Bashtina ka qenë kategori e pronës tokësore në zotërim vetjak gjatë mesjetës. Zotëruesi i bashtinës (bashtinari), që kishte të drejtë ta shiste ose ta linte trashëgim, ishte i ngarkuar me disa shërbime kundrejt kryezotit feudal. Me zhvillimin e marrëdhënieve feudale, bashtina që punohej nga zotëruesi fshatar, kaloi bashkë me të nën vartësinë e një feudali të veçantë. Në periudhën osmane bashtina ishte ajo pjesë e tokës në pronësi të shtetit osman që u ishte lënë në përdorim fshatarëve raja të krishterë. Me emrin “bashtinë” quheshin deri në shek.XVI edhe tokat që i ishin lënë në përdorim shtresës së ushtarakëve të vegjël kundrejt shërbimeve ushtarake të caktuara.