Fisnikëria Redakto

Lindja dhe zhvillimi i fisnikërisë shqiptare të tokës u krye në kushte specifike nëpërmjet veprimit të shumë faktorëve kontradiktorë. Së pari, në kushtet kur vendi mbeti përgjatë gjithë kohës nën sundimin e perandorive e të mbretërive të huaja, kuptohet që procesi i rritjes së klasës feudale shqiptare mbartte kufizimet e veta drejt arritjes së një fizionomie të plotë nacionale të saj.

Larmia e gjerë e titujve të fisnikërisë që mbanin krerët shqiptarë tregon shkallën e ndikimit dhe të integrimit të mjaft prej tyre me sistemet e huaja shtetërore. Në hierarkinë shqiptare ndeshen sa tituj bizantinë (despot, sebastokrator, sebast, heteriark, protokathimen, kabalarios, qefali etj.), aq edhe tituj perëndimorë (kapiten, judex, miles, kastelan, mareskalk, protontin, admiral) e sllavë (zhupan, kasnec, vojvodë etj). Në fakt, mjaft fisnikë shqiptarë ishin të integruar në administratat e huaja, qendrore e provinciale, në atë masë saqë dobësoheshin lidhjet me mjediset e tyre. Qysh në fillimet e shek. XI ka dëshmi për fisnikë shqiptarë nga familjet Skurra, Arianiti etj., që ishin përfshirë në fisnikërinë e Mbretërisë së Sicilisë apo të Perandorisë Bizantine. Por kjo nuk do të thotë se shumica e aristokracisë shqiptare, ndonëse nën ndikim e tutelë të huaj, të mos orientohej ku më shpejt e ku më vonë drejt emancipimit të vet, siç e provoi në fund të fundit edhe krijimi i Principatës së Arbrit që në shek. XII, apo i principatave e formacioneve të tjera shtetërore shqiptare në shek. XIV-XV.

Karakteristikë e përbashkët është se vatrat e këtyre formacioneve ndodheshin thuajse gjithmonë larg qyteteve e kështjellave, ku qe përqendruar administrata e pushteti i huaj, qoftë ky bizantin, anzhuin apo serb. Familjet që ishin në krye të principatave të shekujve XII-XV, nga Skurrajt, Blinishtët, Jonimët, Arianitët, Topiajt, Gropajt, Muzakajt, Matrëngët, Buat etj., vinin kryesisht nga zonat malore. Pushteti i tyre mbështetej në lidhjet që këta krerë kishin me popullsinë e vendit, duke përfshirë edhe lidhjet e gjakut, në madhësinë e "fisit" e, për rrjedhojë, në numrin dhe në cilësinë e forcës së armatosur që këta krerë kishin mbas vetes. Kjo përbënte në thelb bazën e autoritetit të tyre. Sunduesit e radhës, bizantinët, anzhuinët apo serbët, detyroheshin t'i llogaritnin këta krerë, që zotëronin një potencial luftarak të konsiderueshëm. Ndaj kërkuan t'i tërhiqnin ata duke u njohur, në një farë mase, pushtetin e tyre mbi zonat respektive, duke u dhënë tituj e prona dhe duke i përfshirë kështu në sistemin e qeverisjes. Ky raport i pushteteve të huaja me aristokracinë shqiptare u shoqërua edhe me joshjen nëpërmjet dhënies së pronave dhe zhvendosjes së mjaft krerëve drejt viseve ku ndodheshin qendrat e pushtetit. Kështu, në shek. XIV, Skurrajt e malësisë së Tiranës ishin bërë zotër të një pjese të madhe të ultësirës, që për hir të tyre u quajt "Skurrje". Mjaft prej Skurrajve u vendosën në Durrës e u bënë qytetarë të tij. E njëjta gjë ndodhi me Muzakajt e malësisë së Oparit, të cilët po atë kohë shtinë në dorë një pjesë të mirë të ultësirës midis Beratit, Vlorës e Karavastasë, e cila për hir të tyre filloi të quhet "Muzakje" (Myzeqeja e sotme). Dhurimin e pronave apo të feudeve në zonat fushore, rreth e rrotull qendrave të mëdha, si në Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës, Vlorë, Vageneti, Janinë, Kolonjë, Devoll etj., krerët shqiptarë duhet ta shpërblenin duke u ofruar shërbimet e tyre, kryesisht shërbimin ushtarak, strategëve bizantinë apo mëkëmbësve e kështjellarëve anzhuinë. Kështu, qoftë në epokën bizantine, qoftë edhe në atë anzhuine, në kështjellat kryesore të Durrësit e Vlorës përmenden krerë të ndryshëm nga krahinat fqinje, të cilët qëndronin brenda mureve të kështjellave në fjalë për një periudhë të caktuar bashkë me suitën e tyre (familia). Atyre u besohej ruajtja e objekteve të veçanta, zakonisht e kullave përgjatë murit rrethues. Pjesën tjetër të vitit krerët feudalë e kalonin në zotërimet e tyre ku ndodhej banesa e fortifikuar (fortis domus), në të cilën ata strehoheshin bashkë me familjen e me njerëzit e tyre të armatosur. Sipas shtrirjes së zotërimeve të tyre, feudalët mund të kishin disa vendqëndrime të tilla të fortifikuara. Mjaft prej tyre kishin dhe rezidenca verore, ku kalonin muajt e nxehtë të vitit, si, p.sh. Balshajt në malësinë e Tivarit apo Muzakajt në atë të Skraparit. Që nga shek. XIII feudalët shqiptarë fillojnë të tërhiqen pas qyteteve të mëdha, si Durrësi, Shkodra, Ohri, Kosturi, Janina, ku kalonin një pjesë të kohës "për punë ose për t'u zbavitur" (pro suis factis vel pro placere). Shumë prej tyre blenë aty edhe banesa. Emrat e disa prej familjeve aristokrate të qyteteve tona, si Skurraj, Vranajt, Neshat në Durrës, Sumat e Spanët në Shkodër, flasin për një proces urbanizimi të aristokracisë së tokës në shek. XIII-XIV. Në kohën e emancipimit të plotë të tyre, në shek. XIV, mjaft krerë shqiptarë e shpërngulën selinë e tyre kryesore në qytetet e kështjellat e mëdha. Kështu, Topiajt kaluan nga Kruja në Durrës, Balshajt e vendosën rezidencën kryesore në Shkodër, Zahariajt në Drisht dhe Dejë, Dukagjinët në Lezhë, Gropajt në Ohër, Muzakajt në Berat, Shpatajt në Artë, e kështu me radhë. Vendqëndrimi i tyre në qytet ngrihej në pjesën mbizotëruese të tij (castrum), aty ku më parë qëndronte qeveritari bizantin, serb apo anzhuin. Ai formonte një sistem të fortifikuar të mëvetshëm brenda kështjellës, shpeshherë e ndarë prej saj me mure. Rezidenca e sundimtarit përfaqësohej nga banesa për të dhe për familjen, si dhe kazerma për gardën e tij të armatosur. Në të përfshiheshin depot e drithit e të armëve, pusi ose cisterna e ujit, farkëtaria e deri burgu i kështjellës, pra gjithçka që lejonte funksionimin e pavarur të kësaj pjese të qytetit në rast rrethimi. Zona rezidenciale e kështjellës përbënte në çdo rast pjesën më të mbrojtur të saj dhe bastionin e fundit të qëndresës në rast sulmi.

