Hodo pashë Dervishi i njohur më shumë si Hodo Sokoli (turqisht: İşkodralı Miralay Hodo ose İşkodralı Hodo Paşa; Shkodër, 17 nëntor 1834 - Erzinxhan, 1883) ka qenë ushtarak i Perandorisë Osmane dhe komandant i trupave të Lidhjes së Prizrenit në degën e Shkodrës në atë që në popull u njoh dhe u këndua si Lufta e Miletit.

Jeta Redakto

U lind më 17 nëntor 1834 me emrin Et'hem Hodo, i biri i Mahmud beg Sokolit,[1] në një familje me prejardhje nga viset e Sumës të vendosur në lagjen Dërgut në kohën e Pashallëkut të Shkodrës. Në fillim mbiemrin e kishin Dervishej, më pas e shndërruan në Sokoli.[2] Ndoqi shkollimin e tij në vendlindje, ku kreu ruzhdijen. Pasi u shqua ndër betejat e shpeshta në gjysmën e parë të shek. XIX kundër Malit të Zi, u gradua kapiten i rojës së ishujve të Liqenit të Shkodrës, gradë që dihet ta ketë patur që kur ishte vali Abdi pashë Çekrezi më 1860. Më vonë u gradua major i xhandarmërisë ushtarake të formuar rishtas.[1]

Kur u emërua Dervish Pasha vali në Shkodër, u transferua në Stamboll më 1869. Më 1876 u gradua kolonel i xhandarmërisë së Shkodrës, atëherë me titullin kullukçibash.[1]

Pas ndodhive të Lidhjes së Prizrenit, kur skema e lëshimit të territoreve kaloi nga Plava e Gucia në Hot, Grudë e Kelmend sipas linjës Korti, Hodo begu u zgjodh kryetar i Komitetit të degës vendore të Lidhjes, me zëvendës Preng Bibë Dodën. Komiteti nxorri kushtrimin dhe Hodo Begu priu kund 8000 burrave për në Tuz,[1] ku Hodo Begut i ishin bashkuar gati tërë oficerët e xhandarmërisë osmane.[3]

Pas veprimeve në mbrojtjen e bajrakëve të Malësisë së Madhe, Hodo Begu u gradua pashë mirliva (gjeneral brigade)[1] dhe nisi të punonte për mobilizim të përgjithshë në të gjitha viset shqiptare,[4] për punën e tij për autonomi nuk vonoi shumë dhe më 12 dhjetor 1880 Dervish Pasha i arrestoi dhe i nisi për në Stamboll. Pas takimeve në Babu-serasqeri (Ministria e Luftës),[1] burimet e kohës tregojnë se Sulltani donte t'i internonte në Erzurum, por ndërhyrja e ambasadorëve të shumtë bënë që mos të merrej ky vendim dhe të qëndronin në Stamboll. Hodo Pasha refuzoi për arsye shëndetësore emërtimin mytesarif i Damaskut.[5]

Sipas Bushatit e internuan në Erzinxhan, ku disa burime thonë se nga dëshpërimi u hodh nga pallati apo kështjella,[1] burime të tjera kumtojnë se ndërroi jetë nga kolera,[6] ose u ekzekutua më 1883.[7]

"Shkodër e Malci janë çue
Donë me e gjetë një komandant,
Hodo Pashën kanë emnue,
Nuk ka çajre pa na ardhë!
I muer izen komandantit
Due me dalë prej asqerisë
Shkepi format e mirallajit
Për me i ba qejfin tanë urdisë."
Fragment nga Kanga e Miletit

Trashëgimia Redakto

Për veprimtarinë e tij shkruajtën edhe gazetat e huaja, siç e vë në dukje "Bashkimi i Kombit". Gjithashtu në këngën popullore shkodrane të quajtur Kanga e Miletit i këndohet rebelimit të tij dhe shqyerjes së uniformës ushtarake për t'i shërbyer atdheut.[8] Sipas shtypit italian të kohës "fryma e qëndresës ishte agjitatori i njohur i Shkodrës, Hodo Beu".[9]

Nderime Redakto

Për shërbimet dhe aftësitë e tij në detyrë, u dekorua me medaljen Mexhidije në vitin 1868. Me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Kuvendi Popullor, ndër të tjerë dekoroi edhe Hodo Pashën me urdhrin "Për veprimtari patriotike të klasit III".[1]

Referime Redakto

  1. ^ a b c d e f g h Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 483–486. OCLC 645720493.
  2. ^ Bushati, Hamdi (1999). Shkodra dhe motet. Vëll. 2. Shkodër: Idromeno. fq. 153.
  3. ^ Dauti 2012, p. 358.
  4. ^ Dauti, Daut (2012). Çështja shqiptare në diplomacinë britanike 1877-1880. Shkup-Prishtinë-Tiranë: Logos-A. fq. 161. ISBN 9789989584657.
  5. ^ Gazzetta ufficiale del Regno d'Italia. 1881. fq. 2071, 2161. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ La Jonquière, A. (1914). Histoire de l'Empire Ottoman depuis les origines jusqu'a nos jours v. II (në frëngjisht). Hachette. fq. 87.
  7. ^ Frashëri, Kristo (1964). The history of Albania: a brief survey (në anglisht). University of Virginia. fq. 138.
  8. ^ Gjergj Fishta; Robert Elsie; Janice Mathie-Heck (2005). The highland lute: (Lahuta e malcís) : the Albanian national epic (në anglisht). Centre for Albanian Studies (London, England). I.B.Tauris. fq. 427. ISBN 1845111184.
  9. ^ Gazzetta ufficiale del regno d'Italia, II (në italisht). 1880. fq. 1726.