Hysniu u lind më 23 Prill 1976 në familjen Sharra, një familje e vjetër patriotike vlonjate. Stërgjyshi, Musa Sharra, së bashku me vëllanë, Hasanin dhe patriotë të tjerë të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë, ishin protagonistë të shpalljes së Pavarësisë.

Hysni Sharra

Vëllai tjetër i tyre, Ceno Sharra ra dëshmor në Durrës, i inkuadruar në forcat e Kolonel Thomson, për mbrojtjen e kufijve territorialë të Shqipërisë. Ky angazhim patriotik vazhdoi edhe gjatë Luftës së 1920 dhe në Luftën e Dytë Botërore.

Për shkak të patriotizmit dhe intelektualizmit, familja Sharra u përndoq gjatë diktaturës duke vuajtur persekutimin, ekzekutimet, burgosjet e internimet. Me ardhjen e demokracisë në vitin 1991, ashtu si mjaft familje të tjera edhe familja Sharra përqafoi idetë e pluralizmit, demokracisë e ekonomisë së tregut, duke dhënë një kontribut mjaft të vlefshëm si në Partine Demokratike ashtu edhe në administratën publike.

Elham Sharra është Kryetari i parë në demokraci i Bashkisë së Vlorës, i zgjedhur në vitin 1992. Hysniu ka kryer të gjithë ciklet e studimit në Vlorë, shkollën e Mesme “Ali Demi” dhe Universitetin Teknologjik “Ismail Qemali”, Fakultetin e Ekonomisë, në Degën Manaxhim Biznesi, në vitet 1994-1998. Ai ka kryer po aty edhe studimet për drejtësi të përfunduara në vitin 2010. Hysniu ushtron profesionin e Kontabilistit të miratuar që prej vitit 2012, i angazhuar në sektorin privat si profesionist i lirë. I martuar me Marselën, Hysniu ka tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë.

Është njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze dhe italiane. Ka ushtruar profesionin e ekonomistit më parë në Dhomën e Tregtisë, në Bankën Kombëtare Tregtare dhe në sektorin privat. Ka mbajtur detyra të rëndesishme në administratën publike duke drejtuar me seriozitet, profesionalizëm e integritet institucione si Dega e Doganes Vlorë, Drejtoria Rajonale Tatimore Vlorë, Drejtoria Rajonale e Bujqësisë.

Përfshihet ne jetën politike në mënyrë aktive në Dhjetor 1997 dhe zgjidhet Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Dega Vlorë në Janar 1998, detyrë të cilën e mban deri në Shkurt 2009. Gjatë gjithë kohës anëtar i Kryesisë së PD Dega Vlorë, nga Maj 2022 Zv.Kryetar i kësaj Dege. Ai është njohës mjaft i mirë i qeverisjes vendore për shkak të angazhimit të tij të mëparshëm si anëtar i Keshillit Bashkiak Vlorë në vitet 2003-2007 dhe 2011-2015. Në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, Hysniu garon në detyrën e Kryetarit të Bashkisë Vlorë pasi ka dalë fitues i procesit te Primareve të zhvilluar në Partinë Demokratike. Gjithmonë përkrahës i ideve të djathta, ai synon që nëpërmjet punës së tij dhe stafit si dhe angazhimit pa dallim të të gjitha shtresave të rikthejë institucionin e Bashkisë te qytetarët, të rikthejë identitetin historik e kulturor të Vlorës.