Ahmet Krasniqi (15 Janar 194821 Shtator 1998) ishte një Kolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) gjatë Luftës në Kosovë. Lindi më 15 janar 1948 në fshatin Zhilivodë të Komunës së Vushtrrisë në Kosovë dhe u vra në tradhëti më 21 shtator 1998 në Tiranë, Shqipëri. Gjatë Luftërave të Jugosllavisë, ai luftoi në Luftën Kroate të Pavarësisë dhe në Luftën e Kosovës. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai u shpall Hero i Kosovës. Njihet si "Ministri i Luftës" për nder të veprës së tij patriotike.

Kolonel
Ahmet Krasniqi
Lindur më15 Janar 1948
Zhilivodë, Komuna e Vushtrrisë, Kosovë
Vdekur më21 Shtator 1998
Tiranë, Shqipëri
Në aleancë me
Vite shërbimi1991 – 1998
GradaKolonel
Komandant
Betejat/luftrat
ÇmimetUrdhëri Hero i Kosovës (pas vdekjes)

Kolonel Ahmet Krasniqi është lindur dhe rritur në gjirin e familjes së patriotit të mirënjohur Aziz Zhilivoda. Shkollën Fillore katër vitet e para i kreu në fshatin e lindjes, pastaj e vazhdoi shkollimin deri ne klasën e tetë ne Hade ku banoj tek dajtë, lagjia Avdijaj (Grajqevcët) ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Prishtinë (1964–1969), ku banoj tek mbesa Elife Grajqevci, pasi që mundësitë e udhëtimit nga vendlindja në atë kohë ishin të pamundura. Gjatë kësaj kohe dallohet për veprimtarinë e tij patriotike, si bashkëpunëtor i afërt i patriotit të devotshëm, Metush Krasniqi dhe pjesëmarrës aktiv në demonstratat studentore të vitit 1968 në Prishtinë.

Pas kryerjes së shkollës së mesme Ahmet Krasniqi arrin të regjistrohet në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Tokësore në Beograd, ku dallohet si njëri nga kadetët më të aftë dhe arrin të diplomojë me sukses të lartë, në afatin rekord (1969–1973). Oficeri i ri shqiptar nuk kënaqet me kaq dhe i vazhdon studimet në Akademinë Komanduese të Shtabit Komandues, që e kryen me sukses të plotë (1981–1983). Pas kësaj e fillon karrierën ushtarake në Zagreb, e pastaj caktohet komandant në Garnizonin e Gospiqit, ku e zë lufta kroato–serbe. Si njohës i mirë i historisë, i realitetit të kohës, i përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të federatës jugosllave, eksperti ushtarak, Kolonel Ahmet Krasniqi, i kishte plotësisht të qarta qëllimet e luftës së nxitur nga hegjemonizmi serbo-sllav, prandaj, në rastin e parë që i krijohet mundësia e ikjes, dezerton nga radhët e ushtrisë jugosllave dhe bashkohet në anën e ushtrisë kroate, të cilës i bën shërbime të larta e shumë të dobishme, çfarë nuk kishin mundur t’ia bënin as institucionet ushtarake kroate. Mirëpo, puna dhe mundi i tij i jashtëzakonshëm, jo vetëm që nuk i vlerësohen, por përçmohen dhe përbuzen deri në denigrim të plotë nga ana kroate, që pasi kryen punën e vet, ia kthen shpinën dhe e le në pamëshirën e armiqve serbë, të cilët e hetojnë aktivitetin pro-kroat të Kolonelit Krasniqi, prandaj e burgosin, me akuzën për "Rrënimin e fuqisë mbrojtëse të Forcave të Armatosura të RSFJ-së!".

Pas hetimeve të para në burgun e Rijekës, Koloneli Krasniqi ekstradohet në Beograd. Bie në gojën e ujkut, dhe kur gjithçka duket se po i afrohej përfundimit, në rrëmujën e luftës serbe kundër Kroacisë, Kolonelin e nxjerrin nga burgu dhe e dërgojnë në frontin e luftës, ku i punon fati: arrin të ikë dhe përkohësisht strehohet në Kosovë, pastaj kalon në Maqedoni, në Shqipëri dhe nga Shqipëria prap kthehet në Kroaci.

Pushteti i presidentit kroat Franjo Tuxhmanit dhe individë të lartë ushtarak, edhe pse e dinin kontributin e Ahmet Krasniqit në luftën kroate, kthimin e tij nuk e mirëpresin, sepse e kishin vështirë që të ja pranonin meritat madhështore një oficeri shqiptar, prandaj e lënë nën hije, si një qytetar të rëndomtë, i cili duhet të luftojë për kafshatën e bukës, të cilën e fiton si punëtor fizik.

Në këtë kohë, Kolonel Ahmet Krasniqi kontakton me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila duke e njohur mirë personalitetin e tij të lartë patriotik dhe profesional, e emëron Ministër të Mbrojtjes dhe Komandant të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kosovës. I vetëdijshëm për situatën në Kosovë dhe i lumtur që iu dha rasti për t’i shërbyer atdheut të tij të robëruar, Ahmeti i rreket punës me përkushtim të zjarrtë, për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Mirëpo, këtë objektiv nuk arrin ta realizojë deri në fund, sepse duke parë angazhimin e tij serioz dhe dëshirën e vërtetë, për ta bërë Kosovën me ushtri sa më të mirë, një dorë e zezë, (padyshim dorë tradhëtie) e qëllon me armë fshehtazi dhe e vret, në natën e vonë të 21 shtatorit 1998, në Tiranë të Shqipërisë.

Ishte ky një atentat i kurdisur tradhëtie, që e indinjoi opinionin e gjerë liridashës shqiptar, i cili, tek Kolonel Ahmet Krasniqi kishte mbështetur shpresën e luftës çlirimtare dhe çlirimin definitiv të Kosovës. Pjesëmarrja tepër masive e njerëzve në ceremonialin e përcjelljes mortore, që iu organizua në kryeqytetin e Shqipërisë, ishin dëshmi e dashurisë dhe adhurimit të figurës madhore të Ahmet Krasniqit, ushtarakut dhe luftëtarit të devotshëm atdhetar, oficerit me përgaditjet më të larta shkollore dhe ekspertit të dëshmuar për aftësi të jashtëzakonshme në artin luftarak, që spontanisht dhe pa asnjë dilemë ia ofruan zgjedhjen Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës – FARK, në të cilat detyra u vra me atentat, për t’u përjetësuar në dhembjen krenare duke zënë vendin e nderit në panteonin e figurave më të shquara të kombit shqiptar.

Kolonel Ahmet Krasniqi është autor i shumë punimeve studimore e publicistike, që janë botuar nëpër gazeta e revista profesionale. Gjithashtu, ka lënë të pabotuara edhe disa dorëshkrime dhe një ditar, që janë interesante dhe me interes. Nga shënimet e tij shihet se ka qenë një lexues i pasionuar i krijimtarisë letrare, ka shkruar vjersha dhe ka qenë adhurues shumë i madh i pikturës. Nga shokët dhe miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e kanë njohur nga afër, mësohet se ka qenë një njeri tepër i veçant, me virtyte të larta njerëzore, humanist, trim i vendosur, guximtar e besnik, optimist dhe modest, një patriot i pastër, besimtar i madh në forcën e popullit të tij. Ahmet Krasniqi la pas dy fëmijët e tij djalin Florentin dhe vajzën Teutën.