Abdurrauf Fico i njohur më shumë si Rauf Fico (Sana, 13 mars 1881 - Tiranë, 23 janar 1944) ka qenë nëpunës i Perandorisë Osmane si dhe deputet, ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar.

Rauf Fico
Ministër i Punëve të Brendshme
Në detyrë
12 dhjetor – 24 dhjetor 1921
Paraprirë ngaLuigj Gurakuqi
Pasuar ngaAhmet Zogu
Në detyrë
6 mars – 3 nëntor 1930
Paraprirë ngaKostaq Kotta
Pasuar ngaMusa Juka
Ministër i Punëve të Jashtëme
Në detyrë
18 prill 1929 – 3 nëntor 1930
Paraprirë ngaIljaz Vrioni
Pasuar ngaPandeli Evangjeli
Të dhëna vetjake
U lind më13 mars 1881
Sana, Perandoria Osmane
Vdiq më23 janar 1944
Tiranë, Mbretëria Shqiptare (1943–44)
NënshtetësiaShqiptar
FëmijëtBardhyl Fico
PunësimiPolitikan, Diplomat

Biografia Redakto

U lind në SanaVilajetit të Jemenit, i biri i Tahmaz Remzi efendiut nga Gjirokastra dhe i Hava Buzos nga Berati. I ati ishte i caktuar si kadi në Jemen, por i biri u regjistrua në Gjirokastër. Më pas i ati u caktua kadi në Shkodër, ku Raufi ndoqi dhe kreu arsimin fillor dhe ryzhdijen e qytetit. Vijoi shkollimin e tij në Stamboll, si të mesmin në idadijen Mylkije dhe më pas në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore "Mekteb-i Mülkiye-i Şahane", të cilën e kreu në korrik të 1903,[1] dhe hyri në librin e artë të shkollës tok me kryeministrin e mëpasshëm të Turqisë dhe Presidentin e dytë të Republikës së Turqisë, İsmet İnönü.

Gjatë qëndrimit në Stamboll hyri nën influencën e ideve të rilindësve, e veçanërisht të Naim Frashërit. Sipas dokumentacionit të kohës, ai dhe vlonjati Jusuf Hamzaraj ishin ndërlidhësit e Naimit me studentët shqiptarë të Stambollit.

Në tetor të atij viti, Fico u emërua si nëpunës stazhier pranë administratës së vilajetitJaninës (sekretar i Valiut) dhe mbas përfundimit të stazhit ai dekretohet me ofiqin e kajmekamit në prill të vitit 1906 në Konicë. Për shkak të bindjeve të tij me gjasë xhonturke[1] dhe lidhjet me Bajo Topullin, Memduh Zavalani, Qamil Panaritin, Sali Butkën e të tjerë,[2][3] u transferua në Gjymyshhaxhiqoj të vilajetit Sivash e më pas në Kangall të Anadollit Lindor. Pas revolucionit Xhonturk më 1908, iu mundësua kthimi kajmekam në Himarë dhe më pas në Margëlliç.[1] Sipas Uran Asllanit, nëntorin e 1908 Fico shoqëroi Bajo Topullin në Kongresin e Manastirit, arsye për të cilën, autoritetet shtetërore mbajtën qëndrim zyrtar dhe e transferuan në qytetin e Gjymyshhaxhiqoj të vilajetit Sivash dhe më pas në Kangall më 1908.[2]

Në vjeshtën e 1910 u tranferua në Jabanabad, para se të caktohej në postin e tij të fundit në administratën osmane korrikun e 1911 në Kërçovëvilajetin e Manastirit.[1]

Në fund të 1912 iu bashkua administratës të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, si këshilltar i ministrit të Brendshëm, më pas u caktua prefekt i Beratit (nëntor 1913 - janar 1914). Nën sundimin e Princ Vidit, ishte shef i kabinetit i kryeministrit Përmeti, më tej qe kryetar i komisionit për muhaxhirët dhe zëvendësisht prefekt i Vlorës.[4] Së bashku me Abdyl bej Ypin u përpoq të normalizonte marrëdhëniet me kryengritësit e Shqipërisë së Mesme, por u kap e u burgos prej tyre. Pas gjatë pushtimit austro-hungarez janarin e 1916, u caktua nënprefekt i Tiranës e deri më 1919.[4] Në këtë zyrë së bashku me Hoxhë Zyber Hallullin, Mytesim Këlliçin, Luigj Shalën dhe Xhelal beg Toptanin, hapën Strehën Vorfnore, e para jetimore publike e qytetit.[5]

