Nezir Zasella (1885 - 1945), Hero i Popullit, personalitet i shquar i luftës për liri dhe çështje kombëtare nga Shala e Bajgorës. [1]

Biografia Redakto

Nezir Zasella u lind në fshatin Zasellë të Shalës së Bajgorës në vitin 1885. Që në moshë të hershme angazhohet për liri dhe çlirim kombëtar. Nezir Zasellën e gjejmë të angazhuar qysh në vitin 1903, kur ai ishte vetëm 17-vjeçar, në luftën e shaljanëve tek Ura e lumit Sitnicë, kundër garnizonit turk.

Neziri me bashkëluftëtarët e tij e kundërshtonin me forcë vendosjen e konsullatës ruse në Mitrovicë. Nezir Zasellën e gjejmë të mobilizuar edhe kundër forcave serbe në trojet shqiptare deri në Novi Pazar, e gjejmë në kullën e tij në kuvendime të shpeshta e të shumta me Isa Boletinin, Azem Bejtë Galicën, Xhemë Tërnafcin e shumë luftëtarë të tjerë, e gjejmë në të gjitha kuvendet rajonale dhe ndërrajonale si në Boletin, Melenicë, Vesekofc, Bare, Vidishiq, Selac, Kurillovë, ku u lidh besa e Shalës dhe Llapit, në Kuvendin e Bradashit, të Murgullës, të Ferizajit më 20 Korrik 1908, në Kuvendin te Verat e Llukës më 1910, ku u zgjodh Isa Boletini komandant i forcave të armatosura, në Kuvendin që u mbajt në Junik e në kuvende të tjera, të cilat i paraprinë Kryengritjes së Përgjithshme për çlirimin e Kosovës, në pranverën e vitit 1910 e gjejmë edhe si ushtar sypatrembur e vigjilent në ushtrinë e Isa Boletinit në Grykën e Carralevës kundër hordhive turke në betejat fytafyt me forcat osmane, e gjejmë si pjesëmarrës edhe në shumë luftëra për mbrojtjen e Shalës së Bajgorës, duke qenë gjithmonë në lidhje të drejtpërdrejtë me luftëtarët e Shalës, Llapit, Drenicës dhe viseve të tjera të Kosovës, në vitin historik 1912 e gjejmë në mesin e kalorësve të armatosur, që i drejtonte Isa Boletini për të marrë pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, e gjejmë edhe në Lëvizjen e Kaçakëve në Kosovë në koordinim me Azem Galicën, Emin Boletinin, Arif Lisicën etj., në odën e tij në kuvende të shumta të udhëheqësve të çetave kaçake për të organizuar dhe vepruar për çështjen kombëtare, për t'i mbrojtur trojet shqiptare nga pushtimi serb e malazez, e gjejmë në bashkëpunim e bashkëveprim me të gjitha personalitetet e dalluara të rezistencës deri në vitin 1927 kur kaloi në Shqipëri, siç ishin: Azem Bejtë Galica. Arif Lisica, Bajram Zhazha, Bejtullah Shupkovci, Dibran Shosholli, Emin Boletini, Hajdar Shosholli, Hoxhë Kadriu, Isa Boletini, Jetullah Jetullahu, Lah Rashani, Mehmet Konjuhi, Mehmet Hasani, Osman Melenica, Osman Zhazha, Qerim Boletini, Rifat Banjska, Rizak Qabra, Shaban Buliqi, Shaqir Uka, Tafil Boletini, vëllezërit Bajçinovci, Xhemë Tërnafci, Ymer Kutllovci, Nezir Melenica, Xajë Kosova, Lah Rzhana, Lah Kotorri, Behë Mihaliqi etj., e gjejmë ne beteja kundër xhandarmërinë serbe së bashku edhe me djemtë e tij, Manin e Zeqirin të cilët vriten, e gjejmë anëtar aktiv të Komitetit për Çlirimin e Trojeve Shqiptare me seli në Shkodër, e gjejmë në Fier të Shqipërisë gjatë viteve 1927 – 1941, aktiv dhe sidomos prijës e drejtues të grupeve që organizonin aksione atdhetare e humanitare për pajtimin e gjaqeve, ngatërresave dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet shqiptarëve, e gjejmë të kthyer nga Shqipëria pas 14 vjetësh të qëndrimit atje në fshatin e vet, fshatin e lindjes, në Zasellën heroike, ku vdiq dhe u varros në vitin 1945.[2] [3]

Shih edhe Redakto

Referime Redakto

  1. ^ https://www.epokaere.com/lapidar-perjetesie-per-nezir-zasellen/
  2. ^ https://www.botasot.info/libra-sporti/1377812/nje-dokumentar-i-hollesishem-per-atdhetarin-emblematik-nezir-zasellen/
  3. ^ https://www.voal.ch/doli-nga-shtypi-libri-nezir-zasella-luftetar-e-atdhetar-i-perbetuar-i-autorit-avdyl-uka-nga-prof-fetah-bahtiri-recension/kulture/jeta-artistike/