Objekte të rëndësishme ushtarake, siç ishin kullat përgjatë mureve rrethuese të qytetit, merreshin në mbrojtje nga njerëz të besuar të feudalit me trupat e tyre.

Veçoritë që karakterizuan zhvillimin e fisnikërisë shqiptare gjetën pasqyrim edhe në mënyrën e organizimit e të funksionimit të oborrit feudal e, në një kuptim më të gjerë, të formacioneve feudale shqiptare. Edhe këtu, ndikimi i traditës ishte mjaft i fuqishëm.

Nëse lihet mënjanë një shtrirje e kufizuar e territorit bregdetar shqiptar, ku në periudha të veçanta u ndie fort ndikimi i feudalizmit perëndimor, në përgjithësi në Shqipëri vepronte e drejta bizantine, por dhe kjo ishte efektive në viset fushore, pranë qendrave të mëdha administrative. Kjo e drejtë njihte si zot e pronar të vetëm shtetin, në personin e perandorit, ndërsa feudalët e veçantë s'ishin veçse përdorues të tokës, të cilën vetë perandori ua kalonte me dekret të veçantë, për një kohë të kufizuar dhe me kushte të përcaktuara, ndër të cilat shërbimi ushtarak në favor të perandorit përbënte kushtin kryesor. Ky qe thelbi i sistemit të pronies, që përbënte bazën e feudalizmit bizantin në shekujt XI-XIV. Kuptohet që një sistem i tillë, ndërsa krijonte një shtresë fisnikësh të lidhur me pushtetin qendror, i krijonte tej mase pengesa fuqizimit dhe emancipimit të tyre politik, për sa kohë ata nuk ishin pronarë me të drejta të plota të tokës së tyre. Në rast se proniari ose pasardhësi i tij nuk u përmbaheshin detyrimeve ndaj perandorit, përkatësisht detyrimit ushtarak, ata privoheshin nga pronia, e cila po me dekret perandorak (krysobullë) i jepej një personi tjetër. Rrjedhimisht, sistemi qe menduar i tillë që nuk nxiste fuqizimin e feudalëve të veçantë, qoftë nëpërmjet kufizimit e kushtëzimit të institucionit të trashëgimisë.

E drejta dhe jeta feudale në Shqipëri Redakto

Është e vërtetë se veprimi i së drejtës bizantine paraqitej i kufizuar në Shqipëri, qoftë për statusin e veçantë që kjo kishte në kuadrin e Perandorisë Bizantine, qoftë dhe për faktin se këtu, për kushtet e terrenit, kishte peshë deri vonë në shek. XIV prona e vogël e lirë e fshatarit. Kjo e fundit i nënshtrohej më së shumti veprimit të së drejtës tradicionale dokesore, e cila, nga ana e saj, nuk mungoi të ndikojë fuqishëm edhe në marrëdhëniet që ndërthurreshin përreth familjeve dhe oborreve feudale, aq më shumë që këto e kishin prejardhjen e tyre nga zona ku bashkësia fshatare dhe prona e vogël e lirë mbeteshin tipar mbizotërues i marrëdhënieve të pronës dhe i atyre shoqërore.

Një nga veçoritë thelbësore të së drejtës dhe praktikës dokesore shqiptare ishte ajo që kishte të bënte me institucionin e trashëgimisë. Në Shqipëri ishte zakoni që askush nga fëmijët meshkuj nuk përjashtohej nga e drejta e trashëgimisë. Një gjë e tillë pengonte përqendrimin dhe favorizonte copëzimin e vazhdueshëm të pronave. Ky copëzim pasqyrohej edhe në lëmin e autoritetit dhe të pushtetit. Qoftë familja fisnike e zakonshme, qoftë principatat e mëdha apo të vogla drejtoheshin në bazë të parimit të bashkëqeverisjes (konregjencës). Në fakt, institucioni i bashkëqeverisjes njihej dhe zbatohej sa në Bizant, aq edhe te popujt fqinjë të shqiptarëve. Por tek ata ky institucion realizohej nëpërmjet kooptimit në pushtet nga ana e babait sovran, e njërit prej bijve, zakonisht më të madhit, me qëllim trashëgimin e plotë e të pandarë të pushtetit. Përkundrazi, te shqiptarët si drejtimi i ekonomisë familjare, ashtu dhe qeverisja e shtetit (principatave) realizohej nëpërmjet bashkëpjesëmarrjes së të gjithë vëllezërve. Kështu, Principatën e Balshajve në gjysmën e dytë të shek. XIV e qeverisnin njëherësh tre vëllezërit, Strazimiri, Gjergji e Balsha II. Po atë kohë, Despotati shqiptar i Artës (Epirit) qeverisej nga vëllezërit Gjin e Sguro Bua Shpata. Vëllezërit Lekë e Pal qenë në krye të Dukagjinëve të Lezhës, në kohën kur tre vëllezërit, Gjin, Stojë e Teodor, drejtonin po ashtu Principatën e Muzakajve. Asnjë vendim që kishte të bënte me principatën nuk mund të merrej në një mënyrë të njëanshme nga njëri prej vëllezërve. Deri edhe kancelaria dhe vula zyrtare ishte e përbashkët.

Në planin praktik, secili nga vëllezërit sundimtarë merrej me administrimin dhe qeverisjen e një pjese të zotërimit feudal. Vëllait të madh, i cili gjithsesi gëzonte privilegjin e moshës, i takonte të drejtonte zotërimet tradicionale të familjes. Lidhjet e veçanta historike, njerëzore e shpirtërore që familja sundimtare kishte me to, e bënin këtë pjesë tradicionale të principatës elementin bazë e të qëndrueshëm të saj. Kështu në vitet 70 të shek. XIV, më i madhi i vëllezërve Muzaka, Gjini, administronte zotërimet e hershme të familjes në malësitë e Oparit, ndërkohë që të vëllezërit qeverisnin vendet më të buta e më të pasura të Myzeqesë e të fushës së Korçës e të Kosturit. Por fakti që në Opar e në viset përreth Muzakajt kishin fillimet e historisë së tyre, njerëzit më besnikë, vatrat dhe varret e hershme të tyre, e bënte këtë krahinë qendrën shpirtërore të principatës.

