Prania e kulturës orientale në kulturën tradicionale popullore kronologjikisht i përket periudhave të lashta që i kanë origjinat qysh në kontaktet e ilirëve me persët. Kulti romantik i Orientit në kulturën shqiptare lidhet me referenca të kryehershme që të çojnë te burimi, te Lindja e Lindjes, te humanizmi pers. Studimet krahasuese sidomos të kohëve të fundit kanë nxjerrë në pah bashkëpërkimet, analogjitë, ndikimet dhe interferencat midis dy kulturave.

Në përgjithësi, qasje të tilla në raporte krahasuese janë ndërmarrë nga studiues të njohur të letërsisë të cilët në punimet e tyre kanë shqyrtuar marrëdhëniet midis ligjërimeve poetike të poezisë së Rilindjes dhe kodit poetik oriental. (A. Xhiku ”Romantizmi arbëresh", Tiranë 2002, J.Bulo “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit”, Tiranë 1999, etj.)

Në këtë kontekst është i rëndësishëm vëzhgimi i poetikës orientale dhe në nivelin e poezisë popullore. Semantika e simboleve kryesore orientale, bilbilit dhe trëndafilit, lules dhe zogut në përgjithësi është vërejtur e pranishme në poezinë popullore (shih më hollësisht A. Velia “Simbolikë orientale në lirikën e qytetit të Shkodrës”, Perla 4/1998).

Në këtë optikë meqenëse Naim Frashëri ishte poeti që përcolli për herë të parë Saadiun në botën shqiptare (tre rrëfenja të Saadiut në prozë, u përcollën nga Naimi tek lexuesi shqiptar), vlen të hetohet fakti nëse simboli i trëndafilit në poezinë popullore u përftua si ndikim oriental nëpërmjet Naimit, apo nëse është përftuar më parë në një formë të panjohur. A ka ardhur shumëkuptimësia e këtij simboli, pra e burimit në poezinë tonë të kultivuar dhe në atë popullore ? E rëndësishme do të ishte një përqasje krahasuese e kuptimësisë së këtij simboli në të tre këto nivele : Saadi-Naim-Poezi popullore.

Fillimisht duke iu referuar veprës “Gjylistani dhe Bostani” të Saadiut vërehet një konceptim polivalent i simbolit të trëndafilit. Polisemantika e niveleve të kodit poetik të Gjylistanit të çon realisht në një sinkretizëm konceptimesh : Gjylistani, Trëndafilishta, në thelb është kopshti i përsosmërisë, i virtyteve, i bukurisë, i mirësisë, i moralit, i këshillës, i triumfit të së mirës mbi të keqen.

Në këtë kuptim simbolika disashkallëshe lidhet me përsosmërinë – mirësinë – bukurinë – ndriçimin e ndjenjës, arsyes, dëlirësisë-përkrahjen e vuajtjes (e të vuajturit), brengës.

Trëndafili evokohet herë drejtpërdrejt si simbol i poetit : trëndafili është Saadiu. Por për armiqtë gjemb që ther dhe përgjithësisht në opozicionin midis së mirës dhe së keqes si shenjues i së mirës ku metonimi i tij artistik (gjembi) shfaqet në krahun tjetër të opozicionit, duke marrë shprehjen poetike të dhimbjes. Në kontekste të tjera, opozicioni midis tyre do të shenjonte marrëdhënien midis dashurisë dhe dhimbjes :
Mos më shaj në humba mendjen
Se s’gjen hënë pa lëngatë
As dhe trëndafili pa gjëmba
As dhe ditë pa një natë.

