Paulus Angelus (shqip. Pal Engjëlli ose Êjlli; 1417[1] ose 1427 – 27 mars 1469) ka qenë një klerik katolik që shërbeu si Arqipeshkëv i Durrësit, i cili më 1462 shkroi të parën fjali në gjuhën shqipe të gjetur deri më tani. Qe mik dhe shërbeu si diplomat i Skënderbeut, si dhe me porosi të Papa Piu II ndërhyri për ta pajtuar me Lekë Dukagjinin.

Pal Ejlli

Biografia Redakto

 
Stema e Pal Engjëllit.

Barleti e përshkruan se qe epirot, i biri i Andrea Engjëllit nga një familje e rëndësishme e Drishtit mesjetar,[1] nëpunës i lartë i shtetit me titullin comes.[2][3] Sipas Shuflajt, ai qe durrsak i lindur, dhe vetëm më pas vendosen lidhjet me Ëngjëllorët e Drishtit nga i vëllai, Pjetri. Nuk dihet shumë rreth rinisë së tij, mendohet se ka lindur më 1417 ose 1427, Farlati kumton se gjatë rinisë kish qëndruar në Kostandinopojë. Më pas u kthye në Drisht, ku është dokumentuar si prift (presbyter). Sipas Statuteve të Drishtit, ishte edhe gjykatës, komisar e konservator.

 
Formula e pagëzimit

Më tej radhitet si arkidhiakon në Durrës, ku i dhuron kishës së qytetit 50 florinta. Sipas Valentinit, gjatë organizimit të kryqëzatës 1455-1458 u miratua nunc dhe mbledhës ndihmash në dheun e Arbërit, Dalmaci e Serbi dhe më 17 shtator 1457 të ardhurat e mbledhura prej tij dhe ndihmësve të tjerë, iu dorëzuan Skënderbeut. Më 19 mars 1460 u shugurua arqipeshkëv i Durrës nga Papa Piu II, e deri atëherë mbante titullin bakalaureat në ligjet e kishës (lat. baccalaureus in decretorum). Gjatë po atij viti i dhuroi kuvendit të Shën Gjonit të Strilalit (në Shtojin e sotëm, rrethinat e Shkodrës) një shumë prej 60 florintash.[3]

Ai qe edhe diplomat i Skënderbeut dhe e shoqëroi në Raguzë dhe në Itali më 1461.[3]

Më 1464 në qershor u dërgua nga Skënderbeu në Milano së bashku me Alessio Albanese për të takuar Francesco Sforcën.[4] Po atë vit me porosi nga Papa Piu II dhe ndërmjetësimin e vet, u arrit pajtimi i Skënderbeut me Lekë Dukagjinin.[5] Pas 1465 qe ambasadori i Skënderbeut në Venedik, ndërsa pas vdekjes së prijësit më 1468, Venediku e ktheu në Arbëri me 220 dukate me bindjen që në sajë të autoritetit që gëzonte në parinë e vendit, do të mund t'i jepte drejtim gjendjes së krijuar.[3]

Formula e Pagëzimit Redakto

Pal Ëngjëlli më 8 nëntor 1462 qe ndër tubuesit e Kuvendit të Arbërit,[3] mbajtur në kishën e Shën Trinisë në Emathia - në fshatin e sotëm Tresh, sipas Kasëm Biçokut. Kuvendi i mbajtur pati rektorë e priftërinj nga ipeshkvinjtë e Durrësit dhe të Lezhës, në praninë e panumërt të fisnikëve e vegjëlisë,[6] trajtoi çështjet kishtare të kohës në përputhje me nevojat e vendit dhe besimtarëve. Përfundimet që u nxorrën nga rrahja e çështjeve në këtë kuvend u radhitën në përmbledhjen e titulluar Kushtetuta, urdhra dhe statute (lat. Constitutiones, Ordinationes et Statuta) dhe po në këtë përmbledhje gjendet edhe Formula e Pagëzimit me përmbajtje «Un te' paghesont premenit Atit et Birit et Spertit Senit». Fraza qe hartuar për t'u përdorur nga prindërit nëse të porsalindurit ishin në rrezik vdekjeje dhe nuk kishte kohë dhe nuk gjendej një klerik për të kryer sakramentin e pagëzimit.[3]

Këto radhë janë shkruar në faqen 4 (në krye) të këtij dorëshkrimi latin. Formula u gjet në një letërkëmbim mes priftërinjsh drejtuar Kishës së Trinisë së Shenjtë në Mat. Në Bibliotekën Laurentiana të Firencës ky raport i shkruar nga dora e Pal Engjëllit në 37 fletë, mban numrin e inventarit 1167 dhe ruhet si një ndër dokumentet e çmuara të kësaj biblioteke të kohës së Rilindjes Europiane. U zbulua më 1915 nga studiuesi rumun Nicolae Iorga.[3]

Literatura Redakto

  • Nicolae Iorga: Notes et extraites per servir à l'histoire des croissades au XV siècle. Bukarest 1915, S. 195.
  • Lorenzo Tacchella: Giorgio Castriota Skanderbeg e i romani pontefici nel sec. 15. Paolo Angeli arcivescovo di Durazzo e ambasciatore di Skanderbeg a Venezia nel 1467. Milano 2000.

Referime Redakto

  1. ^ a b Prennushi, Mikel (1999). "Arqipeshkvi Pal Ëngjëlli (1417 - 1470), humanist i shquar shqiptar dhe bashkëpunëtor i afërt i Skënderbeut". Phoenix (13–14): 425–430. Arkivuar nga origjinali më 28 shtator 2007. Marrë më 29 dhjetor 2008.
  2. ^ Malaj, Edmond (2013). "Familjet fisnike të Drishtit mesjetar". Studime Historike: 24–33.
  3. ^ a b c d e f g Malaj, Edmond (2015). "Familje fisnike shqiptare Ëngjëlli para pushtimit osman" (PDF). Malësia (10): 467–477.
  4. ^ Karanxha, Ilia (29 nëntor 2010). "Formula e Pagëzimit: fakte historike". albanianews.it. Marrë më 4 korrik 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ Kaleshi, Hasan (1974). "Dukagjini". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). München. fq. 444–446.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  6. ^ Biçoku, Kasëm (27 tetor 2013). "Kisha e Shën Trinisë: Ja ku i kundërshtoj Aleksandër Meksin dhe Kristo Frashërin: emri mesjetar i Lezhës dhe Emathia (Matja) e Formulës së Pagëzimit". Standard (2774): 10–11.