Gjithsesi, bashkadministrimi dhe bashkëqeverisja e zotërimit familjar apo e principatave sillte shpërqendrimin e copëzimin e pronës e të pushtetit, për rrjedhojë edhe dobësimin e tyre, aq më tepër që kjo ndarje nuk i shmangte, por përkundrazi i nxiste grindjet e rivalitetet. Nuk është e rastit që zotërimet feudale shqiptare njohën kulmet e zhvillimit kur në krye të tyre, për një arsye apo tjetrën, qëndroi vetëm një person. Kështu ndodhi me Balshajt në kohën e sundimit të Balshës II, me Topijat në kohën e princit Karl Topia, apo me Muzakajt në kohën e sundimit të gjatë të despotit Andrea II (1335-1371).

Krijimi i zotërimeve e i principatave të pavarura shqiptare në shek. XIV kurorëzoi një proces të gjatë zhvillimi, gjatë të cilit klasa feudale shqiptare fitoi gjithnjë e më shumë atribute e pavarësi ekonomike, politike e së fundi dhe ato gjyqësore. Sunduesit bizantinë, serbë etj., e mbajtën me fanatizëm deri në fund pushtetin gjyqësor, si tregues kryesor i sovranitetit. Proceset dhe çështjet gjyqësore zgjidheshin nga gjykatës të dërguar nga qendra dhe që vepronin në bazë të ligjeve të mishëruara në përmbledhjet zyrtare ligjore, siç qenë kodet bizantine ose "kodi i Stefan Dushanit". Megjithatë normat dhe praktikat dokesore në marrëdhëniet e përditshme ishin aq shumë të rrënjosura, saqë ato shpeshherë mbizotëronin mbi ligjet e shtetit.

Në marrëveshjet e nënshkruara me krerët shqiptarë dhe në privilegjet e lëshuara për bashkësitë shqiptare, perandorë të ndryshëm bizantinë, mbretër serbë e anzhuinë apo qeveritarë venecianë angazhoheshin të qeverisnin sipas "normave dhe dokeve të vjetra". Kjo përbënte një element të rëndësishëm të njohjes së autonomisë gjyqësore administrative të bashkësive e të njësive të caktuara lokale. Me rënien e perandorive ballkanike, siç qenë ajo bizantine dhe ajo serbe, edhe privilegji i gjykimit u kaloi feudalëve të veçantë, të cilët tashmë mund të gjykonin e të vendosnin për të gjitha çështjet civile e penale që lindnin në zotërimet e tyre (rationen et iustitiam in civilibus et criminalibus dare). Marrja në dorë e gjykimit të çështjeve gjyqësore në juridiksionin e vet, shënonte hapin e fundit të kthimit të fisnikëve shqiptarë në zotër të pavarur. Megjithatë pushteti gjyqësor i fisnikëve vazhdoi të kufizohej nga veprimi i së drejtës dokesore apo asaj kanonike. Kjo e fundit mbizotëronte sidomos në çështjet që kishin të bënin me martesën, me të drejtën e trashëgimisë etj. Mjaft çështje të tjera zgjidheshin në bazë të "kodit të nderit". Ky i fundit shprehej më së pari në fushën e betejës. "Kronika e Janinës" e shek. XIV na bën të ditur se luftëtarët e Gjin Bua Shpatës i sulmonin armiqtë me thirrjen kalorësiake "ruaju" për t'u dhënë atyre mundësinë që të mbroheshin. Kjo ishte normë e së drejtës dokesore. Sado të ashpër që tregoheshin gjatë luftimit, shqiptarët fitimtarë nuk hakmerreshin mbi të mundurit në mënyra të vrazhdëta, siç ndodhte me shumë popuj të huaj. Robërit e luftës nuk u nënshtroheshin ndëshkimeve e gjymtimeve trupore. Shumë-shumë, në shenjë zhburrërimi atyre u pritej mjekra. Shpesh robërit e luftës, sidomos kur qenë personalitete me emër, mbaheshin peng si mjet presioni ndaj kundërshtarit. Në mjaft raste, siç e donin praktikat e kohës, ata liroheshin kundrejt pagesës. Nuk mungonin edhe rastet kur një martesë në kohën e duhur kthente paqen midis familjeve rivale, siç ndodhi me Balshajt dhe Topiajt në vitet 60 të shek. XIV. Ndërkohë që çmonte trimërinë e fisnikërinë, qoftë edhe të kundërshtarit, morali shqiptar dënonte ashpër paburrërinë dhe tradhtinë. “Tradhtar” ishte sharja më e rëndë që mund t’i drejtohej dikujt. Më 1436 në Fano të Italisë u bë gjyqi i një shqiptari me emër Gjergj, i cili në zemërim e sipër kishte tentuar të vriste një banor vendas duke e thirrur atë “tradhtar”. Në statutet e Shkodrës kishte një dispozitë të veçantë për fyerjen me fjalën “tradhtar”. Kundravajtësit gjobiteshin me një shumë të jashtëzakonshme prej 500 hyperperësh, ndërkohë që prerja e mjekrës, e konsideruar edhe kjo fyerje e rëndë, dënohej me 50 hyperperë. Nga po të njëjtat statute mësohet se sharja “tradhtar” ishte mënyra më e mirë për të grishur dikë në dyluftim. Tradhtarët e frikacakët meritonin ndëshkimet më të rënda. Ky moral nuk bënte përjashtim as për bashkëpunëtorët më të afërt, as për njerëzit e familjes madje as dhe për njerëzit e fesë. Balshajt, Kastriotët, Dukagjinët, Muzakajt e të tjerë fisnikë shqiptarë nuk ngurronin t'i dënonin me burgim, madje dhe me vdekje, njerëzit e tyre, që në një moment të caktuar i kishin "tradhtuar ". Tradhtarëve gjithashtu u sekuestrohej pasuria.

Normat e së drejtës dokesore vepronin fort edhe në fushën e marrëdhënieve martesore, ndonëse këtu pretendonte të mbizotëronte e drejta kishtare (kanonike). Kurorëthyerja paguhej me jetë: një fisnik nga dera e Dukagjinëve nuk ngurroi të vrasë të dashurin e gruas së tij edhe pse ky ishte klerik i lartë. Në rast se një grua e martuar braktiste të shoqin, detyrën për ta gjetur dhe për ta risjellë e kishte sa burri i mashtruar, aq edhe "vëllazëria". Në vitin 1198 një fisnik nga Kolonja, Aleks Kapandriti, pasi kishte vrarë gruan e parë, u martua për së dyti me gruan e një arkondi nga Durrësi me emrin Bardh. Por nuk e gëzoi këtë martesë, sepse vëllai i kurorëthyeses e zuri e pasi i keqtrajtoi që të dy, ia dorëzoi përsëri të motrën burrit të parë.

