Arsimi në Shqipëri zhvillohet në institucione publike dhe private. Mësimi në shkollat fillore në Shqipëri zhvillohet në gjuhën shqipe. Institucionet shtetërore të arsimit në Shqipëri qeverisen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MASh).

Historia Redakto

Në trojet shqiptare prania e institucioneve arsimore dëshmohet që në periudhën antike e deri në kohën e principatave shqiptare në Mesjetë.

1400-1912 Redakto

Në vitet e pushtimit osman mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në vitin 1584, në StubëllKosovës, pastaj në Himarë (1627), KurbinKrujës (1632), Vuno e PalasëHimarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (Kosovë) (1665), në Akademinë e ReVoskopojë e në Medresenë e BushatllinjëveShkodër, etj.[1]

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare çështja e arsimit dhe shkollës shqipe u vu në qendër të vëmendjes së rilindësve tanë. Për nevojat e shkollave shqipe u botuan një varg abetaresh si ajo e Naum Veqilharxhit (1844, 1845), e Konstandin Kristoforidhit (1867, 1868), e Daut Boriçit (1869), "Allfabetarja e Stambollit" (1879) etj. Një kontribut të rëndësishëm zhvillimit të arsimit dhe të shkollsë shqipe i dha edhe "Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip" e Stambollit në krye me Sami Frashërin.[2]

Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë "Mësonjëtorja e parë shqipe" e cila me të drejtë konsiderohet si shkolla e parë kombëtare (laike) shqipe[3]; ndërsa në Prizren, (Kosovë), u ngritën "Shkolla Shqipe e Djemve" (1889)[4] dhe "Shkolla Shqipe e Vashave" (1892). Nuk vonoi shumë dhe në Manastir u organizuan dy kongrese kombëtare (1908, 1910), ku u morën vendime të rëndësishme edhe për zhvillimin e arsimit në Shqipëri. Në vitet 1908 - 1909 u hapën 15 shkolla shqipe. Më 1909 në Elbasan zhvilloi punimet Kongresi Kombëtar për Problemet e Arsimit e që njihet edhe me emrin Kongresi i Shkollave. Po në këtë vit u hap edhe Shkolla Normale e Elbasanit si i pari institucion i përgatitjes profesionale të mësuesve në Shqipëri.

1912-1946 Redakto

Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 u krijuan kushtet për ngritjen e sistemit arsimor shtetëror edhe në Shqipëri dhe së shpejti u formua edhe Ministria e Arsimit në krye me Luigj Gurakuqin; gjuha shqipe u bë gjuhë zyrtare; u ngrit rrjeti shkollor në tërë vendin; u shtypën tekste shkollore. Gjatë Luftës së Parë Botërore u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit me qendër në Shkodër, me tri drejtori vartëse: Shkodër, Tiranë e Berat; u ngritën dy shkolla normale, Komisia Letrare Shqipe dhe një paketë tekstesh për shkollat fillore; u shtri veprimtaria arsimore edhe në Kosovë dhe trojet shqiptare në Mal të Zi. Nga ana tjetër në Krahinën Autonome të Korçës u hapën rreth 60 shkolla shqipe. Në periudhën 1920-24 u zhvilluan tre kongrese arsimore: në Lushnjë (1920, 1922) dhe në Tiranë (1924). Ngadalë u shtrua rruga për njësimin e shkollave shqipe, kombëtarizimin dhe laicizimin e tyre. Në periudhën 1920-1930 në Shqipëri u ngritën edhe një varg shkollash të tjera: Shkolla Teknike Shqiptare (1921), Instituti Femëror "Kyrias" (1925), Instituti Femëror "Nana Mbretneshë" (Tiranë) (1933), Gjimnazi "Illyricum" (1921), Gjimnazi i Shtetit (1922, Shkodër), Liceu Kombëtar (1921, Korçë), Gjimnazi i Gjirokastrës (1923), Shkolla Tregtare në Vlorë (1924), Instituti Shqiptaro-Amerikan i Kavajës (1926) etj. Mes dy luftërave botërore, arsimi fillor u bë i detyrueshëm në Shqipëri (5 vjet në fshat dhe 6 vjet në qytet) ndërsa arsimi i mesëm u shtri në qytetet kryesore të vendit. Më 1933 u bë edhe shtetëzimi i shkollave private dhe të huaja.[2]

1946-1991 Redakto

Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore arsimi shqiptar u shtri mbi baza kombëtare edhe në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish Mbretërinë Jugosllave.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri u bë "Reforma Arsimore e vitit 1946" e cila përcaktoi kohzëgjatjen e arsimit të përgjithshëm në 11 vjet; arsimi fillor 4 vjet, arsimi unik 3 vjet dhe i mesmi 4 vjet. Arsimi fillor dhe ai unik u bënë të detyrueshme. Prej vitit 1963, arsimi i detyrueshëm u ngrit nga 7 në 8 vjeçar dhe arsimi i mesëm nga 11 në 12 vjet.

