Pietro Marubbi

Fotograf, piktor, arkitekt shqiptaro-italian
(Përcjellë nga Pietro Marubi)

Pietro Marubbi, Marobbi por edhe Marubi (shqip: Pjetër Marubi; Piacenza, 14 gusht 1832 - Shkodër, 22 maj 1903) ka qenë piktor, skulptor, arkitekt dhe fotografi që themeloi studion Foto - Studio "Marubbi" duke u bërë kështu babai i fotografisë në viset shqiptare. Pas angazhimeve në lëvizjen risorgimentale në bashkimin e Italisë, u arratis dhe gjeti strehë në Shkodrën osmane ku shkoi pjesën më të madhe të jetës, por qe po ashtu fotograf i oborrit të knjazit të Malit të Zi,[1] si dhe reporter i gazetave të kohës L'Illustration, The Illustrated London News, La Guerra d'Oriente dhe L'Illustrazione Italiana.[2]

Pietro Marubbi, foto e Mati Kodhelit

Biografia Redakto

U lind në Piacenza më 14 gusht 1832, asokohe pjesë e Dukatit të Parmës, me emrin e lindjes Benedetto Pietro Lorenzo Marobbi, i biri i Antonio Marobbi-t dhe Maria Çervinit (Cervini); i ati ishte sharrëxhi (më pas punoi derëtar dhe në një farmaci), u martua me të shoqen kur ishte 33 vjeç, nga gjashtë fëmijët që patën si çift mbijetuan vetëm Pietro dhe e motra, Maria Luixhia (Luigia). Pietro ndoqi shkollën e arteve të institutit Gazzola të vendlindjes.[3] Mendohet se ishte çirak te artizani Antonio Carra, i cili qe i akuzuari për vrasjen e dukës Karli III.[1] Më 1854 u arrestua me akuzën e kallpazanit, falsifikator monedhash, dhe u dënua nga gjykata në Piaçenca me 20 vjet burg. U lirua pas tre vjetëve në sajë të një amnistie nga sovrani, dhe pas lirimit u largua prej vendlindjes me dy ish-bashkëvuajtës pak kohë pas atentatit që iu bë dukës së Parmës. Të tre italianët u larguan përmes Mantovës drejt Venecies, dhe prej Triestes i hipën një anijeje drejt Korfuzit. Pas një qëndrimi në këtë ishull që ishte bërë pikë grumbullimi të arratisurish revolucionarë italianë, ai lëvizi edhe njëherë drejt Triestes dhe më 1858 mori një anije drejt Zarës ku ishte prezantuar si piktor dhe litograf, por u burgos për gjashtë muaj më 28 prill 1858 për shkak të kontakteve me qarqet revolucionare italiane, më tej shkoi në Budva dhe së fundi u vendos në Shkodër tetorin e 1858 ku u prezantua si piktor.[2][3]

Fillimisht u vendos në hanin e familjes Rronkali dhe më pas në konsullatën ruse. Punoi si mësues vizatimi në seminarin e etërve jezuitë, konsullatën franceze dhe atë ruse; kontribuoi për ndërtimin e kishës ortodokse "Aleksandër Nevski" të qytetit (për të cilën dhe u dekorua nga autoritetet ruse me medaljen e urdhrit të Shën Stanislavit), të konsullatës së re franceze, të selisë arqipeshkvnore të katedrales katolike dhe konsullatën e re italiane aty ku ishte shtëpia e Filip Parrucës.

Në qytet ishin vendosur edhe mërgimtarë të tjerë italianë që ishin përfshirë me lëvizje revolucionare në gadishullin apenin kundër mbretërive austriake dhe borbone të Napolit, prej të cilëve njohu dhe u martua me italianen Marietta Greatti nga Gorizia.[4] Nëse data se kur u vendos nuk dihet me siguri, dihet ama që më 1865 çeli studion e tij,[3] duke e përdorur së pari fotografinë në dobi të pikturës siç mund të kuptohet nga portretet e Nikollë Çobës dhe Ismail Pashës.[2] Fotot më të hershme të koleksionit të tij zëjnë fill më 1860.[5] Me të blerë shtëpinë vet dhe pajtimit të bahçevanit Rrok Matisë nga Kodheli i Zadrimës, zuri vend edhe familja e zadrimorit në shtëpinë e re të italianit verën e 1866.[3]

Mori çirak djalin e bahçevanit të tij, Matinë e Rrok Matisë si dhe Kolën e Arsen Idromenos.[6] Pasi nisi të parin me shkollë në studion Sebastuanutti & Benque në Trieste, mirëpo pak kohë pasi u kthye ndërroi jetë. Vendin e tij e zuri i vëllai, Mikeli, i cili shkoi po ashtu për t'u shkolluar në Trieste dhe kur u kthye e ndihmoi mjeshtrin e tij italian.[2] Me çeljen e Kolegjit Saverian, u pajtua që të jepte edhe aty lëndën e vizatimit.

