Irlandezët (irlandisht: Na hÉireannaigh) janë një grup etnik dhe një komb me origjinë nga ishulli i Irlandës, të cilët ndajnë një prejardhje, histori dhe kulturë të përbashkët. Ka pasur njerëz në Irlandë për rreth 33,000 vjet, dhe ajo ka qenë e banuar vazhdimisht për më shumë se 10,000 vjet. Për pjesën më të madhe të historisë së regjistruar të Irlandës, irlandezët kanë qenë kryesisht një popull galik. Nga shekulli i 9-të, një numër i vogël vikingësh u vendosën në Irlandë, duke u bërë galë-nordikë. Anglo-normanët pushtuan gjithashtu pjesë të Irlandës në shekullin e 12-të, ndërsa pushtimi dhe kolonizimi i Irlandës nga Anglia në shekujt e 16-të/17-të solli shumë anglezë dhe skocezë në pjesë të ishullit, veçanërisht në veri. Sot, Irlanda përbëhet nga Republika e Irlandës (e quajtur zyrtarisht Irlandë) dhe nga Irlanda e Veriut (një pjesë e Mbretërisë së Bashkuar). Populli i Irlandës së Veriut ka identitete të ndryshme kombëtare, duke përfshirë britanikët, irlandezët, irlandezët e veriut ose ndonjë kombinim të tyre.

Irlandezët kanë zakonet e tyre unike, gjuhën, muzikën, kërcimin, sportin, kuzhinën dhe mitologjinë. Megjithëse irlandishtja (gaeilge) ishte gjuha e tyre kryesore në të kaluarën, sot shumica e irlandezëve flasin anglisht si gjuhën e tyre të parë. Historikisht, kombi irlandez përbëhej nga grupe të afërm ose klane, dhe irlandezët gjithashtu kishin fenë e tyre, kodin ligjor, alfabetin dhe stilin e veshjes.

Ka pasur shumë irlandezë të shquar gjatë historisë. Pas konvertimit të Irlandës në krishterim, misionarët dhe studiuesit irlandezë ushtruan ndikim të madh në Evropën Perëndimore dhe irlandezët u panë si një komb "shenjtorësh dhe studiuesish". Murgu dhe misionari irlandez i shekullit të 6-të, Kolumbanus, konsiderohet si një nga "etërit e Evropës", i ndjekur nga shenjtorët Cillian dhe Fergal. Shkencëtari Robert Boyle konsiderohet "babai i kimisë ", dhe Robert Mallet një nga "etërit e sizmologjisë". Letërsia irlandeze ka prodhuar shkrimtarë të famshëm si në traditat irlandeze ashtu edhe në atë angleze, si Eoghan Rua Ó Súilleabháin, Dáibhí Ó Bruadair, Jonathan Swift, Oscar Wilde, WB Yeats, Samuel Beckett, James Joyce, Máirtín, dhe Seamus Heaney. Eksploruesit e shquar irlandezë përfshijnë Brendan Navigatorin, Sir Robert McClure, Sir Alexander Armstrong, Sir Ernest Shackleton dhe Tom Crean. Sipas disa llogarive, fëmija i parë evropian i lindur në Amerikën e Veriut kishte prejardhje irlandeze nga të dyja anët. Shumë presidentë të Shteteve të Bashkuara kanë pasur pjesërisht prejardhje irlandeze.

Popullsia e Irlandës është rreth 6.9 milionë, por vlerësohet se 50 deri në 80 milionë njerëz në mbarë botën kanë paraardhës irlandezë, duke e bërë diasporën irlandeze një nga më të mëdhatë e çdo kombi. Historikisht, emigrimi nga Irlanda ka qenë rezultat i konflikteve, i urisë dhe i çështjeve ekonomike. Njerëzit me origjinë irlandeze gjenden kryesisht në vendet anglishtfolëse, veçanërisht në Britaninë e Madhe, në Shtetet e Bashkuara, në Kanada, në Zelandën e Re dhe në Australi. Ka gjithashtu një numër të konsiderueshëm në Argjentinë, në Meksikë, në Brazil, nëGjermani dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shtetet e Bashkuara kanë shumicën e njerëzve me origjinë irlandeze, ndërsa në Australi ata me origjinë irlandeze janë një përqindje më e lartë e popullsisë se në çdo vend tjetër jashtë Irlandës. Shumë islandezë kanë paraardhës irlandezë dhe skocezë galë për shkak të transportit atje si skllevër nga vikingët gjatë vendosjes së tyre në Islandë.