1991-1995 Redakto

Pas miratimit e kushtetutës së përkohshme, u synua pastrimi i sistemit arsimor nga trashëgimia dhe ndikimet e ideologjisë komuniste. Arritjet kryesore të këtij pastrimi janë:[5]

  1. çlirimi i kurrikulës nga manipulimet politike dhe deformimet ideologjike,
  2. zvogëlimi relativ i ngarkesës mësimore,
  3. baraspeshimi më i mirë i dijeve, shkathtësive dhe qëndrimeve,
  4. rishqyrtimi i objektivave dhe përmbajtjeve të lëndëve shoqërore, si dhe
  5. futja e disa lëndëve të reja (informatika, edukimi qytetar, etj).

1995-2010 Redakto

Arsimi sot Redakto

Sistemi Arsimor

Shkolla është një nga institucionet sociale kryesore. Funksionet që ka ajo janë të shumta,së pari është institucion shoqëror I organizuar me një strukturë të identifikueshme dhe me shumë funksione që kanë si qëllim ruajtjen dhe zgjerimin e rendit shoqëror. Shkolla fokusohet në përcjelljen e njohurive sipas fushave të caktuara dhe disa nga funksionet e dukshme janë:

  • Kontrolli social I individit
  • Socializimi I individit
  • Përcjellja e kulturës
  • Formimi I individit

Sistemi arsimor në Shqipëri bazohet në Kushtetutën e Republikës se Shqipërisë, e cila, bashkë me ligjet kryesore, aktet ligjore dhe dokumente të tjera të rëndësishme, e konsideron sektorin e arsimit si prioritet. Në ligjin 69/2012 përcaktohet e drejta për t’u arsimuar e çdo shtetasi shqiptar, në të gjitha nivelet e arsimimit, pa asnjë lloj diskriminimi, pavarësisht nga kombësia, gjuha, gjinia, feja, bindjet politike, gjëndja shëndetësore, gjëndja ekonomike, etj. MAS është institucioni më I lartë publik administrativnë sektorin e arsimit kombëtar.[6] Ky institucion miraton dispozitat bazë për institucionet arsimore, programet shkollore dhe kurrikulën dhe jep udhëzimet për vitin e ri shkollor.  MAS është përgjegjës edhe për hartimin dhe monitorimin e zbatueshmërisë së Strategjisë së Arsimit të sistemit Arsimor Parauniversitar. Vizioni aktual për sistemin arsimor ka vendosur në qëndër nxënësin dhe nevojat e tij, me qëllim që brezi I ardhshëm mund të përfitojë përmes këtij shërbimi aftësi, shprehi dhe vlera që do ta ndihmojnë atë në mënyrë individuale të përballojë sfidat e një tregu të globalizuar, por që do të sjellë kontribut edhe në kapitalin njerëzor, duke shënuar një progres të ri shoqëror.

Karakteristikë e suksesshme për sistemin arsimor është decentralizimi, autonomia e institucioneve arsimore. Kjo e fundit ka të bëj me ndarjen e detyrave, përgjegjësive, funksioneve ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes. Sot shkollat në Shqipëri kanë disi autonomi krahasuar me shumë vite më parë, pasi është rritur niveli I përgjegjësisë, janë rritur kapacitetet për planifikim dhe menaxhim. Që të arrijmë këtë sukses duhet që t’u krijojmë kushte dhe mundësi nxënësve :[7]

  • Të kultivojnë identitetin vetjak, kombëtar dhe përkatësinë kulturore.
  • Të përvetësojnë vlera të dobishme kulturore dhe qytetare.
  • Të zhvillojnë përgjegjësi ndaj vetes, të tjerëve, ndaj shoqërisë dhe ndaj mjedisit.
  • Të zhvillohen në aspektet intelektuale,etike,fizike,estetike dhe sociale.
  • Të aftësohen për jetën dhe për punën në kontekste të ndryshme.
  • Të aftësohen për të nxënë gjatë gjithë jetës.
  • Të përdorin teknologjitë e reja.