Studioja e tij u specializua jo vetëm në shërbime fotografike private (portrete të personave e familjeve), por në vitet ’70 Pietro bëri një shërbim si reporter për revistën italiane “Illustrazione Italiana" në vilajetin e Shkodrës.

Organet e ndryshme botërore, revistat dhe gazetat lidhin kontrata. Ndërkohë, mjeshtri filon të dali nga atelieja e të fotografoi në natyrë subjekte shoqërore, por edhe historike. Kësaj periudhe i përkasin foto të tilla si shumë e njohura “Lypës në rrethinat e Shkodrës” (1875) me forcë të madhe shprehëse, si dhe “Portret gruaje” (1878) e “Cigania e vogël”. Me vlera të mëdha është dhe fotoja e Marubit që paraqet delegatët e Vilajetit e Lidhjes së Shkodrës në Lidhjen Prizrenit (1878) si dhe ajo që pasqyron Kryengritjen e Mirditës (1876-1877). Me këto foto ai nis bashkëpunimin e gjatë me revista të njohura evropiane si “L’Illustration”, “La Guerra d’Oriente” dhe “The Illustrated London News”, duke u bërë kësisoj fotoreporteri i parë në histori të fotografisë shqiptare. Fotot e Marubit mbi lëvizjet luftarake të shqiptarëve për liri, janë pothuaj vërsnike me ato që mbahen më të parat fotografi botërore të luftës si të anglezit Fenton dhe amerikanit Brady. Përmendim gjithashtu se ai ka realizuar fotografitë e para në Malin e Zi (1865). Kështu nuk është e rastit që fotografitë e kohës të Marubit, gjenden në shumë gazeta italiane dhe franceze te kohës. Aparatet e tij në fillim të veprimtarisë ishin prodhime franceze dhe gjermane me përmasa 30 cm me 40 cm. Shumë foto të tij janë shtypur edhe si kartolina postare që kërkoheshin nga të huajt për bukurinë dhe ekzotiken e tyre.

Për veprimtarinë e tij u nderua me medalje ari nga Shoqata e Meritorëve italianë (italisht: Associazione dei benemeriti italiani) në Palermo më 1890 dhe kalorës nderi i Areopagut të të Dekoruarve të të gjitha kombeve (italisht: Areopago dei decorati di tutte le nazioni) në Livorno më 1895.[3]

Gjatë një lëngate më 1893, me dy dëshmitarë dhe përkthyesin e konsullatës italiane Pjetër Gurakuqi, nënshkruan një testament ku përcakton vullnetin e tij për t'i lënë trashëgim ateljenë dhe pajisjet Kel Kodhelit "si shpërblim i gjithë shërbimeve miqësore të bëra nga ai në situata të ndryshme të jetës sime."[3]

Referime Redakto

  1. ^ a b Bekteshi, Besi (4 mars 2014). "Karli III, vrasësi Antonio Carra dhe Pietro Marubi në vitin 1854". sot.com.al. Marrë më 29 nëntor 2014.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ a b c d Lorenci, Markenc (korrik 2021). "L'emigrazione italiana nell'Albania pre-indipendente: il caso di due esuli italiani nella seconda metà del XIX secolo". Migranti di ieri e di oggi: Movimenti di popolazione tra le due sponde dell’Adriatico in età moderna e contemporanea (në italisht). eum. fq. 80–81. ISBN 978-88-6056-723-9. {{cite book}}: Parametri |journal= është injoruar (Ndihmë!)
  3. ^ a b c d e f Bedeni, Luçjan (2021). "Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipëri". asa.edu.al.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  4. ^ Marinolli, Mattia (30 janar 2016). "Pietro Marubbi, l'italiano di Scutari primo fotografo dei Balcani". eastjournal.net (në italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ Elsie, Robert. "The First Photographers in Albania and the Southwest Balkans". albanianphotography.net (në anglisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  6. ^ Lorenci 2021, fq. 85.