Rrymat Politike dhe Protestat Shqiptare

Gjatë pranverës së vitit 1878, krahas hovit që mori lëvizja e protestës kundër Traktatit të Shën-Stefanit, ngadhënjeu edhe ideja për të kundërshtuar me armë vendimet që mund të merreshin në Kongresin e Berlinit në dëm të tërësisë tokësore të atdheut. Në këto rrethana, kërkesa për të formuar një lidhje të përgjithshme u bë mjaft popullore. Megjithatë forcat e ndryshme atdhetare të lëvizjes kombëtare nuk e konceptonin njësoj karakterin dhe programin që duhej të kishte kjo lidhje e përgjithshme. Qarqet atdhetare shqiptare, të përfaqësuara, në përgjithësi, nga Komiteti Kombëtar i Stambollit, që formuan grupimin ose, siç u quajt nga vëzhguesit e huaj të kohës, rrymën radikale, synonin të themelonin një lidhje shqiptare, e cila duhej të mobilizonte popullsinë e vendit në emër të të drejtave kombëtare të Shqipërisë dhe ta drejtonte atë në luftë për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut, duke kërkuar në të njëjtën kohë krijimin e një vilajeti autonom shqiptar ose, po ta lejonin rrethanat ndërkombëtare, të një shteti shqiptar autonom. Sipas udhëheqësve të kësaj rryme, lidhja shqiptare duhej përgatitur për të luftuar, në përshtatje me rrethanat që do të krijoheshin, jo vetëm kundër shteteve shoviniste fqinje, por edhe kundër Perandorisë Osmane. Një grupim ose rrymë e dytë në lëvizjen kombëtare ishte ai i të moderuarve, siç u cilësua po nga bashkëkohësit, që përfaqësohej nga personalitete të njohura atdhetare, si Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Abedin pashë Dinoja, Mahmud pashë Biçaku, Omer pashë Vrioni etj. Ashtu si radikalët, edhe të moderuarit kërkonin që lidhja e përgjithshme të kishte karakter kombëtar. Ata e pranonin në parim edhe idenë e një vilajeti të bashkuar autonom shqiptar, të pajisur me një autonomi administrative e kulturore. Por, ndryshe nga elementët radikalë të Komitetit të Stambollit, këta nuk e shikonin vilajetin e bashkuar shqiptar si një hallkë, si një shkallë për të shkuar më tej drejt një shteti të bashkuar e të pavarur shqiptar. Përveç kësaj, të moderuarit nuk ishin gjithashtu të prirur për t’iu kundërvënë Portës së Lartë. Ata shpresonin se vilajeti shqiptar mund të krijohej me pëlqimin e vetë sulltanit, të cilin, besonin se do ta bindnin, pasi, sipas tyre, krijimi i këtij vilajeti ishte në interesin e vetë Perandorisë Osmane.

Përgjithësisht qarqet e moderuara, duke pasur parasysh rrezikun e jashtëm, prireshin ta kufizonin lëvizjen vetëm me mbrojtjen e territoreve të kërcënuara, vetëm me luftën kundër copëtimit të vendit. Si rrjedhim, ata e përfytyronin besëlidhjen shqiptare jo si një front politik kombëtar të veshur me atribute shtetërore, por si një federim ose aleancë krahinash të krijuar vetëm për të luftuar bashkërisht kundër shovinistëve fqinjë.

Megjithatë, ndërmjet platformës së qarqeve radikale dhe platformës së të moderuarve kishte mjaft pika takimi, siç qe ajo e karakterit kombëtar shqiptar të lidhjes së përgjithshme dhe pranimi në parim i formimit të një vilajeti autonom shqiptar. Në situatën dramatike, që u krijua në pranverën e vitit 1878, këto pika të përbashkëta merrnin rëndësi të dorës së parë përballë pikëpamjeve të ndryshme që kishin ato për kohën e mënyrën se kur dhe si duhej të sendërtohej ky vilajet, të cilat mund të zgjidheshin pas formimit të lidhjes shqiptare. Në këto rrethana, u arrit bashkëpunimi i të dy rreshtimeve politike për formimin e një lidhjeje shqiptare me karakter kombëtar, që do të udhëhiqte luftën e popullit shqiptar kundër copëtimit territorial të atdheut dhe do të parashtronte nevojën e bashkimit administrativ të mbarë viseve shqiptare në një vilajet autonom shqiptar.