Në opozicionin i mirë-i keq, trëndafili në simbolikën e tij bart konceptet didaktike të Saadiut, të rrafshimit të këtij opozicioni nëpërmjet kthimit të së keqes në të mirë :

Tha balta : unë baltëz qesh e mjerë
Me trëndafilin ndenja ditë ca
Si vetja yll më bëri shok i ndjerë
Pa të do t’isha baltë siç u tha”

Polisemantika e trëndafilit te Saadiu përftohet mbi bazën e sinkretizmit filozofik estetik, etik, didaktik ; bart kumte të këshillës, të dëshirës, moralit e porosisë. Trëndafili shfaqet si shenjues i së bukurës, i pasionit të zjarrtë, i përsosmërisë, i rinisë, i gëzimit. Në këtë shumëkuptimësi trëndafili do të paraqitej në raporte opozicionale, si marrëdhënie :

virtyt – ves, i mirë -i keq, i bukur- i shëmtuar, dashuri –dhimbje, rini – pleqëri.

Në këto kontekste opozicionale trëndafili merr vlerë estetike si simbol. Strukturat poetike ku mbruhen idetë simbolike paraqiten të ngarkuara emotivisht :

U vyshk trëndafili, mbet gjembi
E morën thesarin, gjarpri mbet si shkëmbi.

Mbërritja në nivelin e përsosmërisë si qëllim i ndriçimit filozofik saadian bëhet shkak poetik i krijimit të modeleve në të cilat trëndafili si simbol bart këtë përpjekje për të synuar të pakapshmen, të paarritshmen :

Trëndafilen që lyp unë/ Nuk e ka trëndafilishta Parë në këtë vështrim, trëndafili shfaqet si simbol i mirësisë njerëzore që është e mundur të të shpjerë te nuri i përsosmërisë që shfaqet si lumturia vetë :

Një burrë i hoqi një gjemb një jetimi
E paka në ëndërr Khaxhend Sadredini
Në kopësht po tundej dhe thoshte tërë shend
“Se sa trëndafila më dha ai gjemb”

Trëndafili në simbolikën e Saadiut e kapërcen nocionin e simbolit estetik dekorativ duke qenë i integruar në konceptime filozofike e didaktike që janë të lidhura me vertikalitetin e kodit poetik pers, me thellësinë e mistikës së tij.
Te Naimi është i ndjeshëm ndikimi i poetikës perse vënë re sidomos në ligjërimet lirike meditative të “ëndërrimeve”. Është vënë në dukje fakti që Naimi diti të eptonte konvencialitetin, figuracionin dhe fjalorin e poezisë lindore në një ligjërim të përsosur në gjuhën shqipe.  


Trëndafili së bashku me bilbilin shkrihen në organizimet lirike duke u bërë pjesë organike në krijimin e simbolikave në funksion të meditacioneve filozofike. Ai përfshihet në konceptimet e jetës , vdekjes dhe të kohës të cilat janë parë nga studiuesit jo thjesht si ndikim i misticizmit të traditës direkte dhe të burimeve filozofike të saj por dhe si tipar romantik i poezisë së tij. Trëndafili si simbol artistik modelohet në lirikat e Naimit në përqasjet midis jetës dhe natyrës në funksion të “të motivit të venitjes së jetës”. Shtrojani shokë të pijmë Se po thahen trëndafilat Të ritë po shkon, pse rrimë Pushuanë dhe bilbilët Ndikimi oriental ndihet më tepër në përsiatjet filozofike në të cilat trëndafili shfaqet si simbol i përsosmërisë shpirtërore. Në “ Ëndërrimet” gjejmë vargjet: ..Mbylle gojën, mos u ndje ti o bilbil, krahët ulur rri te yti trëndafil, që nga qielli mendja ime të kërcasë në të fshehtëzën e dashur të humbasë. Trëndafili simbolizon përsosmërinë , ndërsa ulja tek ai qetësimi e zemrës së njohësit kur ky të mbërrijë te vetë përsosmëria (Zoti). Duke u thelluar në mistikën e Naimit, trëndafilin e gjejmë si simbol metafizik, bartës të së fshehtës së gjithësisë (“kaq të fshehta i thotë era trëndafilit”). Panteizmi naimjan e përfshin këtë simbol estetik në struktura poetike në të cilat ai i shërben konceptit të shkrirjes në gjithësi me sublimen, madhështinë e krijuesit: Ajy është trëndafili Edhe gjëmb i trëndafilit Ajy është dhe bilbili Ajy dhe zër i bilbilit… Atributet e trëndafilit (era, bukuria etj) te Naimi janë të karakterit hyjnor (“ep erën e perëndisë trëndafili palë –palë”). Janë këto cilësi hyjnore të këtij simboli të cilat krijojnë modelin simbolik të parajsës- trëndafilishtë të Naimit i cila, estetikisht shëmbëllen shkrirjen e parajsës hyjnore me atë tokësore. Tharmi ngjizës i këtij konceptimi është hiri hyjnor: Hir ke sjellë ti nga selia ti e brishtë