Këto përparësi do të realiohen duke pasur parasysh disa parime të rëndësishme, të cilat do të udhëheqin veprimtarinë në fushën e arsimit si: 1: Arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës; 2: Sistem arsimor i njësuar; 3: Arsim për jetën; 4:Sigurim i cilësisë së arritjeve sipas standardeve; 5: Decentralizim; 6: Llogaridhënie dhe transparencë; 7: Mbështetje komunitare. [8]


Republikën e Shqipërisë kanë të drejtë për arsim të gjithë shtetasit pavarësisht nga mosha, përkatësia gjinore apo etnike. Pakicave kombëtare u sigurohet e drejta e arsimimit në gjuhën amtare deri në mbarimin e shkollës 9 vjeçare. Qytetarëve të rritur u krijohen kushte të përshtatshme për marrjen e arsimit të mesëm e të lartë edhe pa shkëputje nga puna. Për t`u ardhur në ndihmë nxënësve, shteti organizon sistemin e bursave dhe të konvikteve. Fëmijët fillojnë arsimin e tyre kur mbushin moshën 6 vjeç, deri në ditën e fillimit të shkollës. Në vitin shkollor 2004/05 në Shqipëri çelën dyert 3350 shkolla publike (93%) dhe 244 jopublike (7%); nga këto: 1624 ishin kopshte (1539 publike + 85 jopublike) me 78.916 fëmijë dhe 3732 edukatore; 1529 shkolla 8 dhe 9 vjeçare (1438 publike + 91 jopublike) me 273.558 nxënës dhe 25.862 mësues; 441 shkolla të mesme (373 publike + 68 jopublike), ku 6337 mësues u dhanë mësim 43.895 nxënësve me kohë të plotë dhe 2260 me kohë të pjesshme.

Në vitin akademik 2004/05 në 15 institucionet e arsimit të lartë (universitete dhe shkolla të larta) në Republikën e Shqipërisë u regjistruan 63.257 studentë, nga të cilët 62.274 në arsimin e lartë publik dhe 983 në atë jopublik; me gjithësej 4144 pedagogë universitar (të brendshëm e të jashtëm). Po në këtë vit shkollor kishte 2200 studentë për 100.000 banorë. Pranë institucioneve të arsimit të lartë organizoheshin edhe studimet pasuniversitare, të cilat përfundonin me dhënien e gradës "Doktor Shkence" (Ph.D.). Në vitin 2003, Republika e Shqipërisë u pranua anëtare me të drejta të plota në "Kartën e Bolonjës".

Nivelet Redakto

Sistemi arsimor në Shqipëri përfshin këto nivele:

  1. Arsimi parashkollor
  2. Arsimi fillor
  3. Arsimi i mesëm i ulët (8- ose 9-vjeçarja)
  4. Arsimi i mesëm i lartë (gjimnazi)
  5. Arsimi universitar

Strukturat e sistemit arsimor parauniversitar në Shqiperi Redakto

  1. Arsimi parashkollor ndiqet nga fëmijët e grupmoshës 3-6 vjeç. Përmes këtij niveli arsimor synohet realizimi i zhvillimit shoqëror, intelektual dhe fizik të çdo individi, si dhe përgatitja për arsimin fillor. Fëmijëve të moshës pesë vjeç u jepet mundësia të ndjekin klasën përgatitore. Ndjekja e kësaj klase edhe pranë shkollave të arsimit bazë ka si synim integrimin në arsimin e detyruar.
  2. Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët; është i detyrueshëm me ligj dhe zgjat 9 vjet. Arsimi fillor përbëhet nga gjashtë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga tri klasa, nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë. Në klasën e parë regjistrohen fëmijët që mbushin moshën 6-vjeçare deri ditën e fillimit të shkollës.
  3. Arsimi i mesëm i lartë. Në klasën e dhjetë të arsimit me kohë të plotë pranohen nxënës të moshës jo më të madhe se 18 vjeç. Nxënësi deri në moshën 21 vjeç lejohet të ndjekë arsimin e mesëm të lartë 3-vjeçar, kurse deri në moshën 22 vjeç arsimin e mesëm të lartë 4-vjeçar. Nxënësi që ka mbushur përkatësisht moshën 21 vjeç në arsimin e mesëm të lartë 3-vjeçar apo 22 vjeç në atë 4-vjeçar dhe nuk ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë, lejohet të vazhdojë klasën që është duke ndjekur deri në fund të atij viti shkollor. Llojet e arsimit të mesëm të lartë janë gjimnazi, arsimi i mesëm profesional dhe arsimi i mesëm i oriëntuar (‘’Shkolla të arsimit të orientuar‘’ janë shkollat artistike, shkollat sportive, shkollat për gjyhët e huaja dhe shkollat për fusha të tjera të të nxënit).