Jashtë këtyre dy grupimeve atdhetare, që përfaqësonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në jetën politike të Shqipërisë vepronte edhe një rreshtim i tretë sulltanist, i udhëhequr nga nëpunësit turkomanë të administratës së vilajeteve, nga elementë feudalë e klerikë turkomanë, të cilët e identifikonin veten me qarqet sunduese perandorake, anonin plotësisht nga vija politike e Portës së Lartë dhe i shërbenin asaj. Të interesuar për të kundërshtuar vendimet e Traktatit të Shën-Stefanit, edhe pasuesit e këtij grupimi u bashkuan me lëvizjen për organizimin e qëndresës së armatosur nëpërmjet “lidhjes” së përgjithshme, e cila duhej të vepronte sipas orientimeve të sulltanit. Ata nuk ishin për një lidhje shqiptare, por për një lidhje islamike, ku të merrnin pjesë të gjitha popullsitë myslimane të Gadishullit Ballkanik, pavarësisht nga kombësia e tyre, nga e cila, logjikisht, do të përjashtoheshin shqiptarët e krishterë, si ortodoksë, edhe katolikë. Veç kësaj, sulltanistët, siç u quajtën në atë kohë, nuk e pranonin as në parim idenë e një vilajeti shqiptar, sepse ky vilajet, sipas tyre, do t’i ndante shqiptarët myslimanë nga “vëllezërit” myslimanë të Gadishullit Ballkanik dhe të Perandorisë Osmane.

Këto qëndrime u kundërshtuan nga atdhetarët shqiptarë, radikalë e të moderuar, që nuk mund të pajtoheshin me platformën e qarqeve sulltaniste dhe në mënyrë të veçantë me idenë konservatore të një lidhjeje islamike, e cila po të krijohej do ta shuante emrin e Shqipërisë. Në të vërtetë, qarqet sulltaniste nuk kishin ndonjë mbështetje në shtresat e gjera të popullsisë shqiptare. Veprimtarinë e tyre e udhëhiqnin valinjtë e katër vilajeteve shqiptare, që zbatonin me besnikëri udhëzimet e Portës së Lartë. Megjithatë, ato luanin ende një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit, pasi kishin në dorë aparatin shtetëror - administratën, ushtrinë, xhandarmërinë, financat dhe mjetet e telekomunikacionit që lidhnin krahinat me njëra-tjetrën. E vetmja pikë që dukej sikur i afronte sulltanistët me qarqet atdhetare, ishte gatishmëria e tyre për të luftuar me rrugë jashtëqeveritare, kundër shkëputjes së zotërimeve perandorake në Ballkan, pra edhe kundër shkëputjes së trojeve shqiptare, ndonëse këtë luftë ata kërkonin ta zhvillonin nën flamurin islamik. Për të mos shkaktuar në atë çast kritik përçarjen e forcave politike të vendit, Komiteti i Stambollit dhe rrethet e tjera atdhetare të vendit iu shmangën përkohësisht luftës së hapur kundër qarqeve sulltaniste. Madje, duke u kapur pas gatishmërisë që tregonin këto qarqe për të luftuar kundër Traktatit të Shën-Stefanit, udhëheqësit atdhetarë mendonin se, me një punë të mëtejshme sqaruese, do ta tërhiqnin masën e tyre në platformën e lidhjes shqiptare.

Platformën e vet politike Komiteti i Stambollit e ngriti gjatë pranverës edhe në arenën ndërkombëtare. Qysh në muajin mars, kur përmbajtja e Traktatit të Shën-Stefanit ende nuk ishte shpallur, Pashko Vasa i paraqiti ambasadorit britanik në Stamboll një promemorje në emër të popullit shqiptar, në të cilën lufta kundër copëtimit territorial të Shqipërisë lidhej organikisht me kërkesën për autonominë e saj administrative. Shqiptarët, shkruante ai, nuk mund të kënaqen me administratën e kalbur osmane. Ata janë të bindur se Porta e Lartë, as nuk dëshiron dhe as nuk është në gjendje t’u japë atyre një administratë më të mirë se atë që u ka dhënë deri sot. Shqiptarët, theksonte patrioti rilindës, janë të vendosur t’i këputin të gjitha lidhjet që i bashkojnë me Turqinë dhe nuk duhet të përjashtohen nga ajo e drejtë që kanë popujt sllavë të Ballkanit për të formuar shtete të pavarura ose autonome. Megjithatë, përfundonte Pashko Vasa, shqiptarët kërkojnë një administratë autonome që t’u përgjigjet më shumë nevojave dhe traditave të tyre.

Një vend të veçantë në veprimtarinë politike që zhvilloi Komiteti i Stambollit gjatë pranverës së vitit 1878 zënë shkrimet e Abdyl Frashërit, të cilat ai i botoi në shtypin e huaj, brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane. Në një artikull të botuar në muajin prill në gazetën turke “Basiret” (Stamboll), ai i tërhiqte tërthorazi vëmendjen Portës së Lartë që të mos pranonte asnjë lëshim në kurriz të trojeve të Shqipërisë dhe t’u njihte shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare. Askush, pra, as Perandoria Osmane, shkruante kryetari i Komitetit të Stambollit, nuk ka të drejtë t’u japë të tjerëve tokat që u takojnë shqiptarëve. Duke evokuar luftën që zhvilluan shqiptarët në shek. XV kundër Perandorisë Osmane, Abdyl Frashëri u linte të nënkuptonin qeveritarëve të Stambollit se Shqipëria ishte gati të përsëriste epopenë e Skënderbeut, në rast se nuk do t’i njiheshin të drejtat e saj kombëtare.