Gjakmarrja dëshmohet që në atë kohë, vinte në luftë familje dhe bashkësi të tëra. Prej saj nuk shpëtonin as përfaqësuesit e elitës drejtuese. Kështu në vitin 1416 pas një vrasjeje, Balshajt kishin hyrë në gjak me bashkësinë e Hotëve. Në emër të "nderit" përziheshin në akte dhune e gjaku edhe vetë njerëzit e fesë. "Kronikat e zeza" të shekujve XII-XV japin raste jo të pakta, kur klerikë të thjeshtë e deri peshkopë e kryepeshkopë, bëheshin autorë ose viktimë krimesh për fyerje ose për çështje nderi.

Fuqia dhe pushteti i familjeve aristokrate shqiptare matej me madhësinë e cilësinë e zotërimeve të tyre, me sasinë e njerëzve që ata mund të armatosnin, por edhe me lidhjet dhe aleancat e tyre të jashtme. Këto të fundit ishte zakon të sanksionoheshin, përveçse me traktate e marrëveshje të përkohshme, edhe me lidhje familjare të qëndrueshme. Në shek. XIV të gjitha familjet fisnike shqiptare ishin të grupuara në aleanca të caktuara ushtarako-familjare. Kështu, nëpërmjet krushqive Muzakajt qenë lidhur në aleanca të qëndrueshme me Arianitët, Balshajt, Zenebishët, Gropajt e deri Dukagjinët e veriut. Po ashtu, përreth Balshajve në veri, apo Shpatajve në jug, qenë krijuar aleanca politiko-ushtarake, të cilat mbështeteshin edhe në lidhjet familjare. Roli i këtyre aleancave dilte në pah në rast se njëri nga pjesëtarët përfshihej në ndonjë konflikt ushtarak. Në atë rast, pjesëtarët e tjerë i gjendeshin në krah me forca e mjete. Kështu, në luftërat e shumta që pati me despotin serb të Janinës, Thoma Preljuboviçin, despoti i Artës, Gjin Bua Shpata, u ndihmua vazhdimisht nga dhëndri i tij, Gjon Zenebishi i Gjirokastrës. Po ashtu, në betejën e Kosturit më 1371 kundër Mark Krajleviçit, despotit Andrea Muzaka i shkuan në ndihmë Balshajt, Gropajt e të tjerë fisnikë, aleatë e familjarë të tij.

Lidhja familjare midis familjeve të mëdha, përveç anëve politike e ushtarake, përmbante edhe elementin ekonomik, për sa kohë që shoqërohej edhe me dhënien e feudeve në formë paje. Një gjë e tillë u jepte shkas fisnikëve të caktuar që në momente të përshtatshme të ngrinin pretendime mbi zotërimet e familjeve me të cilat kishin krushqi, sidomos kur këto binin në vështirësi dhe nuk ishin në gjendje t'u dilnin zot pronave të tyre. Në këtë rrugë, Gjon Muzaka pretendonte të ishte nga fundi i shek. XV, zot i ligjshëm sa i zotërimeve atërore, aq edhe i atyre të Zenebishëve, të Gropajve, të Balshajve (Vlorë), Arianit-Komnenëve etj. Nga ana e tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mëtonte se ishte trashëgimtar i ligjshëm i zotërimeve të Topiajve e të Balshajve dhe si për të theksuar këtë, i shtoi emblemës së familjes edhe simbolet e këtyre dy familjeve, luanin dhe yllin. Por zakonisht, pretendime të tilla mbi bazë trashëgimie mbi zotërimet e familjeve të tjera, realizoheshin nëpërmjet aneksimit me forcë të tyre.

Jo rrallë herë aleancat familjare shtriheshin edhe me familje fisnike e princore të huaja, gjë që sillte një rritje të veçantë prestigji dhe mbështetje të jashtme. Kështu, Gjon Zenebishi e kishte martuar një vajzë të tij me Petro Altavilën, pinjollin e dinastisë së famshme normane, që mbretëroi në Italinë e Jugut në shek. XI-XII. Po ashtu, Gjin Bue Shpata një vajzë të tij ia kishte dhënë fisnikut nga Firencja, Ezau Buondelmonte Açajuoli, që u bë despot i Janinës. Nga ana e tij konti Andre Topia u martua me një princeshë nga anzhuinët e Napolit. Kjo lidhje familjare me dinastinë frënge të anzhuinëve ndihmonte në forcimin e pozitave të jashtme por dhe të brendshme të Karl Topisë kundrejt rivalëve të tij. Jo pa arsye ai shfrytëzonte çdo rast, siç bën edhe në mbishkrimin ktitorial të manastirit të Shën Gjon Vladimirit të vitit 1381, për të vënë në dukje këto marrëdhënie të veçanta "gjaku" (eks haimatos) me anzhuinët. Në këtë kuadër ai i shtoi stemës së familjes Topia, që kishte në qendër figurën e luanit, edhe motivin e zambakut, simboli i anzhuinëve francezë.

Për konsolidimin e pushtetit të tyre, feudalët shqiptarë nuk nënvleftësonin edhe faktorët fetarë e kulturorë. Të shumtë qenë ata që, sipas koniunkturës politike, ndërruan edhe besimin. Duke lënë mënjanë konvertimin në masë të fisnikëve shqiptarë në fenë islame prej shek. XV, edhe më përpara shumë syresh bënë kapërcime nga besimi ortodoks në atë katolik e anasjelltas, për t'iu përshtatur rrethanave politike. Përmasa të mëdha mori veçanërisht në shek. XIV kalimi në katolicizëm i mjaft dyerve fisnike, siç qenë Balshajt, Matrëngët, Skurrajt, Muzakajt, Zahariajt e shumë të tjerë, që me këtë hap kërkonin para së gjithash të siguronin aleancën e fuqive katolike të Evropës të kryesuara nga Papati kundër rrezikut të ekspansionit serb në tokat shqiptare. Në këtë kuadër edhe mjaft pinjollë të familjeve Skurraj, Topiaj, Kamonaj, Matrënga, Muzakaj etj., mbushnin radhët e klerit dhe të urdhrave fetarë katolikë, siç qenë ai françeskan e dominikan. Kuptohet se mjaft prej tyre edhe pse veshën petkun e klerikut, vazhduan të merrnin pjesë gjallërisht në ngjarjet dhe në intrigat politike, duke mbrojtur interesa të caktuara. Peshkopët e Durrësit, p.sh., luajtën një rol të dorës së parë në fatet e qytetit. Sipas rastit, ata përgatitën kalimin e qytetit sa te Bizanti, aq tek anzhuinët, te venecianët e deri te Topiajt shqiptarë.

