Emil Lafe lindi në vitin 1938 dhe është gjuhëtar shqiptar.

Biografia Redakto

Profesor Emil Lafe lindi në Vithkuq të Korçës më 27 qershor të vitit 1938, ku i ati gjendej me shërbim si kryetar i komunës.[1] Ai rrjedh nga një familje e thjeshtë me ndjenja atdhetare dhe arsimdashëse. Dashurinë për gjuhën shqipe dhe përkushtimin për punën i kultivoi qysh në vitet e para të jetës nga prindërit e tij. Ishte fëmijë shumë kureshtar dhe kërkues ndaj vetes. Për shkak të transferimeve të herëpashershme të të atit, fëmijëria dhe rinia e tij kalan nëpër qytete të ndryshme shqiptare: Kukës, Prizren, Berat, Lushnjë, Durrës, Vlorë, ku kreu gjimnazin (1955)

Më 1959 u diplomua në degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Universitetin e Tiranës. Po atë vit, u emërua asistent në katedrën e gjuhës shqipe të këtij Fakulteti, e cila kishte si objektiv kryesor përgatitjen e mësuesve të gjuhës shqipe për shkak të kërkesave të shumta që kishte vendi. Për përgatitjen e këtyre mësuesve u aktivizuan figurat më të dalluara të kohës, mes të cilëve edhe profesor Emili. Ndonëse i ri në moshë, ai spikati me formimin e tij. Prej emërimit në punë si pedagog, ai ka hartuar leksionet dhe ka lekturuar disa lëndë gjuhësore në Universitet. Për studentët, ai mbetet profesori serioz, kërkues, por tejet i drejtë në vlerësime.

Në periudha të ndryshme përgjatë karrierës së tij akademike, ai ka qenë profesor i ftuar në Universitetin e Napolit, të Sant-Peterburgut, të Leçes, të Pekinit, të Beogradit etj.

Ka qenë drejtor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare, që ishte një organizëm i Akademisë së Shkencave, i ngarkuar me përpunimin e botimit të dytë të fjalorit enciklopedik shqiptar dhe hartimin e enciklopedisë shqiptare.

Është marrë me probleme të ndryshme të studimeve albanologjike, me autorët e vjetër shqiptarë, veçanërisht me Gjon Buzukun, pastaj me probleme të gramatikës. Është bashkautor i gramatikës akademike të gjuhës shqipe. Po ashtu ka bashkëpunuar që nga viti 1961 deri në vitin 1976 për drejtshkrimin e gjuhës shqipe me Komisionin e Drejtshkrimit të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të kryesuar nga prof. Androkli Kostallari, pastaj Eqrem Çabej dhe Mahir Domi. Njëkohësisht është kryeredaktor i revistës "Gjuha Jonë", që është revistë për kulturën gjuhësore.

  1. ^ "Emil Lafe, akademiku që 'unifikoi' gjuhën shqipe". kultplus.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)