Në një seri artikujsh të botuar gjatë prillit e majit në organin austriak “Messager de Vienne” (“Mesazher dë Vjenë”), Abdyl Frashëri argumentonte para opinionit publik evropian të drejtat politike që i takonin popullit shqiptar, si një nga kombet më të lashta të Evropës, me gjuhë, me territor, me kulturë, me ndërgjegje dhe me histori të përbashkët mijëravjeçare. Kombi shqiptar, nënvizon ai, nuk aspiron asgjë tjetër, veçse të jetojë i lirë, të dalë nga prapambetja dhe të zërë vendin që meriton në radhët e kombeve të qytetëruara të Evropës. Në rast se Fuqitë e Mëdha, theksonte Abdyli, do ta dënojnë këtë popull trim e liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet ndërmjet shteteve fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë asnjëherë së luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes dhe do të kthehet në një digë kundër ekspansionit carist, i cili rrezikon jo vetëm Gadishullin Ballkanik, por edhe Kontinentin Evropian.

Në të njëjtën kohë anëtarët e Komitetit të Stambollit e shtuan veprimtarinë e tyre politike edhe brenda në Shqipëri. Por këtu ata ndeshën në pengesat e qarqeve sulltaniste, të cilat, duke shfrytëzuar terrorin që po ushtronin organet ushtarake serbe-malazeze kundër shqiptarëve në veri dhe provokacionet që po kurdisnin agjentët shovinistë grekë në viset shqiptare jugore, përpiqeshin ta vështirësonin organizimin e popullit shqiptar në shkallë kombëtare dhe t’i nxisnin shqiptarët që të hidheshin në një luftë të parakohshme e të paorganizuar kundër shteteve fqinje.

Anëtarët e Komitetit të Stambollit dhe atdhetarët e tjerë i bënë ballë me sukses, në shumicën e krahinave të vendit, këtij presioni të qarqeve qeveritare e sulltaniste. Ata arritën të shmangnin konfliktet e parakohshme që ishin gati të shpërthenin, sidomos në veri, në sektorin shqiptaro-malazez. Me këtë rast Komiteti i Stambollit e shpalli edhe një herë publikisht platformën e vet. Me një proklamatë drejtuar më 30 maj 1878 popullit shqiptar dhe, për njoftim, opinionit ndërkombëtar, ai shprehte keqardhjen që në një çast aq kritik për Shqipërinë, vendi po u nënshtrohej sulmeve fatkeqe dhe persekutimeve të shëmtuara nga qeveria malazeze, serbe e greke, veçanërisht nga fqinjët malazez. Megjithatë, Komiteti i Stambollit, thuhej në proklamatë, e “konsideron të ngutshme nevojën për të ndalur një luftë midis dy popujve (shqiptarëve dhe malazezëve - shën. i aut.), të cilët kanë pasur mjaft raste ta matin fuqinë dhe trimërinë e tyre, dhe për të larguar kështu rreziqe të reja për paqen në Lindje”. Proklamata përfundonte: “Ne dëshirojmë nxehtësisht të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët tanë, Malin e Zi dhe Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Ne nuk kërkojmë, nuk dëshirojmë asgjë prej tyre, por jemi krejtësisht të vendosur të mbajmë me këmbëngulje çdo gjë që është jona. T’u lihet pra shqiptarëve toka shqiptare!”

Shqetësimi që pushtoi shqiptarët për fatin e atdheut, u shpreh me një lumë protestash, që shpërthyen gjatë muajve prill e maj 1878 nga të katër anët e vendit kundër Traktatit të Shën-Stefanit. Pothuajse në çdo qendër kazaje u zhvilluan mbledhje popullore, në të cilat u morën vendime për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare. Në shumicën e rasteve, në përfundim të këtyre mbledhjeve u hartuan protesta me shkrim drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilat shprehej vendosmëria e shqiptarëve për të mbrojtur deri në njeriun e fundit çdo pëllëmbë të tokës amtare. Funksionarët e admnistratës dhe përkrahësit e tyre sulltanistë ushtruan në këto mbledhje presion të fuqishëm për t’i detyruar pjesëmarrësit që t’i nënshkruanin protestat e tyre jo si banorë shqiptarë, por si nënshtetas islamikë të lidhur me Perandorinë Osmane. Por këto presione nuk dhanë rezultat. Në asnjë nga krahinat shqiptare, pjesëmarrësit e mbledhjeve nuk pranuan ta cilësonin veten e tyre si banorë islamikë. Në të gjitha aktet drejtuar Fuqive të Mëdha banorët myslimanë dhe të krishterë, protestonin si shqiptarë, si pjesëtarë të një kombi të vetëm. Madje, në shumë raste, pjesëmarrësit e mbledhjeve popullore hartuan peticione drejtuar Portës së Lartë, me anën e të cilave kërkonin reforma autonomiste për Shqipërinë.