Kalaja e Prizrenit

monument kulture në Kosovë

Kalaja e Prizrenit është një monument i trashëgimisë kulturore në Prizren, Kosovë.[1] Kalaja e Prizrenit konsiderohet të jetë simboli i qytetit të Prizrenit dhe një element me rëndësi në identitetin kulturor të Kosovës. [2]

Kalaja e Prizrenit
Kalaja e Prizrenit
LlojiFortesë
VendndodhjaPrizren, Kosovë
Koordinatat42°12′34″N 20°44′44″E / 42.20944°N 20.74556°E / 42.20944; 20.74556
Ndërtuarc. 1000
Emri zyrtar: Monument
LlojiNën mbrojtje
Përcaktuar2012
Nr. i referencës1967

Historiku Redakto

Kalaja e Prizrenit është ndërtuar në një kodër shume te larte, në një ambient piktoresk dhe në një pozitë jashtëzakonisht strategjike, Kalaja ngrihet mbi qytet sikurse edhe mbi luginën e thellë të Lumë Bardhit dhe rrafshin e Dukagjinit. Kalaja i ka fillet e saj në periudhën e parë të qytetërimit të këtij rajoni, në parahistori, me një zhvillim të vazhdueshëm në periudhën Bizantine dhe Osmane. Është përdorur ekskluzivisht si kala deri më 1912. Kalaja tani është dukshëm e dëmtuar dhe është në listën e vendeve të World Heritage in Danger (Trashëgimia e botës në rrezik). Një rrugicë nga qendra e qytetit të shpie në kala, zgjat rreth 15 minuta ecje në këmbë, dhe ju mund të kënaqeni me pamjen e plotë të qytetit, të fotografoni apo thjesht të shikoni diellin duke perënduar.

Kalaja e Prizrenit përmban në vete një pjesë të rëndësishme të historisë së lashtë të qytetit. Pozicioni i saj topografik, dominues mbi qytetin, peizazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik i menduar mjaft mirë e bëjnë këtë objekt me vlera të padiskutueshme arkeologjike, historike dhe turistike. Është e vendosur në pjesën lindore të qytetit mbi një kodër me formë konike, me lartësi 525 m. mbi nivelin e detit. Muret fortifikuese ndjekin izohipset e terrenit duke rrethuar një sipërfaqe rreth 1.5 ha në trajte përafërsisht vezake me zgjatje veri-jug.

Burimet shkrimore flasin shumë pak për Kalanë e Prizrenit. Këto i nisi kronisti Bizantin Prokopi i Cezares me veprën “De aedificiis” – Mbi ndërtimet. Në këtë vepër në mesin e fortifikimeve të meremetuara në Dardani, evidentohet për herë të parë edhe kjo Kala me emrin Petrizen, që i përket emrit  të sotshëm të Prizrenit. Pasi dokumentet e shkruara flasin pak për Kalanë mbetet që gërmimet arkeologjike të dëshmojnë më shumë për këtë monument të rëndësishëm. Vlen të përmendet se gërmimeve u parapriu incizimi arkitektonik i objektit në fillim të viteve 60-ta. Incizimet e bëra paraqitën një gjendje të përafërt reale të strukturës së brendshme ndërtimore dhe sistemit fortifikues së Kalasë. Hulumtimet  arkeologjike  në këtë lokalitet për herë të parë filluan që në vitin e 1969. Gjatë këtyre gërmimeve u  konstatuan: gjurmë të banimit dhe gjetje të lëvizshme të periudhës së mesjetës (shek. XI-XV)  dhe materiali i lëvizshëm i periudhës Osmane. Vazhdimi i gërmimeve arkeologjike të bëra në vitet 2004 dhe 2009, 2010 dhe 2011 dha këto rezultate: Për herë të parë u dokumentuan dëshmi të një vendbanimi parahistorik të datuar paraprakisht në epokën e bronzit dhe periudhën e hershëm të hekurit i cili ka shërbyer si bërthama e parë e jetës në këtë vend. Po ashtu për herë të parë këto gërmime dhanë gjurmë të arkitekturës dhe dëshmi të materialit  të datueshëm në periudhën romake dhe antikën e vonë. [3]

Periudha e mesjetës e posaçërisht mes shekujve XI- XV, dëshmohet si një periudhë me banim të dendur, të cilën e rikonfirmojnë edhe rezultatet e kërkimeve të kryera më parë. Gjatë periudhës Osmane, Kalaja zgjerohet duke përforcuar e ndërtuar muret fortifikuese si dhe pasurohet me objekte të reja si hamemi, xhamia dhe objekte tjera për nevojat ushtarake. Kalaja e Prizrenit funksionin primar kreu deri më vitin 1912. Prej asaj kohe objekti lihet pas dore me çka fillon procesi i degradimit të saj. Nga viti 2008 fillojnë disa punë restauruese-konservuese si masë emergjente në parandalimin e këtij procesi degradues.

Gërmimet Arkeologjike të përmendura dëshmojnë se Kalaja e Prizrenit nuk u shfaq në formën e saj të përfunduar, por se ajo vjen si fryt i një procesi të gjatë historik. Në aspektin ndërtimor Kalaja është ndarë në tri komplekse të veçanta të quajtura qytete: Qyteti i Epërm-Akropoli; qyteti i poshtëm dhe qyteti  jugor. Si e tillë, Kalaja është një nga pikat më interesante për hulumtimin e mëtutjeshëm dhe për promovimin e vlerave të turizmit kulturor - historik në territorin e Kosovës. [3] [4]

Galeria Redakto

Shih dhe Redakto

Lidhje të jashtme Redakto

Referime Redakto

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 744 - 745. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  3. ^ a b Hoxha, Gëzim (2007). "Të dhëna të reja arkeologjike nga Kalaja e Prizrenit / Nouvelles données archéologiques sur la forteresse de Prizren". Iliria (në frëngjisht dhe shqip): 33. doi:10.3406/iliri.2007.1073.
  4. ^ "Qasja në Kalanë e Prizrenit do të jetë me teleferik". PrizrenPress – Portal informativ. Marrë më 2017-04-03.