Komuna e Krushevës shtrihet në rajonin e PellagonisëMaqedonisë së Veriut. Qendra e komunës gjendet në Krushevë.

Komuna e Krushevës

Gjeografia Redakto

Komuna e Krushevës është komunë në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, në cepin perëndimorë të rajonit të Pellagonisë dhe kufizohet me Komunën e Plasnicës dhe Brodit në veri, me Komunën e Dollnenit dhe Komunën e Krivogashtanit në lindje, me Komunën e Mogillës në jug dhe në perëndim me Komunën e Demir Hisarit dhe Komunën e Kërçovës.

Qendra e komunës gjendet në qytetin historik të Krushevës.

Territori i Komunës së Krushevës është kryesisht kodrinoro-malorë në një lartësi prej 600 deri 1800 m. duke përfshirë degët jugore të Malit të Bushit, pjesë e malit të Drevenicës dhe një pjesë të fushës së Pellagonisë me pjesën e rrafshët të Lumit të zi. Lartësia më e lartë e Malit të Krushevës dhe degëve të Malit të Bushit është maja Golomanec 1664 m. Qyteti i Krushevës ndodhet në lartësi mbidetare prej 1350 m, ndërsa e gjithë zona, në veri dhe veriperëndim të Krushevës, shtrihet në një lartësi prej 1500 deri në 1700 m.

Në pjesët jugore të Malit të Krushevës burojnë lumenjtë Zaba dhe Gjuresnica, të cilët kontribuojnë që mali në atë pjesë të dallohet nga lugina të thella dhe rrjedha të ujit. Mali i Bushit ka një drejtim meridian të shtrirjes, i cili nga maja Musicë 1791 m në perëndim lidhet me malin Kozjak 1762 m dhe vazhdon në perëndim, duke u lidhur me malin Baba Saq 1747 m. Në verilindje, mali lidhet me mbikalimin Barbaras, me malin Jakupicë. Në jug ka një lidhje të vogël me malin e Drevenicës.

Komuna e Krushevës mbulon një pjesë të vogël të Pellagonisë, përkatësisht Fushës së Prilepit, e cila shtrihet nga shtrati i Lumit të zi deri në Sazhdevë.

Territori i komunës së Krushevës karakterizohet nga një rrjet hidrografik relativisht i dobët. Përroi më i rëndësishëm është Lumi i zi, i cili hyn në territorin e Komunës tek fshati Buçin, mbledh ujëra sipërfaqësorë dhe kullon ujërat nëntokësore.

Gjatë muajve të verës, disa burime ujore mund të thahen. Shtrati i lumenjve është vetëm pjesërisht i rregulluar me qëllim që të zvogëlohen efektet erozive të përroit.

Territori i komunës së Krushevës karakterizohet nga një klimë e butë-kontinentale, me një ndikim të fortë të klimës malore nga perëndimi dhe klimës së luginës nga lindja.

Në përgjithësi, klima karakterizohet nga dimra më të gjatë dhe të ftohtë dhe verë të freskët. Kohëzgjatja mesatare vjetore e rrezatimit diellor për periudhën 1998-2007 është 2198.8 orë, ndërsa retë janë 5.2.

Temperatura mesatare vjetore për atë periudhë është 8.5 °C. Muaji më i ftohtë është Janari, me një temperaturë mesatare minimale prej -4,8 ° C, ndërsa muaji më i ngrohtë është Gushti, me një temperaturë mesatare maksimale 29.2 ° C. Temperatura minimale mesatare vjetore është 2.8 ° C dhe temperatura mesatare maksimale vjetore është 15.8 ° C. Lagështia mesatare vjetore relative është 73% me një maksimum prej 80% në dhjetor dhe një minimum prej 63% në korrik. Reshjet mesatare vjetore janë 806 mm.

Historia Redakto

Krusheva përmendet për herë të parë në burime historike në vitin 1467, si një fshat brenda pronës së Hysein Beut. Në fund të shekullit XVIII, Krusheva ishte prone e Qerim Beut nga Ohri, të cilit popullsia e Krushevës i paguante taksa deri në vitin 1847.

Krusheva, si një vendbanim më i zhvilluar vjen në shprehje në kapërcyellin mes shekujve XVIII dhe XIX. Lagjet e para të qytetit formohen pasi në Krushevë vendoset popullsia shqiptare ortodokse dhe ajo vllahe nga qyteti i Voskopojës përgjatë periudhës ndërmjet viteve 1769 dhe 1788. Gjatë kësaj kohe formohen “Lagja e shqiptarëve” dhe “Lagja e vllahëve”.

Që nga viti 1812 e deri më 1821 në Krushevë vjen vala e dytë e popullsisë së Voskopojës të cilët për një kohë ishin strehuar në Malin Gramoz dhe themelojnë Lagjen Strunga. Pothuaj në të njëjtën kohë, Krusheva popullohet edhe nga një numër i blegtorëve maqedonas nga fshatrat Galiçnik, Lazaropole, Tresanqë, Gajre dhe të tjerë dhe themelojnë “Lagjen e mijakëve”.