E ke bërë botën krejt trëndafilishtë. (duke iu drejtuar pranverës fq 56). Krahasuar me trëndafilishtën e Saadiut, kjo e Naimit nuk është kopshti i porosive të moralit, por më tepër shembëlltyra e mrekullisë së krijuesit i ngazëllimit të nurit e hijeshisë i harmonisë. Edhe pse realiteti njihte puritanizmin të Naimit në lidhje me gjuhën, në poezi vërehet afeksioni poetik për modelet orientale gjë që bën që t’u japë një karakter eufemistik orientalizmave duke përcjellë dimensione estetike të kuptimeve të tyre. Trëndafili si përçues i mendimit e i frymëzimit mistik ndërton organizmat poetike në të cilat bëhet simbol i mbartjes së të fshehtës së përtej varrit, i komunikimit të botës reale me botën e përtejme. Këto janë lirika ku zhvillohen “përsiatjet rreth nomit të shndërrimit” (J.Bulo). Trëndafili shfaqet si lulja sipër varrit i cili sipas shqipëruesit të Tehajjulavet ndeshet dhe te Saadiu;

			Nga parajsa sot ti kthyer je sërish,

Kryet nxjerrë ke mes kopshtesh e stolish, Ti më vjen nga trupi dheu shpirt’ i ndritur

			I timi miku që në varr më është shtritur… 

Simbolika e trëndafilit përmban domethënien e shkrirjes së trupit me shpirtin, trëndafili bëhet përçues i ktonikes dhe hyjnores, vdekjes dhe ringjalljes; përmes zhdukjes, shkrirjes, pluhurosjes, baltës, dhe rilindjes sërish nga balta: Që të mbijë nga balta ime trëndafili

dhe nga eshtrat të dalë moj zymbyli.  

Zbritja në nivelin ktonik të semantikës së trëndafilit te Naimi mund të shërbejë për të krijuar analogji me poezinë popullore. Jo pak herë Naimi përqas bukurinë e vajzës me trëndafilin: Trëndafil i kuq me erë/E di vallë sa të dua. Estetizmi i së bukurës është prirja e përgjithshme e strukturave poetike popullore ku merr pjesë trëndafili si simbol. Ai shenjon bukurinë e vajzës në përgjithësi ,por dhe të djalit në mjaft raste duke krijuar marrëdhënie sematike opozicionale “ në mungesë”, në përftime të tilla:“Trëndafili i kuq”, “trëndafili i bardhë”, “ i hapur”, “i pahapur”, “ me gonxhe”, “ me vesë”, “me erë”, “ me gjemba, etj.