Ndërlidhja midis sistemit shkollor dhe atij komunitar

Një nga karakteristikat që përcakton suksesin e shkollës, sipas Colleman  (1998), është e lidhur me ndërveprimin që shkolla ka me prindërit dhe komunitetin. Sigurisht që, nëse një institucion shkollor do të mbyllej në vetvete, do të rrezikonte shumë efikasitetin e punës së tij. E themi këtë, pasi sistemi shkollor ofron shërbime në fushën e arsimit, të cilat janë të lidhura me nevojat e grupeve të interesuara, duke filluar nga nxënësi dhe prindi, për të vazhduar më pas edhe me komunitetin. Skema e mëposhtme pasqyron mënyrën e ndërlidhjes së sistemit shkollor me atë komunitar. Që bashkëpunimi të ndodhë, hapat e parë duhet të ndërmerren nga shkolla (Kryeziu, 2006). Legjislaconi në fuqi ka krijuar hapësirat e nevojshme për ta mundësuar ndërlidhjen midis shkollës dhe komunitetit. Megjithatë, realizimi i nderlidhjes dhe bashkëpunimit nuk është një detyrë e lehtë për t’u realizuar.

Fillimi i mbarë i këtij bashkëpunimi është i lidhur me nevojën që kanë të gjithë të interesuarit për shkollën, për informacionin. Me informacion kemi parasysh, së pari, njohjen e legjislacionit në fuqi që rregullon marrëdhëniet midis palëve dhe që përcakton mënyrat e organizimit të punës dhe veprimtarive, si dhe lidhjet midis niveleve të ndryshme të institucioneve. Se dyti, njohjen mbi nevojën dhe vlerën që ka për secilin nga grupet e interesuara, të qenit pjesë integrale e sistemit të ndërveprimit shkollë-komunitet. [9]

Shih edhe Redakto

Lidhje të jashtme Redakto

Burime dhe shënime Redakto

  1. ^ Hajrullah Koliqi: Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, "Universiteti i Prishtinës & Libri shkollor," Prishtinë, 2002.
  2. ^ a b Fjalor enciklopedik shqiptar, (Vëllimi I), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 116-117.
  3. ^ Në rrethet profesionale e joprofesionale të historianëve të arsimit, ende vazhdojnë diskutimet nëse "Shkolla e Korçës e vitit 1887" është e para shkollë shqipe apo jo! Duke mos mohuar mësimin e gjuhës shqipe në shkolla të tjera edhe para datës 7 mars 1887, patjetër duhet ritheksuar se Mësonjëtorja e Korçës e 7 marsit 1887 vazhdon të mbetet e njohur me epitetin, "Shkolla e parë laike dhe kombëtare shqipe."
  4. ^ Kjo shkollë konsiderohet si shkolla e parë në gjuhën shqipe në Kosovë.
  5. ^ https://arsimi.gov.al/wp-content/uploads/2018/08/RAPORTI_Korrik.pdf
  6. ^ Kashahu, Ledia (2015). Shkolla dhe komuniteti. Tiranë. ISBN 978-9928-175-78-6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  7. ^ Kashahu, Ledia (2015). Shkolla dhe komuniteti. Tiranë. ISBN 978-9928-175-78-6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  8. ^ Kashahu, Ledia (2015). Shkolla dhe komuniteti. Tiranë. fq. 36–38. ISBN 978-9928-175-78-6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  9. ^ Ledia Kashahu (Xhelilaj): Autore e tekstit universitar “Shkolla dhe komuniteti”, botuar në 2015 nga Shtepia Botuese Pegi, me ISBN 978-9928-175-78-6