Ky fluks i popullsisë mundësoi edhe një zhvillim ekonomik, kurse vetë qyteti i Krushevës fitoi një karakter të komunitetit urban. Pasi që popullsia ortodokse e qytetin bleu territorin e sotëm të qytetit të Krushevës nga Beu, familjet myslimane nuk lejoheshin të vendoseshin në qytet. Në vitin 1858 vetë qyteti kishte tashmë 1,400 shtëpi. Lidhjet e karvanit u krijuan me Prilep, Manastir, Ohër, Selanik dhe qytete të tjera të Perandorisë Osmane, gjë që kontribuoi në zhvillimin intensiv të tregtisë dhe zejeve.

Në vitin 1903 në Krushevë do të plasë një kryengritje kundër sundimit osman dhe përkohësisht do të formohet “Republika e Krushevës” e cila drejtohej nga një qeveri e përbërë prej gjashtë anëtarësh dhe nga një kuvend 60 anëtarësh, ku sllavët, shqiptarët dhe vllahët ishin të përfaqësuar barabartë.

Popullsia Redakto

Sipas të dhënave të shkruara nga Vasil K’nçv në librin e tij “Maqedonia, Etnografia dhe Statistika” të vitit 1900, në qytetin e Krushevës jetonin sllavët, vllahët dhe shqiptarët ortodoks; kurse në fshatrat përreth edhe shqiptarët mysliman.

Pas pushtimit nga Mbretëria e Serbisë si dhe kohërat që do të pasojnë, popullsia myslimane masivisht shpërngulet në Turqi.

Sot në Komunën e Krushevës nuk ka asnjë shqiptar të deklaruar të konfesionit ortodoks. Kryesisht si pasojë e martesave ndëretnike me popullsinë vllehe dhe maqedonase, shqiptarët ortodoks sot janë të asimiluar, kurse qysh në fillim të shekullit të kaluar ishin shfaqur edhe shenjat e asimilit gjuhësor, pasi vetëm disa prej tyre flisnin gjuhën shqipe.[1]

Regjistrimi i popullsisë i vitit 2002 e gjen Komunën e Krushevës me 9,684 banorë.[2]

Sipas përkatësisë etnike, popullsia e Komunës së Krushevës me 2002, ishte si vijon: Maqedonas 6.081 (62.8%), Shqiptarë 2,089 (21.6%), Vllehë 1.020 (10.5%), të tjerë 494 (5.1%).

Mbështetur në të dhënat vjetore të publikuara përgjatë viteve 2002 - 2019 nga Agjencia Shtetërore e Statistikave e Maqedonisë së Veriut, e ku trajtohet të dhënat vitale mbi popullsinë si dhe migrimi i brendshëm, në fund të vitit 2019, Komuna e Krushevës kishte 9,200 banorë, Përkatësia etnike e banorëve të Komunës së Krushevës në fund të vitit 2019 ishte si vijon:

Kombësia %
Maqedonas 56.4 %
Shqiptarë 27.5 %
Vllehë 9.5 %
Të tjerë 6.6 %

Vendbanimet dhe infrastruktura Redakto

Komuna e Krushevës ka gjithsejt 19 vendbanime, në të cilat shqiptarët përbëjnë popullsinë shumicë në shtatë prej tyre. Vendbanimet me shumicë shqiptare janë: Alldança, Bellushina, Borina, Jakrenova, Norova, Presilla dhe Sazhdeva.

Komuna e Krushevës ka përgjithësisht një infrastrukturë të dobët, kurse autoritetet komunale shumicën e investimeve i orientojnë në qytet. Në asnjë vendbanim nuk ka rrjet kanalizimi dhe as sistem të grumbullimit të mbeturinave.

Në vitin 2020, autoritetet komunale bënë të ditur se kanë filluar përpilimin e dokumentacionit teknik për instalimin e sistemit të furnizimit më gaz në qytetin e Krushevës. [3]

Ekonomia Redakto

Komuna e Krushevës karakterizohet nga aktiviteti i dobët ekonomik. Përveq disa dyqaneve të zejtarëve në qytetin e Krushevës, pothuajse e vetmja degë funksionale mbetet turizmi dimëror në malet në territorin e komunës.

Politika Redakto

Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 2017, për Kryetar të Komunës së Krushevës u zgjedh Tome Hristoski (LSDM) për të cilin votuan 3.638 votues[4]. Në të njëjtat zgjedhje u zgjodhën edhe këshilltarët e Këshillit të Komunës. Këshilli i Komunës ka 11 anëtarë: LSDM 6, VMRO-DMPNE 4, BDI 1.

Shqiptarët janë të përfaqësuar me 3 këshilltarë, të cilët janë Sadat Imeri dhe Abush Izeiri nga LSDM, si dhe Eran Memedi nga BDI.[5]

Shqiptarët në Komunën e Krushevës kanë qenë gjithmonë cak i politikave diskriminuese nga ana e autoriteteve qëndrore dhe komunale. Për të zvogëluar pjesëmarrjen e shqiptarëve në kuadër të pushtetit lokal në Komunën e Krushevës, por edhe për të zbritur numrin dhe përqindjen e shqiptarëve në kuadër të numrit të përgjithshëm të popullsisë në komunë, nga Krusheva shkëputet fshati Zhitosh, nga i cili fillimisht në vitin 1996 krijohet një komunë-fshat[6][7], kurse në vitin 2004 ky vendbanim i bashkohet Komunës së Dollnenit.