Në shek. XIII-XIV oborret e fisnikëve shqiptarë morën pamjen e plotë të qendrave të pushtetit, me funksione sa ushtarake, aq dhe civile. Përveç krerëve ushtarakë, aristokrati i fuqishëm mbante në kështjellën e vet një personel të tërë "civil" të përfaqësuar nga llogaritarë, intendentë, doganierë, gjykatës, ambasadorë, shkrues, kronikanë, arkitektë, piktorë, muzikantë etj. Person mjaft i afërt me fisnikun ishte kleriku i familjes, tek i cili ai dhe familja e tij merrte këshilla e mësime në punët e fesë, si dhe rrëfente "mëkatet" e tij. Por, përveç rolit të këshilltarit intim, kleriku në fjalë luante shpesh edhe rolin e mësuesit dhe të edukatorit për fëmijët e aristokratit, atë të një sekretari e ambasadori të posaçëm për misione delikate, të shkruesit, të kronistit etj. Futja në çështjet më intime të shtetit dhe të familjes së fisnikut i bënte këta klerikë persona me pushtet të jashtëzakonshëm, por edhe të ekspozuar ndaj zemërimit të padronëve të tyre. Karakteri i rezervuar dhe i përvuajtur bënte që klerikët në fjalë ta kryenin besnikërisht detyrën e njeriut të besuar të fisnikut. Por ndodhte edhe që për një fjalë apo një gjest të pamatur, që binte ndesh me natyrën e rezervuar të detyrës së tyre, edhe kleriku "i familjes" ta pësonte keq, siç e pësoi më 1408 murgu Theodotir, sekretar e këshilltar i Teodor Muzakës së Beratit, të cilin, s'dihet se për ç'mëkat, i zoti i tij e mbylli me pranga në burgun e kështjellës së Skraparit.

Aristokratët shqiptarë ndërhynin deri te Papa ose Patriku për t'i emëruar këta klerikë të oborrit peshkopë e kryepeshkopë në krahina, ku fisnikët në fjalë synonin të shtrinin ndikimin dhe kontrollin e tyre. Në dokumentet e shek. XIII-XIV bëhet fjalë vazhdimisht për prelatë të tillë, të cilët ishin vënë në krye të dioqezave nën presionin e pushtetit laik (per potentiam laicalem). Me ndërhyrjen dhe rekomandimin e krerëve shqiptarë, një klerik shqiptar, murgu dominikan Domenik Topia, arriti të bëhet rreth vitit 1340, këshilltar e kapelan i mbretit të Napolit, Robertit I Anzhu.

Fuqizimi ekonomik e politik i fisnikëve nga shek. XIII, bëri që të rritej edhe funksioni i tyre shoqëror. Ata filluan të merrnin përsipër veprimtari të tilla me interes të përgjithshëm, si ndërtime kishash e manastiresh, hapje e meremetime rrugësh, ndërtim veprash me karakter mbrojtës, veçanërisht në dobi të qyteteve e manastireve të mëdha. Oborret e aristokratëve të tillë të mëdhenj, si Balshët, Topiajt, Arianitët etj., filluan të konkurrojnë shkronjëtoret (skriptoria) e manastireve për sa i përket realizimit të kodikëve e dorëshkrimeve të çmuara, me të cilat merreshin mjeshtër të kualifikuar që pajtoheshin nga qytetet e zhvilluara të Shqipërisë ose edhe nga vende të tjera. Për t'u lënë pasardhësve kujtimin e tyre dhe të familjeve të tyre, fisnikët shqiptarë morën zakonin të porosisnin shkrimin e kronikave e gjenealogjive, apo bërjen e portreteve të tyre në pikturë (afreske e miniaturë) nëpër fasadat e kishave ose në faqet e dorëshkrimeve.

Aristokratët linin porosi të varroseshin në kisha ose në manastire të ngritura nga ata vetë apo nga paraardhësit e tyre. Varret, shpeshherë monumentale, shoqëroheshin gjithnjë nga mbishkrime të pikturuara ose të gdhendura, që thuajse gjithnjë i thurrnin lavd përshpirtmërisë së të vdekurit. Këtë zakon e ruajtën edhe shumë nga fisnikët shqiptarë të emigruar në Itali pas pushtimit të vendit nga osmanët. Në këto mbishkrime thuajse asnjëherë nuk harrohet të shënohet atdheu i të vdekurve, si dhe rrethanat që detyruan largimin e tyre nga Shqipëria.

Mjaft nga këto sjellje dhe praktika të fisnikëve shqiptarë u përftuan pas kontaktit me qytetet, sidomos me ato të bregdetit perëndimor. Këtu këta blenë prona, shtëpi, troje dhe lidhën kontrata me tregtarë vendas për import-eksport mallrash. Mjaft prej tyre qëndronin një pjesë të vitit në qytet për të ndjekur vetë veprimtaritë ekonomike. Por shpeshherë qyteti ishte për ta edhe një vend zbavitjeje. Kishte edhe të tillë që vizitonin, për qëllime pune apo argëtimi, edhe qytetet e Italisë e të Dalmacisë. Krushqitë dhe miqësitë, që thurrnin aristokratët e tokës me familje të patriciatit qytetar, i bënin edhe më të ngushta lidhjet me qytetin. Mjaft pinjollë familjesh fisnike u vendosën përfundimisht në qytet dhe me kalimin e kohës me ta ndodhi dukuria e asimilimit shoqëror e kulturor dhe shkrirja e tyre në rrethin e aristokracisë qytetare.kasem ia keni fut kot !!!

Kleri dhe roli i tij në jetën shoqërore e politike Redakto

Në institucionet kishtare të shpërndara në të gjithë vendin vepronin klerikë shqiptarë të të gjitha niveleve. Për nga prejardhja dhe nga formimi këta përbënin një masë tepër heterogjene.

Klerikët e niveleve të ulëta, famulltarë, murgj, dhjakë etj., rekrutoheshin nga shtresat e vobekta të popullsisë. Për shumë prej tyre, shërbimi fetar ishte veç të tjerash një mjet jetese. Megjithatë futja në karrierën fetare nuk e zgjidhte gjithmonë problemin e ekzistencës. Burimet historike përmendin priftërinj shqiptarë të katandisur në gjendjen e lypësit, që shpeshherë detyroheshin të braktisnin vendin e tyre e të kërkonin fatin e tyre gjetkë. Në shekujt XIII-XV Raguza e qytetet e tjera dalmatine buisnin nga klerikë të thjeshtë shqiptarë të ardhur nga Drishti, Baleci, Deja etj. Një pjesë e tyre arrinte të gjente njëfarë sistemimi në kishat e manastiret e këtyre qyteteve. Të tjerë detyroheshin të merreshin me veprimtari jashtëkishtare, si tregti, artizanat etj. Nuk mungojnë të dhënat edhe për ngatërrimin e tyre në akte kriminale.

Klerikët e lartë, në të kundërtën, si rregull vinin nga radhët e aristokracisë së tokës dhe të qytetit. Nga një familje e shquar qytetare durrsake rridhte kryepeshkopi Kostandin Kabasilla që, aty nga mesi i shek. XIII, ishte në krye të kishës ortodokse të Durrësit e më tej të asaj të Ohrit. Dominik Topia, vëlla i kontit Tanush Topia nga Arbri, bëri një karrierë të shquar në Urdhrin Dominikan. Në shek. XIV-XV vetëm qyteti i Lezhës pati një sërë peshkopësh nga dyert Suma, Jonima e Kamona. Bujarë të tjerë nga familjet Dushmani, Zaharia, Skurra drejtuan selitë peshkopale të Pultit, Sapës, Krujës, Stefaniakës. Më 1422 Pjetër Spani nga Drishti emërohet kryepeshkop i Tivarit, ndërsa vite më vonë, drishtiani tjetër Pal Engjëlli ishte kryepeshkop i Durrësit.