Në poezinë popullore ai shfaqet përgjithësisht në diadën poetike të lirikës perse , bilbil-trëndafil. Trashëgimia orientale e lirikës popullore e shoqëron trëndafilin me gjembin si simbol i dhimbjes,pashmangshmërisë së bashkëjetesës së ndjenjës me vuajtjen: 

S’ka drandofille pa ferrë/Bashkë me gonxhen gembin sille (që shkojnë paralelisht për nga kuptimi me vargjet e Saadiut: Se s’gjen hënë pa lëngatë/As dhe trëndafil pa gjemba. Ose në vargun:“është i mirë trëndafili, të mos ishte gjembi zuzar”...) Në poezinë popullore trëndafili shfaqet si peng dashurie, mesazher i ndjenjës:

	.	Ç’u ngrit lulja në mëngjes

Ç’i ra bashtës mes për mes Këput trëndafil me vesë Çi do trëndafilat/që t’ia japë bandillit. Në semantikën e pemës së dashurisë ai shfaqet në marrëdhënie sinonimike me borzilokun, karafilin, manushaqen, trëndafilin etj: Ty të mbolla rrallë Ti më mbive tok Trëndafil e borzilok… Simbolika e këtyre luleve modelon trëndafilishtën e poezisë popullore, e cila është kopshti i flladitjeve të moshës së dashurisë: Prit sa të këndojë bilbili Sa të çeli trëndafili Sa të çeli trëndelina Sa të të marrë erë linja Sa të çeli borziloku Sa të të marrë erë floku Sa të çeli manushaqja Sa të të marrë erë faqja.

Në strukturimin e vargjeve popullore trëndafili përbën fillesën dhe destinacionin e shfrimit lirik gjë që lidhet me konceptimin e figurës së të dashurës në përgjithësi. Si rrjedhim, ai bëhet pjesë strukturore në refrenet muzikore të këngëve. Poeti popullor e trajton në këtë mënyrë, në një formë konfidenciale marrëdhënien me të, marrëdhënie e cila të kujton, ngrohtësinë e lirikës perse. Por desakralizimi i simbolit,kthimi në simbol ktonik e individualizon formën e marrëdhënies konfidenciale si karakteristike për poezinë tonë. Në këtë optikë, në këngën popullore gjejmë vargje të tilla:

“Trëndafil mi more mendtë/ More trëndafil”..ose Trëndafil të porosita , ore trëndafil Mos u hap pa zbardhur dita Fshati ynë ka djema shumë Po mungojnë e të këpujnë Trëndafil ta bëra benë More trëndafil... etj. Trëndafili,në cilësinë e së bukurës në poezinë popullore përshkruhet në hijeshinë e çudinë e ndjenjës: Mbi leshkat e tua/ seç këndon bilbili nga sevdaja jote/ çeli trëndafili. Po të ngremë një paralel me Naimin është i dukshëm ndikimi i poezisë popullore te poeti i madh: Ti e mbolle trëndafilë, Të celet të lulëzohet, Të qoshnj etë zbukurohet, Ta përvëlonjë bilbilë ... Në një këngë tjetër popullore orientalizmat krijojnë struktura poetike me bazë aliteracione funksionale: Ra hëna , ndriti mexhiti E bukura sapo zbriti E bukura përmbi shoqe Posi trëndafil me gonxhe. Po të vihet re, bukuria konceptohet si cilësi hyjnore ( e zbritur nga lart) dhe trëndafili merret si kriter estetik krahasimtar për vetë atributin e tij të konceptuar si element hyjnor. Në një pjesë të theksuar të lirikave kryesisht qytetare ( të Shkodrës, Elbasanit,, Shqipërisë së Mesme në përgjithësi) përmes orientalizmave veçohet simbolika e tij si lule me madhështi e lidhur me formën e adhurimit si simbol i parajsës orientale. ... ti je guri i xhevahirit E gjith dynjaja n’hatër të ka.