Edhe viteve të fundit banorët shqiptarë të Komunës së Krushevës janë ankuar vazhdimisht për diskriminime të ndryshme të cilat u bëhen në baza etnike, përfshirë edhe përjashtimet nga puna.[8] Megjithatë kohëve të fundit mund të shihen disa lëvizje pozitive, sidomos në përmirësimin e rrugëve.[9]

Arsimi Redakto

Mësimi në Komunën e Krushevës është i organizuar në 2 shkolla fillore dhe 1 shkollë të mesme:

  • Shkolla Fillore "Nikolla Karev", Krushevë
  • Shkolla Fillore "Ciril dhe Metodi", fshati Buçin
  • Shkolla e Mesme "Naum Naumovski - Borçe", Krushevë

Mësimi në gjuhën shqipe organizohet në Alldançe, Presillë dhe Norovë. Në Alldançe dhe Presillë mësimi zhvillohet vetëm deri në klasën e katërt. Mësimi në gjuhën shqipe në këto tre fshatra organizohet në sistemin e paraleleve të ndara nën patronatin e Shkollës Fillore “Nikolla Karev” të Krushevës.

Gjatë vitit shkollor 2018/2019 mësimin fillor në Komunën e Krushevës e vijuan 750 nxënës, prej të cilëve 366 shqiptarë, 321 maqedonas, 57 vllehë dhe 6 të tjerë. [10]

Ndonëse nxënësit shqiptarë në Komunën e Krushevës përbëjnë numrin më të madh të nxënësve, ata ballafaqohen me kushte të vështira dhe diskriminim të vazhdueshëm. Objektet shkollore ku mësojnë nxënësit shqiptarë janë në gjendje alarmante dhe nuk gëzojnë kujdesin nga autoritetet e Komunës e cila përkundër faktit se nxënësit shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të nxënësve, nuk alokon asnjëherë investime.[11]

Shiko edhe Redakto

Lidhje të jashtme Redakto

Referime Redakto

  1. ^ Koukoudis, Asterios (2003). The Vlachs: Metropolis and Diaspora (në anglisht). Thessaloniki: Zitros Publications. ISBN 9789607760869. p.355. "In many cases, the refugees arrived in organised groups of families with a leader, usually a priest. Right from the start, the Vlachs were accompanied by Arvanites from Vithkuq and the Opar area. Those from Vithkuq preceded those from Opar and occupied the western part of the settlement, forming their own district there. According to local lore, other Arvanite families came from Korçë and the surrounding villages of Polenë, Dardhë, and Mborje. By the early twentieth century, intermarriage meant that very few families spoke Albanian any more."; p. 436. "Mijaks... Quite a large group, from Lazaropole mainly, formed the nucleus of the Slavonic- speaking population of Kruševo, who had settled alongside the Vlachs by the mid-nineteenth century."
  2. ^ Regjistrimi i popullsisë (2002)
  3. ^ "Komuna e Krushevës: Dokumentacioni për gazifikimin e qytetit (2020)". Arkivuar nga origjinali më 29 gusht 2020. Marrë më 29 gusht 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Komisioni Qendror Zgjedhor: Rezultatet e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave 2017
  5. ^ Komisioni Qendror Zgjedhor: Shpërndarja e mandateve në Këshillat e Komunava sipas rezultateve të zgjedhjeve lokale 2017
  6. ^ Brown, Keith (2003). The Past in Question: Modern Macedonia and the Uncertainties of Nation (në anglisht). Princeton University Press. ISBN 9780691099958. p. 224. "In the contemporary setting, reportedly, relations between Vlahs and Albanians remained cordial in the Kruševo region. So, more generally, do those between Kruševo's Christian population and the Muslim villagers in the municipality who come to town to deal with administrative tasks and buy and sell on market days."; p. 275. "The 1994 census was conducted under international supervision, and was followed in 1996 by the reorganization of administrative boundaries, which created an effect of reducing the Kruševo's religious and linguistic diversity, as the majority of those included in the new municipality of Žitoše were Muslim Albanians."
  7. ^ Duke e mbrojtur nga shqiptarët
  8. ^ Pa censurë: Rasti i Femi Ibraimit (2018)
  9. ^ Afaltimi në Nerovë dhe Alldançe
  10. ^ "Makstat: Numri i nxënësve në shkolla fillore 2018/2019". Arkivuar nga origjinali më 23 gusht 2020. Marrë më 28 gusht 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  11. ^ "Komuna e Krushevës nuk investon në shkollat me mësim në gjuhën shqipe (2014)". Arkivuar nga origjinali më 29 gusht 2020. Marrë më 29 gusht 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)