Formimi i klerikëve të rinj bëhej në shkollat fetare që funksiononin pranë kishave katedrale ose pranë manastireve të mëdha në Durrës, Tivar, Shkodër, Ohër, Drisht, Berat, Mesopotam etj. Këtu merreshin njohuritë doktrinare e teologjike më të domosdoshme për t’iu kushtuar profesionit të priftit ose të murgut. Për shumë klerikë shqiptarë periudha e formimit vazhdonte edhe më tej, me ndjekjen e shkollave më të larta në vende të tjera. Për klerikët ortodoksë ishin mjaft të parapëlqyera manastiret e mëdha të Thesalisë (Stagoi, Meteorët) apo ato të Malit i Shenjtë (Lavra, Hilandari). Klerikët katolikë nga ana e tyre frekuentonin institucione të njohura në Dalmaci e në Itali. Mjaft prej këtyre klerikëve që i konsolidonin njohuritë e tyre jashtë, arritën të zënë poste të rëndësishme kishtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Kështu, p.sh., rreth vitit 1250, Nikolla nga Durrësi, u tërhoq nga papa Inocenti IV në Dhomën Apostolike me detyrën e sekretarit e më tej u emërua prej tij peshkop i Krotonës. Një tjetër klerik katolik nga Durrësi, Andrea, u emërua më 1379 Provincial i Urdhrit Dominikan; Dominik Topia, nga familja e njohur e bujarëve të Arbrit, ishte për mjaft vjet kapelan personal i mbretit Robert Anzhu të Napolit e më 1345 vepronte si mëkëmbës i përgjithshëm i Urdhrit Dominikan për Dalmacinë e për Durrësin.

Edhe më i madh qe numri i klerikëve të thjeshtë katolikë që qenë sistemuar në vende të tjera, kryesisht në Itali e Dalmaci. Veçanërisht i lartë ishte numri i klerikëve shqiptarë në qytetin e Raguzës. Ata vinin kryesisht nga Drishti, Ulqini, Pulti, Tivari, Baleci e nga Durrësi. Në vitin 1374 kuvendi i fretërve dominikanë në Raguzë ishte thuajse plotësisht me murgj shqiptarë.

Anasjelltas, edhe në Shqipëri gjendeshin me shumicë klerikë të huaj. Duke e quajtur Shqipërinë një zonë tepër delikate të konfrontimit me ortodoksinë bizantine, Papati dërgoi këtu, që me krijimin e tyre në shek. XIII, misionarë të urdhrave dominikanë e françeskanë, që u bënë propagandistë të vijës së parë të çështjes katolike në Lindje. Pjesëtarët e këtyre dy urdhrave u vunë deri në krye të peshkopatave e kryepeshkopatave shqiptare, siç qenë kryepeshkopët e Tivarit, françeskani Giovanni de Plano Kaprino (1249-1252), dominikani Guljemi i Adës (1324-1344) ose françeskani tjetër, Antoni II, kryepeshkop i Durrësit (1269-1316).

Duke përjashtuar rastet kur emërimi bëhej drejtpërsëdrejti nga Selia e Shenjtë, krerët e dioqezave katolike në Shqipëri, përkatësisht kryepeshkopët e Durrësit e të Tivarit, zakonisht zgjidheshin nga këshilli i klerit (capitulum) që mblidhej në kishën katedrale të qytetit. Të njëjtën procedurë ndiqte edhe zgjedhja e arkidhjakut. Në Durrës arkidhjaku kryente funksionet e kryepeshkopit, kur posti i tij qe i zbrazët. Në çdo rast, për kryepeshkopët e porsazgjedhur ishte i detyrueshëm shugurimi (consacratio) nga Papa i Romës. Ky bëhej gjatë një ceremonie solemne, gjatë së cilës të dërguarit e Papës, në prani të klerit e të popullit të qytetit, i dorëzonin kryepeshkopit të ri tunikën (pallium).

Emërimi i peshkopëve bëhej nga kryepeshkopët e dioqezës përkatëse. Në çdo rast, konfirmimi i Selisë së Shenjtë ishte edhe këtu i domosdoshëm. Vetëm njëra ndër peshkopatat shqiptare, ajo e Arbrit, fitoi aty nga fundi i shek. XII statusin e veçantë të sufraganes së drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë. Peshkopi i saj emërohej e shkarkohej drejtpërdrejt nga Papa. Këtë status e fitoi në gjysmën e dytë të shek. XV edhe peshkopata e Drishtit, që kishte konflikte të ashpra me kryepeshkopatën e Tivarit.

Sidoqoftë emërimi i klerit të lartë në Shqipëri mbeti një çështje ku përplaseshin interesa e kompetenca të ndryshme, gjë që shkaktoi konflikte të herëpashershme midis përfaqësuesve të hierarkisë kishtare në Shqipëri, si dhe midis këtyre e Papatit.

Në çështjen e emërimit të klerit përzihej shpesh edhe pushteti laik, gjë që e ndërlikonte akoma më tepër problemin. Zakonisht pas konfirmimit formal nga ana e Papës apo e Patriarkut të Kostandinopojës, këta u dërgonin “letra rekomandimi” pushtetarëve lokalë, me të cilat i lutnin të ndihmonin prelatët e rinj në ushtrimin e funksioneve të tyre. Por sundimtarët lokalë shpesh pretendonin të kishin dorë të lirë edhe në çështjet kishtare, përsa u përket zotërimeve të veta. Në gjysmën e parë të shek. XIII, papa Grigori IX ankohej se në dioqezat katolike të Shqipërisë së Veriut nën juridiksionin e kryepeshkopatës së Tivarit, “ofiqet kishtare shpërndaheshin nga pushtetarë laikë”. Po atë kohë patriarku i kishës ortodokse, Manueli, protestonte ndaj despotëve të Epirit për emërimet e paligjshme të peshkopëve të rinj në selitë e Durrësit, Ohrit, Kaninës, Gjirokastrës e të Janinës. Problemi u bë më i mprehtë pas shek. XIV, kur pushteti i princërve dhe i feudalëve shqiptarë u forcua së tepërmi. Në vitet 70 të atij shekulli, Gjergj Balsha shkarkoi peshkopët e një sërë qendrave në zotërimet e tij dhe emëroi aty njerëzit e vet, pa përfillur protestat e papës Grigori IX. Në të njëjtën mënyrë vepronin me klerikët e tyre edhe fisnikë të tjerë shqiptarë, si Dukagjinët, Topiajt e Shpatajt.

