Anglia dhe Skocia ekzistonin si vende të ndara sovrane dhe të pavarura me monarkët e tyre dhe struktura politike qysh nga shekulli IX. Principata, dikur e pavarur, e Uellsit ra nën kontrollin e monarkëve Anglezë nga Statuti i Rhuddlanit më 1284, por u aneksua formalisht ose u "bashkua" me Anglinë nën dy "Ligjet e Uellsit" të vitit 1535 dhe 1542. Edhe pse Mbreti Skocez, James VI, u bë edhe mbreti i Anglisë më 1603, duke krijuar kështu "bashkim personal" mes dy mbretërive, Anglia (me gjithë Uellsin) dhe Skocia mbetën të ndara deri kur Traktati i Unionit u pranua një shekull më vonë dhe u vu në zbatim nga "Aktet e Unionit 1707". Aktet e Unionit, të miratuara nga Parlametet e Anglisë dhe Skocisë respektivisht, krijuan një bashkim politik në formën e një Mbretërie të Bashkuar të Britanisë së Madhe.[8] Akti i Unionit 1800 bashkoi Mbretërine e Britanisë së Madhe me Mbretërinë e Irlandës, e cila gradualisht ishte vënë nën sundimin Anglez mes viteve 1541 dhe 1691, duke formuar kështu Mbretërinë e Britanisë së Madhe dhe Irlandës më 1801.[9]

Gjatë shekullit të mëpasshëm Britania e Madhe luajti rol të rëndësishëm në zhvillimin e idealeve perëndimore të Demokracisë Parlamentare me kontribute të rëndësishme në letërsi, Art dhe Shkencë.[10] Revolucioni Industrail, i nisur dhe drejtuar nga Britania e Madhe e transformoi vendin. Gjatë kësaj periudhe, si Fuqitë e tjera botërore, Britania e Madhe u angazhua në shfrytëzim kolonial, përfshirë tregtimin e skllevërve, megjithëse miratimi i "Aktit të tregtimit të skllevërve" i vitit 1807 e bëri Britaninë e Madhe vendin e parë në botë që ndalonte këtë tregti.