Mustafa Selenica ka lindur në Korçë më 1933. Shkollën 7 vjeçare dhe të mesmen i ka kryer në Tiranë me rezultate shumë të mira. Ka kryer shërbimin ushtarak dhe ka punuar nga një vit në Qendrën Sanitare në Korçë dhe Tiranë. Ka kryer Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 1962, të cilin e mbaroi me rezultate mesatare, për arsye ekonomike ishte i detyruar të punonte si infermier në spitalin e Tiranës vetëm turnin e natës.

Po atë vit u emërua mjek në Mirditë, ku ka punuar rreth 15 vjet në minierat: Kurbnesh, Spaç, Rubik, në të cilat kishte bërë një sërë studimesh për sëmundjet profesionale të minatorëve dhe metalurgëve, të cilat praktikisht nuk njiheshin nga mjekësia jonë si silikoza, sëmundja e vibracionit, helmimet nga gazrat në minierë dhe metalurgji, shurdhimi profesional etj.

Një vit ka qenë shef i seksionit të shëndetësisë dhe dy vitet e fundit drejtor i Spitalit të Rrëshenit. Ka shkruar me bashkautor monografinë: "Silikoza dhe lufta kundër saj". Ka shkruar disa artikuj në shtypin mjekësor dhe atë ditor. Në vitin 1986 dorëzoi për botim librin "Sëmundjet profesionale të minatorëve dhe parandalimi i tyre". Libri pa dritën e botimit vetëm në vitin 2005.

Ka emigruar në Itali që prej 13 vjetësh ku vazhdon akoma të jetojë. Vitet e para atje punoi si mjek e farmacist vullnetar tek Karitasi Diocecion i Lecces. Pasionet e tij kanë qenë, veç profesionit, letërsia dhe historia, por edhe dy sporte të kundërta: shahu dhe alpinizmi.