Dinastia Ming Në vitin 1368, Zhu Yuan Zhang u shpall në Nankin si perandor, duke themeluar dinastinë Ming. Gjatë 31 vjetëve të tij në fronin perandorak, Zhu Yuan Zhang, që u quajt perandori Taizu i dinastisë Ming, bëri të gjitha përpjekjet për forcimin e pushtetit të centralizuar qendror të autocracisë feudale. Ai nuk la pa përdorur metodat e vrasjes së personave me merita, të zhdukjes së elementeve të huaj, të ngritjes së kompetencave të perandorit dhe të shtypjes kundrejt forcave kundërshtare. Pasi vdiqi Zhu Yuan Zhang, nipi i tij i madh(biri i birit) Zhu Yun Wen trashëgoi fronin perandorak dhe u quajt perandori Janwen, por pas 4 vjetëve ai u përmbys me forca të armatosura nga xhaxhai i tij Zhu Di, i cili u shpall si perandori Ming-Çengzu dhe në vitin 1421 lëvizi kryeqytetin përsëri në Pekin.

Dinastia Ming kishte forcuar pushtetin e centralizuar qendror, por, për shkak të mediokritetit, ose për shkak të miturisë, disa perandorë mund nuk pyesnin për çështjet shtetërore dhe si pasojë, gjatë viteve të disa perandorëve, pushteti kishte rënë në duart e eunukëve. Sektet e eunukëve grumbullonin si të tërbuar pasuri nëpërmjet përvetësimit dhe shantazhit dhe persekutonin ministrat e ndershëm, prandaj politika e dinastisë Ming korruptohej gjithnjë e më tepër dhe kontradiktat shoqërore acaroheshin dita ditës. Në periudhën e mesme të dinastisë Ming, ndodhën shumë herë kryengritje të fshatarëve, por u shtypën.

Dinastia Ming pati një politikan të njohur me emrin Zhang Ju Zhong, i cili zbatoi reformën me iniciativën e vet. Ai rregulloi radhët e funksionarëve, mori masa për zhvillimin e bujqësisë dhe për sistemimin e lumenjve dhe bashkoi taksat e ndryshme në një të tërë, gjë e cila lehtësoi në një shkallë të caktuar barrët e popullit.

Në kontrast me gjendjen e dinastisë së mëparshme, bujqësia u zhvillua gjatë dinastisë Ming. U zhvillua relativisht shpejt ekonomia e tekstileve, porcelanit, gizës, bakrit, letrës, ndërtimit të anijeve e të tjera. U zgjeruan edhe shkëmbimet ekonomiko-kulturore me vende të tjera. Në ato vite, eksperti kinez i navigacionit Zheng He 7 herë kreu me sukses lundrim oqeanik drejt perëndimit, duke arritur në më se 30 vende dhe rajone të Azisë dhe të Afrikës. Mirëpo, në periudhën e mesme të dinastisë Ming, Kina pësoi invazione dhe trazira nga Japonia, Spanja, Portugalia, Holanda e vende të tjera.

Në kohën e dinastisë Ming, në Kinë u zhvillua ekonomia e mallrave dhe u dukën filiza të kapitalizmit. Në vitet e para të dinastisë Ming, shumë toka të punueshme ishin lënë pa pronar, prandaj perandori Taizu grumbulloi fshatarët që kishin braktisur vatrat dhe u dha atyre toka të punueshme, duke pakësuar ose hequr taksat, si rezultat, u rrit numri i fshatarëve me toka private dhe u përhapën në Kinë bimë të reja bujqësore, si duhani, patatet, misri, kikiriku e të tjera. Artizanati kinez, si porcelani, tekstilet e të tjera, arriti nivel relativisht të lartë. Veçanërisht në fushën e tekstileve, kishin dalë pronarë që zotëronin dhjetëra makina endëse; kishin dalë edhe “punëtorë me teknikë”, që ishin të kualifikuar me teknikën përkatëse dhe që pajtoheshin nga pronarët. Kjo gjë tregonte për daljen në Kinë të filizave delikate të kapitalizmit. Në atë kohë, llojet e mallrave ishin të shumta dhe shkëmbimet e tyre ishin të dendura. Ishin formuar edhe shumë qendra të mëdha dhe të vogla të tregtisë në krahinat me materiale të pasura dhe me kushte të mira të transportit. Kishin dalë qytete me ekonomi të lulëzuar, siç ishin Pekini, Nankini, Suzhou, Hangzhou, Guangzhou e të tjera.

Në provimet perandorake gjatë kohës së dinastisë Ming, kërkoheshin medoemos artikuj të ndarë në 8 pjesë, që quheshin “ba gu wen”. Në fushën letrare, ku vihej re një tablo e lulëzuar, u krijuan romanet《Buzë Ujërave》,《Tre Perandoritë》,《Udhëtim nëpër perëndim》,《Lulja kumbull në vazo të artë》e të tjera. U krijuan një numër veprash klasike, si vepra gjeografike 《Shënime të udhëtimit të Xu Xia Kesë, vepra farmaceutike e Li Shi Zhenit 《Klasifikimi i Barnave Medicinale》, vepra agroteknike e Xu Guang Çisë 《Enciklopedia mbi Shërbimet Bujqësore》, vepra teknologjike e Song Ying Singut 《Ekzistenca e Materies》, vepra shumëvëllimeshe 《Kodi i Madh Yongle》 e të tjera.

Në vitet e vonshme të dinastisë Ming, u krijua një gjendje e rëndë e përqendrimit të tokave në duart e një pakicë njerëzish. Oborri perandorak dhe familjet e mbretërve të shteteve vasale zotëronin plantacione në të gjitha krahinat e vendit, qeveria shtonte çdo ditë e më shumë taksat dhe tatimet, si rrjedhim, kontradiktat shoqërore acaroheshin dita ditës. Një pjesë e zyrtarëve dhe funksionarëve shpresonin që të zbuteshin kontradiktat shoqërore dhe kërkonin që të kufizoheshin privilegjet e eunukëve dhe aristokratëve. Ata organizonin leksione dhe diskutime lidhur me situatën politike, por atyre ua vunë etiketën “Partia Donglin” dhe u goditën nga eunukët dhe aristokratët, gjë që shtoi më tej mosstabilizimin e shoqërisë.

Ishin acaruar edhe kontradiktat në fshat. Në vitin 1627, ndodhi një fakteqësi natyrore në provincën Shensi, por megjithatë, funksionarët zyrtarë ende kërkonin me pahir tatimet dhe kjo shkaktoi rebelimin e fshatarëve. Mijëra dhe dhjetëra mijëra fshatarë të uritur u organizuan në forca të armatosura kryengritëse. Në vitin 1644, forcat e armatosura të kryengritësve fshatarë sulmuan dhe morën kryeqytetin Pekin, si rrjedhim, perandori Çong Zhen vrau veten, duke u varur në një dru në parkun Jingshan të Pekinit.