Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809)

"Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809)" libër me autor Kristo Frashëri. Shtëpia botuese "Dudaj", viti i botimit 2009. Faqet e librit 80. ISBN 978-99943-0-124-9

Poema romantike “Shtegtimet e Çajlld Ha-roldit” së bashku me njoftimet që përmbajnë letrat e Lordit drejtuar nënës së vet dhe shënimet në formë ditari që ka mbajtur bashkudhëtari i tij Xhon Kem Hobhauz, përbëjnë lëndën e kësaj trajtese. Ato dëshmojnë sesi një poet romantik i pararojës letrare evropiane dhe shoku i tij, një i ri i kulturuar anglez, e shihnin Shqipërinë në fillim të shekullit XIX dhe sesi e gjykonin në atë kohë “Asllanin” e Shqipërisë, Ali Pashë Tepelenën. Për Bajronin, Shqipëria ishte një vend me bukuri natyrore të rralla ; shqiptarët njerëz të pashëm, trima, krenarë, me fustanella të bardha ; kurse Ali Pashë Tepelena një kapedan i egër por jo mizor, vezir por i pavarur, figura e tretë historike pas Aleksandrit të Madh dhe pas Skënderbeut. Nuk ka dyshim se në vizionin e Bajronit në “Çajlld Harold” mbi Shqipërinë, mbi shqiptarët dhe mbi Ali Pashë Tepelenën ka ndikuar kryesisht formimi romantik i tij. Si rrjedhim, ai e pikturoi botën e panjohur shqiptare si poet dhe si kureshtar, jo si vëzhgues kritik. Vetëkuptohet se as bota e pa njohur shqiptare, as veziri pak i njohur i Janinës nuk mund të zbardheshin vetëm gjatë një udhëtimi trejavor. Si rrjedhim, portreti historik i Ali Pashë Tepelenës mund të jetë i saktë vetëm nëse shqyrtohet dhe gjykohet veprimtaria politike, shoqërore, ekonomike, diplomatike, kulturore dhe administrative, e parë për tërë harkun kohor të jetës së tij derisa përfundoi me prerjen e kokës së tij dhe me asgjësimin e përpjekjeve të tij 30 e ca vjeçare. Për të plotësuar këtë zbrazëti, autori e mbyll trajtesën e vet me një vlerësim si historian mbi “Portretin historik të Ali Pashë Tepelenës”.