Në poezinë popullore ndihet ndikimi i përfytyrimit poetik pers; trëndafilishta parajsore orientale nuk mungon dhe në poezinë popullore të këtyre zonave, që përmendëm por shfaqet kryesisht si sfond i ndjenjës dhe jo në formën e konceptimeve filozofike orientale Një lulishte me trëndafila Asht parajsa e vërtetë Ky asht vend që knojn bilbilat Hak ç’u dogj ashiku i shkretë! (Elbasan). Nëse do të ngrinim pyetjen se a ka kuptime të natyrës etike morale në simbolikën e trëndafilit në poezinë popullore përgjigjia do të kufizohej thjesht në vënien në dukje të një pjese të thjeshtëzuar të funksionit etik të këtij simboli.E thënë më hollësisht, kur ai vihet në rolin e figurës që shenjon pastërtinë morale,mirësinë,vlerën merr cilësi të karakterit etik e didaktik. Me një kontekst të tillë moral e estetik lidhet, psh, fjala e urtë popullore: Bën trëndafili ferrënë e ferra trëndafilë” e mbledhur nga G.Hahn qysh më 1854. Në funksione të tjera estetike e didaktike trëndafili simbolizon qetësimin prej vuajtjes,fashitjen e brengës,shërimin e plagës: Bilbil i mjeri bilbil Ma nep nji gem trandafil Ta baj melhem,ta banj fitil Varravet që më ka zembra.

Ky përveçim i semantikës së trëndafilit nuk është i përgjithshëm, por vërehet dhe në poezinë popullore të dasmës, në raportet e këngës dhe ritit të lidhura me qëllimin utilitar, harmoninë martesore duke u funksionalizuar simbolikisht në porosinë ndaj nuses. Në këtë kontekst, ndonjëherë vihet e gjithë trëndafilishta: Kur hyn nusja në magje Bie erë manushaqe Kur na fshin nusja shtëpinë Bie erë trëndelinë Kur na fshin nusja oborrë Me një trëndafil në dorë Ose në vargjet; Trëndafil ta bëra benë Me sheqer ta pish kafenë. (në formën e këshillës, porosisë, për harmoni në jetën martesore). Në ritet e dasmës trëndafili përdoret dhe si bimë e integruar në praktika simboliko-rituale p.sh, si element në ndërtimin e tendës së dasmës. (…Po tendën me ça e rrethojmë/E rrethojmë me maragjyla). Ndërsa, në momentin e hyrjes së nuses në shtëpinë e re ajo derdhte një sahan me ujë ku vihej një degë trëndafili).Trëndafilin e gjejmë dhe në përgatitjen e kurorave të martesës në një këngë arbëreshe:

