Përparim Zaimi ka lindur më 12 mars 1948 në Dobrushë të Skraparit. Arsimin fillor 7 vjeçar dhe të mesëm i ka mbaruar në Durrës. Është diplomuar në gjimnazin "Nako Spiru" në Durrës. Ka mbaruar studimet e larta në degën tregëtare me rezultate të shkëlqyera në Shkollën e Lartë të FLD në Vlorë në vitin 1969 dhe është diplomuar si Navigator për Flotën Detare Tregtare.

Në vitin 1971 – 1972 ka ndjekur studimet dega Inxhinieri Mekanike, përsëri me rezultate të shkëlqyera, por me urdhër të autoriteteve të larta partiake të kohës në mënyrë arbitrare iu mohua e drejta e vazhdimit të mëtejshëm të studimeve në këtë degë. Në vitin 1980 përfundoi studimet e larta në Filozofi me rezultate të shkëlqyera. Është njohës dhe folës i disa gjuhëve të huaja si anglisht, italisht, rusisht.

Është autor i disa studimeve në fushën e peshkimit si ndërtim i hartës së parë të relievit nën ujor të detit Adriatik dhe Jon për qëllime peshkimi dhe eksplorator i zonave të reja të peshkimit, vlerësimi i biomasës së ujërave tona detare të zonës ekonomike ekskluzive në detin Adriatik dhe Jon, pjesmarrës dhe kontribues me eksperiencën e njohuritë e tij në ekspeditën e përbashkët shqiptaro – franceze për eksplorimin e koralit të kuq në detrat tanë, bashkëhartues i planeve dhe programeve mësimore për ngritjen e shkollës së mesme të peshkimit në vitin 1980, një shkollë detarie e mirëfilltë.

Bashkëautor i disa teksteve për shkollën e mesme të peshkimit si "Hidrometereologjia Detare", "Arti Detar 1" dhe "Arti Detar 2", bashkëautor i librit "Elementë teorikë të Stabilitetit të Anijes e Zbatimi Praktik".

Në vitet 2007 – 2009 ka qenë anëtar i Komitetit të Përputhshmërisë i Planit të Veprimit për Mesdheun me seli në Athinë, i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin në rolin e ekspertit shkencor të këtij komiteti.

Gjatë karrierës së tij profesionale ka kryer detyra të larta në administratën shtetërore për një kohë të gjatë si Kryetar Dege dhe Drejtor i Drejtorisë së Peshkimit në Ministrinë e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, Drejtor Institucionesh administrative dhe projektuese dhe këshilltar ministri.