Nga 1920 deri më 1923 ka qenë këshilltar si dhe Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Në dhjetor të 1921 u emërua ministër i Brendshëm i qeverisë jetëshkurtër të Idhomeno Kosturit. Nga 1922 shërbeu si prefekt i Shkodrës, me zgjedhjet e dhjetorit 1923 e deri më 1926, u zgjodh deputet i Durrësit.[1]

Pas Triumfit të Legalitetit si i afërt me Ahmet Zogun, nisi karrierën diplomatike më 1926 si konsull në Turqi dhe jorezident në Bullgari dhe më 1928 në Jugosllavi. Në prillin e 1929 u dekretua ministër i Punëve të Jashtme, si dhe zëvendësisht ministër i Punëve të Brendshme pas marsit të 1930. Për shkak se nuk i pëlqente afrimiteti me italianët, u shkarkua dhe iu rikthye shërbimit diplomatik. U caktua ministër i shtetit shqiptar në Jugosllavi (1933-36), Greqi (1936 - korrik 1938) dhe ministër fuqiplotë në legatën e porsaformuar në Berlin (1938-39).[4]Athinë, tema e njohur e reciprocitetit të munguar në marrëdhëniet greko-shqiptare u bë njëra nga pistat e përzgjedhura të veprimtarisë së tij. Ai kërkoi t’i kushtëzonte hapjen dhe funksionimin e shkollave greke në Shqipëri me të njëjtën politikë që ndiqte edhe qeveria greke për arsimimin e shqiptarëve çamë në Greqi.[3]

Pas pushtimit italian u kthye në Shqipëri, por u internua në Itali[1] me figura të tjera si Lef Nosi e Mehdi Frashëri, prej ku u kthye më 1942. Në nëntor 1943 mori pjesë në mbledhjen themeluese të Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit.[4]

Ndërroi jetë më 23 janar 1944 në Tiranë.[4]

Nderimet Redakto

U dekorua nga Perandoria Austro-Hungareze, me Urdhrin e Franz Josefit të kl. I si nëpunës i përgjegjshëm. Për shkak të veprimtarisë shoqërore dhe personalitetit të tij, me propozim të Ministrisë së P. Jashtme të Francës, më 1922, Rauf Ficos i akordohet dekorata “Palma e Artë Akademike”, ndërsa Akademia Ndërkombëtare e Letërsisë dhe Shkencës së Napolit, më 16 korrik 1925, mbasi i ka dhënë gradën shkencore të Doktorit të Nderit, e zgjedh edhe anëtar korrespondent të asaj akademie. Po e asaj periudhe është edhe dekorimi italian me “Kryqin e Nderit për merita në letërsi e shkencë”, i akorduar nga Akademia Mbretërore Italiane. Rauf Ficoja ishte dekoruar nga mbreti bullgar me "Urdhërin e Borisit“ dhe nga Franca në vitin 1926, me medaljen e "Oficerit të Legjionit të Nderit“.

Më 27 janar të vitit 1932, Rauf Ficoja u dekorua nga Mbreti Zog me dekoratën e "Urdhërit të Komandarit të Skënderbeut“.[2] Krahas tyre është nderuar edhe me Grand Kordon i Urdhrit Leopold të Belgjikës; Grand Kordon i Rumanisë; Grand Kordon i Urdhrit Foiniks nga Greqia; Grand Kordon i Kurorës së Luksemburgut etj.[3]

Referime Redakto

  1. ^ a b c d e f Özdalga, Elisabeth (2013). Late Ottoman Society: The Intellectual Legacy (në anglisht). Routledge. fq. 312. ISBN 9781134294732.
  2. ^ a b c Asllani, Uran (23 nëntor 2005). "Rauf Ficoja, diplomati shqiptar që bëri Adolf Hitlerin ta nderonte". Metropol. 515: 19. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 12 janar 2019.
  3. ^ a b c Luarasi, Genc (22 qershor 2014). "Rauf Fico, shqiptar edhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri!". Dita. 587: 14–15. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 12 janar 2019.
  4. ^ a b c d e Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 122–123. ISBN 9789994356225.
  5. ^ Frashëri, Kristo (2004). Historia e Tiranës. Tiranë: Toena. fq. 395. ISBN 9992718978.