Si një mjet shprehës, alegoria është një metaforë në të cilën karakteri, vendi ose ngjarja përdoren për të dhënë një kuptim më të gjerë për çështjet dhe ngjarjet e jetës reale. Alegoria është ushtruar si mjet shprehës gjerësisht në shtjellat e historisë në të gjitha format e arteve kryesisht, sepse mund të ilustrojë lehtësisht apo të përcjellë ide e koncepte të ndërlikuara në mënyra që mund të jenë të kuptueshme ose goditëse për shikuesit, lexuesit ose dëgjuesit.

Shkrimtarët ose folësit e përdorin rëndomë si figurë letrare ose retorike për të përcjelle mesazhe të (gjysmë-)fshehura ose të ndërlikuara përmes figurave simbolike, veprimeve, imazheve ose ndodhive që së bashku thurin kuptimësinë shpirtërore, morale apo politike që autori ka dashur të përçojë.[1]

Etimologjia Redakto

Fjala e ka prejardhjen nga greqishtja e lashtë αλληγορία, (allegoréo) e përbërë nga ἀλλή + ἀγορεύω; ku ἀλλή vjen nga ἄλλος (allos), "tjetër, ndryshe" dhe ἀγορεύω (agoreuo) "kuvendoj"[2] që vjen nga ἀγορά (agora) "kuvend".[3] Pra, "them diçka që duhet kuptuar ndryshe".[4]

Llojet Redakto

Koncepte abstrakte ose fenomene të ndryshme pasqyrohen me ndihmën e një figure të gjallë e konkrete. Kështu p.sh. Drejtësia paraqitet në mënyrë alegorike me figurën e një gruaje sylidhur e me një peshore në duar, Shpresa pasqyrohet nga një spirancë. Sytë e mbyllur, peshorja dhe spiranca janë simbole.

Alegoria mund të kufizohet në një figurë të vetme ose mund të shtrihet në një poezi, poemë apo roman të tërë. Komedia Hyjnore është një poemë alegorike. Zhanre të tjera letrare që janë tipike alegorike janë fabulat dhe parabolat, ku dinakëria përfaqësohet nga dhelpra, lakmia nga ujku, pabesia nga gjarpëri, etj.[4]

Referime Redakto

  1. ^ Wheeler, L. Kip (11 janar 2018). "A". Literary Terms and Definitions (në anglisht). Carson-Newman University.
  2. ^ ἀγορεύω, Henry George Liddell, Robert Scott, A Greek-English Lexicon, on Perseus Digital Library
  3. ^ ἀγορά, Henry George Liddell, Robert Scott, A Greek-English Lexicon, on Perseus Digital Library
  4. ^ a b F. Leka, F. Podgorica, S. Hoxha (1972). Fjalor shpjegues i termave të letërsisë. Tiranë: Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. fq. 11. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)