër në qarkun e Vlorës. Por Abazi nuk arriti dot ta fillojë detyrën e re se ra në luftën e përgjakshme të Gjormit, që u zhvillua më 12 dhjetor të vitit 1943 kundër forcave gjermane.

Referimet Redakto

  • Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë.
  • "Abaz Shehu luftëtar i lirisë" libër, viti i botimit: 1970.
  • "Abazi mbeti legjendë te populli me heroizmin e vet" gazeta "Telegraf" 2 dhjetor 2012.