Agai (st. dhe tosk.) dhe ága (geg.) (osm. أغا, pers. آقا‎ "kryetari, mjeshtër, zot") ka qenë titull honorifik për funksionarë të oborrit sulltanor, zyrtarë apo oficerë ushtarakë të Perandorisë Osmane.

Etimologjia Redakto

Në gjuhët tartaro-turke ka kuptimin "i madh" dhe fillimisht ka qenë titull i një prijësi të rëndësishëm, të një kryetari. Nga folja agmák, "me u rritë, me u motnue".[1]

Përdorimi Redakto

Në Shqipëri përgjithësisht përdorej për pronar tokash të mbarështimit feudal. Në Veri me këtë titull emëroheshin edhe njerëzit esnafë, parí e vendit, e katundit që nuk ishin në rangun e bejlerëve dhe efendilerëve. Në Jug dhe Shqipëri të Mesme me këtë titull mbiquheshin pasanikët e pronarët qytetarë dhe fshatarë. Në rapsoditë e Mujit, ky titull merr më shumë vështrimin e kreshnikut "Tridhet agë fjalë kan çue, / Se q'at nuse e ke me fjalë".[1]

Aga sot përdoret në titull honorifik persian për burrat, e barasvlefshme me "zotëri", termi përkatës për femrat është hanëm, në Shqipëri edhe hâka, hanko. Në Çamëri ageshë-a përdorej si titull sajdije që nusja e re i jepte kunatës së madhe.[1]

Historia Redakto

Njeriu më i rëndësishëm në hierarkinë ushtarake osmane që e mbante këtë titull ka qenë "agai i jeniçerëve", pastaj atë e morën komandantët e garnizoneve të kështjellave mbretërore dhe komandantët e artilerisë të cilët, zakonisht hynin në strukturat e jeniçerëve (dizdar aga dhe topçi aga). Më vonë aga u titulluan të gjithë komandantët e vullnetarëve (gënyly alayi) dhe të rrogëtarëve (ulufeciyan). Në Perandorinë Osmane këtë titull e merrnin edhe pasardhësit e tyre. Ka pasur në Shqipëri, Bosnjë dhe Kurdistan familje agallarësh që për peshë, soj dhe pasuri ua kalonin ku e ku edhe shumë familjeve bejlere.[2] Në rreth të Pukës, agë ka qenë titull fisnikërie i trashëgueshëm për tri-katër familje (agallarët e Iballes, të Pukës, të Kryeziut), si dhe në disa fise të Kosovës, të Farkës në Tiranë, etj.[1]

Shih edhe Redakto

Referime Redakto

  1. ^ a b c d Dizdari, Tahir (2005). "Agá-i" në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe. Tiranë: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. fq. 5–6.
  2. ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 564. ISBN 99927-780-6-7.