.. E në krie trendafille

E në mest manustaqe Po në kënbë dij rodhustane Dune më bënë dij kurorë.. Trëndafili merr atributet e përjetësisë duke u integruar në simbolikën e kurorave të lidhjes martesore të cilat tek arbëreshet vendoseshin në krye të shtratit martesor e qëndronin aty deri në fund të jetës. Kjo simbolikë përcillet dhe në pjesëmarrjen e tij në ndërtimin e bajrakut të dasmës (te shamitë e nishanit të bajrakut vihej një degë trëndafili dhe borziloku). Fuqitë magjike janë cilësi që e përveçojnë trëndafilin si instrument ritual dhe në praktika të tjera (p.sh dhëndri i hiqte nuses duvakun në disa zona me një degë trëndafili). Më qartë konteksti ritual i përfshirjes së trëndafilit duket në vendosjen e tij dhe në ujin ritual të rruajtjes së dhëndrit, apo të larjes rituale të tij e të nuses. Duhet vënë në dukje fakti që larja rituale synonte sigurimin e pastërtisë së individëve, mbërritjen në nivelin sakral, të pastër. Në stukturën poetike përveçohet estetikisht “ekstrakti” purifikues, “uji i trëndafilit”: Mëngova me natë Vajta te burimi Lava syt’e zes Me ujë trëndafili. Asociacionet të shpien tek “uji i trëndafilit” në qelqin që mban e bukura në një rrëfenjë të Saadiut: …Nuk e di në e kishte trazuar me ujë trëndafili ose kishte pikuar ca sumbulla bukurie nga faqja e saj si trëndafili..” Në folklor është i pranishëm sinkretizmi midis përdorimit gjuhësor dhe poetik të trëndafilit si ndikim lindor. Ai përdoret dhe në vlerën e emrit të përveçëm në vargje (Hajde, Gjyle), të vlerës përcaktuese (“bukuri gjylistane”), madje dhe të hiperkarakterizimit (Trëndafili gjyle-gjyle/kur u hape kur u mbylle..). Puritanizmi gjuhësor dhe tërheqja poetike ndaj kodit lindor si dukuri që karakterizoi poetët dhe proceset letrare të Rilindjes nuk e penguan Naimin për t’i shpëtuar autocensurës gjuhësore ndaj orientalizmave dhe për t’i dhënë krahë lirisë dhe shkushtëzimit gjuhësor në ndjekjen e modelit lindor në poetikë duke përvetësuar kodin klasik pers. Në këtë proces një funksion rehabilitues në lidhje me përkthimin e Naimit nga persishtja ka kryer dhe leksiku i pasur i shqipëruesit të madh V. Buharaja. Mund të thuhet se në poezinë popullore orientalizmat ishin aktive dhe përkthimi i Gjylistanit nuk ndikoi në funksionalizimin e tyre të afirmuar prej kohërash në folklor. Por gjithsesi, për poezinë e kultivuar ato do të rilindnin nga fjalori i Buharasë i cili i çliroi nga një diskriminim gjuhësor i kushtëzuar nga vetë natyra e gjuhës dhe e proceseve jashtë saj. Ngarkesa estetike specifike e mjaft orientalizmave si nur, hir, xhevahir, sevda, manushaqe, bilbil, gonxhe, etj u funksionalizua prej Buharasë duke i shpëtuar nga konotacionet pejorative në një formë të papërsëritshme e të pamundshme për t’i zëvendësuar me fjalë me të njëjtën ngarkesë në shqip. Për pyetjen nëse trëndafili, simboli oriental i Saadiut ka hyrë në poezinë popullore nëpërmjet Naimit mund të thuhet që ky simbol ka hyrë paraprakisht në poezinë popullore e më pas në poezinë e kultivuar. Këtë e vërteton dhe fakti i ruajtjes së këtij simboli edhe tek arbëreshët e Greqisë (në këngët e mbledhura nga C.H.Reinhold më 1855 (Trantafile fletëgjorë/ eja të të puth njëherë ) ; në këngët e mbledhura nga G.Hahn më 1854,në “Studime Shqiptare”: As këndon, more birbil Ndë një degë trëndafil Thëllëzë krahëjeshil Del ndë penxhere si yll.. Përgjithësisht, mund të thuhet se simboli i trëndafilit në poezinë popullore paraqitet në kuptimin e shpërfaqur, në pjesën e dukshme, në funksionin estetik si shenjues i bukurisë,dashurisë, por e gjejmë më rrallë dhe në funksione të cilësisë etike e morale, në lidhjen e tij me të mirën, të virtytshmen, të pastrën, të moralshmen. Ndërsa sinkretizmin e filozofisë së ndriçimit, të etikës e didaktikës së thellësisë së mistikës perse të Saadiut nuk e gjejmë në trëndafilin e poezisë popullore për vetë natyrën e folklorit dhe thjeshtësinë e konceptimeve popullore. Ndërsa, në poezinë e Naimit mund të themi se ky simbol integrohet në konceptet estetike, filozofike e didaktike të poetit tonë të madh.[1]

Literaturë Redakto

Albana VELIAJ PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore Viti XII 2007 Nr. 1 (44) fq. 86-99 Botuesi : Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë.

Burimet Redakto

  1. ^ Ky eshte nje artikull nga studiuesja Albana Velianj , me titull "Simboli i trendafilit. Naimi, Saadiu dhe poezia popullore. " botuar ne Revistën shkencore – Kulturore tremujore "Perla" Viti XII 2007 Nr. 1 (44) fq. 86-99