Me gjithë përkushtimin fetar, që përgjithësisht karakterizonte klerin shqiptar, ai nuk mbeti i paprekur nga dukuri që përbënin një largim e shkelje nga normat e kishës e nga morali kristian. Në koncilin e Tivarit, në vitin 1199, disa nga këto shkelje, si shitblerja e ofiqeve kishtare (simonia), martesa e klerikëve (konkubinati), përvetësimi i të dhjetave, u stigmatizuan fort nga përfaqësuesit e papa Inocentit III. Megjithatë “reformimi i sjelljeve dhe i zakoneve të klerit katolik shqiptar” mbeti një problem i pazgjidhur për Selinë e Shenjtë.

Situata nuk ndryshonte shumë përsa i përket klerit ortodoks. Edhe te ky ndodhnin shpesh shkelje flagrante të moralit kristian dhe të statusit të klerikut. Kështu, në vitin 1160 Sinodi i Shenjtë në Konstandinopojë u mblodh për të gjykuar rastin e një murgu shqiptar, me emrin Muzaka, që jetonte i martuar dhe që qarkullonte gjithnjë i armatosur. Në vitin 1305 në kryeqytetin e Perandorisë Bizantine u bë i njohur për bëmat e tij një tjetër klerik shqiptar, Gjon Trimi, që fillimisht arriti të fitonte miqësinë e perandorit Andronik II Paleologu, por më vonë organizoi kundër tij një kryengritje, ku u implikuan edhe bashkatdhetarë të tjerë të tij, me pozitë në administratën qendrore bizantine. I tillë qe epistrati Muzaka dhe një fisnik tjetër me emrin Matrënga. Historiani bizantin bashkëkohës, Niqifor Gregora, e përshkruan murgun Gjon Trimi si një tribun popullor, që i hipur mbi një karro dhe me shpatë zhveshur thërriste popullin e Konstandinopojës në kryengritje.

Figura e klerikut-luftëtar është një figurë tipike e mjedisit shqiptar, që ndeshet gjatë gjithë mesjetës. Barleci rrëfen se mbrojtjen e kështjellës së Sfetigradit më 1448 e drejtonte një murg nga abacia e Shën Lleshit në Mat. Në fillim të shek. XIV peshkopi i Krujës, Andrea, qe në ballë të organizimit të qëndresës së fisnikërisë shqiptare kundër pushtimit serb.

Përveç ushtrimit të armëve, që gjithsesi gjykohej si amoral nga ana e kishës, klerikët shqiptarë përfshiheshin edhe në veprimtari të tjera jofetare, që me kohë u bënë atribut i njerëzve të fesë. Fjala është në radhë të parë për përfaqësimin diplomatik të pushtetit laik, një fushë kjo ku çmoheshin shumë cilësi të tilla si erudicioni, inteligjenca, përmbajtja, gjakftohtësia, besueshmëria, që ishin karakteristike për njerëzit e fesë. Ndaj ishte e kuptueshme që, në shek. XIV, të gjithë princërit e sundimtarët shqiptarë ua besonin misionet delikate diplomatike brenda dhe jashtë vendit peshkopëve të dioqezave të tyre. Të tilla misione kryen për Balshajt peshkopët e Shkodrës, Tivarit e të Drishtit, për Zahariajt peshkopi i Shasit, për Dukagjinët peshkopi i Lezhës, për Topiajt peshkopi i Durrësit, për Komnenë Balshën e Vlorës peshkopi i Arbrit, për Shpatajt peshkopi i Janinës etj. Vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ua ngarkonte misionet diplomatike në oborret e Evropës klerikëve të besuar, sidomos mikut të afërt të tij, kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit. Shërbimet e klerikëve shqiptarë i vlerësonin si të çmuara edhe mbretërit serbë, anzhuinë apo qeveritarët venecianë, që i mbanin ata vazhdimisht pranë vetes në cilësinë e këshilltarit ose të emisarit për çështjet shqiptare.

Klerikët shërbenin gjithashtu si noterë, shkrues ose përkthyes në qytete e në oborret e princërve shqiptarë. Aktivitete të tilla si ai i mësuesit (preceptorit), i mjekut, i mjeshtrit piktor e skulptor plotësojnë rrethin e veprimtarive shoqërore, jashtëfetare të klerit shqiptar. Vlen të përmendet roli i madh i klerit jo vetëm si krijues vlerash kulturore, por dhe si ruajtës i tyre. Kishat e manastiret u bënë vendet ku u shkruan, u kopjuan dhe u ruajtën në shekuj jo vetëm tekste fetare filozofike e letrare, por edhe kronika të gjalla të historisë së popullit. Ruajtja dhe transmetimi i tyre kërkoi shpeshherë sakrificat e vetëmohimin e klerit të thjeshtë. Në një shënim të vitit 1356, në një kodik të Beratit, përshkruhet vetëmohimi i priftit Theodul, i cili, gjatë rrethimit të qytetit nga serbët, transportoi në krahë në një vend të sigurt bibliotekën e manastirit të Shën Gjergjit për ta shpëtuar nga djegia e sigurt. Të njëjtën gjë bëri, më 1399, igumeni i manastirit të Shën Kollit në Perondi, Danaili, i cili nxori bibliotekën e pasur të manastirit e ia dorëzoi për ta ruajtur fisnikut Teodor Muzaka.

Ndjenja fetare te shqiptarët Redakto

Gjithçka flet për atë që feja dhe ndjenjat fetare qenë rrënjosur dhe qenë pjesë e pandarë e jetës dhe e ekzistencës. Por duke folur për ndjenjën fetare (besimin) të shqiptarëve në mesjetë, duhet thënë se ajo trashëgoi edhe një dozë të madhe të besimeve e riteve tradicionale pagane, gjë që i jepte asaj edhe tipare specifike. Rite të tilla shoqëronin çdo aspekt të jetës: lindjen, vdekjen, punën, martesën, madje ato kishin depërtuar edhe në vetë kultin e shenjtorëve të krishterë. Kështu, kulti i Shën Gjergjit, i Shën Ilias, i Shën Martinit, i Shën Nikollës, i Shën Vlashit etj., ishin të mpleksur me plot motive pagane. Të tillë shenjtorë, më tepër se simbole të krishtera, nderoheshin e festoheshin si luftëtarë kundër së keqes, mbrojtës të njerëzve e të bagëtive, begatues të tokës, shërues të sëmundjeve, pra, njëlloj siç ishin nderuar perënditë pagane të lashtësisë. Në jetën e përditshme vazhdonin të kryheshin praktika pagane, siç ishte ajo e flijimit, e therjes së një kafshe, sa herë që ndërtohej një shtëpi, një urë apo një kështjellë. Akti i flijimit shpeshherë bëhej nga dora e një prifti. Shqiptarët i besonin Zotit të të krishterëve, por njëherësh tregonin nderim e frikë edhe ndaj “zotave” të tjerë, demonëve, shpirtrave të këqinj, zanave, vitores (gjarprit mbrojtës të shtëpisë e të familjes), hajmalive etj., etj. Gjithë kjo trashëgimi pagane në besimin e shqiptarëve shihej me sy të keq dhe luftohej nga kisha zyrtare. Në fakt këto i jepnin krishterimit shqiptar tiparet e një krishterimi popullor, jodoktrinor, dhe si të tillë e bënin të prekshëm nga lëvizjet kontestuese (herezitë), që trondisnin herë pas here kishën zyrtare. Një ndër këto herezi, që njohu përhapje të gjerë në Shqipëri nga shek. X dhe që aty-këtu mbijetoi deri në shek. XIV, është ajo e bogomilizmit, e quajtur kështu prej priftit bullgar Bogomil, që njihet si frymëzuesi i saj. Bogomilizmi, si çdo lëvizje dualiste, e quante botën të ndërtuar mbi bazën e dy parimeve: të së mirës dhe të së keqes. E mira përmblidhte botën shpirtërore, kurse e keqja identifikohej me natyrën e pasurinë. Në këtë të dytën përkrahësit e bogomilizmit përfshinin edhe institucionet e shtetit dhe të kishës, simbole të pushtetit, dhunës e të pasurisë, krijesa të Satanait. Kështu, idetë bogomile e kapërcenin kuadrin e një disidence të thjeshtë fetare dhe merrnin formën e lëvizjeve të vërteta shoqërore. Kjo shpjegon masivitetin e jashtëzakonshëm që njohu bogomilizmi, si dhe ashpërsinë me të cilën perandorët bizantinë u përpoqën ta mbytnin këtë lëvizje.

Në Shqipëri “herezia” bogomile pati një përhapje mjaft të gjerë dhe këtu ishte një nga vatrat kryesore të saj. Domethënës është fakti se i pari shqiptar, që na përcillet me emër tipik kombëtar nga burimet mesjetare, është një farë Leka, drejtues rreth vitit 1070 i një lëvizjeje bogomile në rrethet e Sofjes, ku ai kishte shërbyer deri atëherë si funksionar bizantin. Shqipëria ishte gjithashtu një nga vatrat, nga ku herezia bogomile u përhap drejt Italisë. Në shek. XIII përkrahësit e bogomilit (patarinët) kishin krijuar në Itali një kishë të tyre, në opozitë me Romën, e cila në disa vende të Italisë së Veriut quhej “kisha shqiptare” (ecclesia Albanensis), duke treguar kështu vendin e origjinës nga ku kjo herezi kishte ardhur në Itali.

Problemi i devocionit dhe i ndjenjave fetare te shqiptarët është po aq i ndërlikuar si dhe vetë problemi i fesë dhe i kishës. Është e vërtetë se burimet historike nuk mungojnë të shënojnë herë-herë mungesën e pasionit fetar, shfaqje të sinkretizmit apo raste të shkeljeve flagrante të normave e të moralit të kishës jo vetëm nga laikët, por dhe nga vetë klerikët. Ndërkaq më shumë ato dëshmojnë për të kundërtën, për përshpirtshmërinë e devocionin fetar të tyre. Në këtë kuadër është një tregues vetë numri i madh i kishave dhe i institucioneve të tjera fetare, të ndërtuara prej sundimtarëve vendas dhe shtetasve të tyre. Pothuaj të gjitha familjet fisnike shqiptare u dalluan në ndërtime të këtij lloji. Kështu, me emrin e Skurrajve lidhet kisha e Shën Mërisë së Brrarit (1201) ose ajo e Shën Klementit në Ohër (1295). Kjo e fundit u ristrukturua vite më vonë nga fisniku tjetër shqiptar, Andrea Gropa. Muzakajt e Beratit ndërtuan një sërë faltoresh, si p.sh., kishën e Shën Mërisë së Oparit dhe atë të Shën Thanasit në Kostur (1385). Një ndërtim i Topiajve është manastiri i Shën Gjon Vladimirit afër Elbasanit (1381). Kisha e Shën Mërisë në ishullin e vogël të Maligradit, që ruhet mjaft mirë edhe sot, në Liqenin e Prespës, u ndërtua në vitin 1369 nga një sundimtar i vogël lokal, Qesar Novaku. Si themelues kishash përmenden gjithashtu fisnikë nga familjet Dukagjini, Balsha, Zaharia etj. Të gjithë këta, bashkë me dhuratat, u njihnin kishave të tyre të drejta e privilegje të ndryshme. Portretet e ktitorëve (themeluesve) të kishave të tilla paraqiteshin në afresket që zbukuronin muret e tyre. Dokumente testamentare të klerikëve e të laikëve, qofshin këta fisnikë apo njerëz të thjeshtë, tregojnë se në shumë raste këta ua linin trashëgim pasuritë e tundshme apo të patundshme, pjesërisht ose tërësisht, institucioneve fetare.

Braktisja e jetës mondane është një tjetër tregues i ndjenjave fetare të shqiptarëve në mesjetë. Pasioni fetar i shtyu shumë njerëz të thjeshtë të zgjedhin jetën e heremitit apo të murgut, kushtuar tërësisht lutjeve dhe përsosjes morale nëpërmjet asketizmit. Në shek. XIV murgu Nifon nga Lukova u mbyll në një manastir në malin i Shenjtë, ku u shqua aq shumë për përshpirtshmërinë e tij, saqë u kanonizua e u shpall shenjt nga kisha ortodokse bizantine. Ashtu si Nifoni, në manastiret e Malit të Shenjtë apo të Thesalisë kishte edhe shumë murgj të tjerë shqiptarë. Jetës monastike iu përkushtuan edhe pinjollë të familjeve fisnike, siç ishte rasti i Reposhit, vëllait të Skënderbeut, që u mbyll në një manastir të malit i Shenjtë. Një shprehje kolektive e devocionit fetar qenë edhe pelegrinazhet në vendet e shenjta. I tillë qe për shqiptarët e Dioklesë (Gentës) manastiri i Shën Mërisë i Rotecit, afër Tivarit, apo ai i Shirgjit, në derdhjen e Bunës. Manastiri i Shën Mërisë së Krajës në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës, ku ruheshin reliket e princit Gjon Vladimir të Dioklesë (vdekur më 1018), ishte një vend pelegrinazhi për popullsinë e rretheve çdo 22 maj, kur kremtohej festa e Shën Gjon Vladimirit.

Shqiptarët ortodoksë ndërmerrnin pelegrinazhe në manastiret e Shën Gjon Vladimirit (Elbasan), në atë të Shën Naumit (Ohër), Shën Kollit (Mesopotam), Shën Teodorës (Artë) etj. Klerikë e laikë shqiptarë katolikë e ortodoksë ndërmerrnin udhëtime të gjata e të rrezikshme për të vizituar vende të shenjta jashtë Shqipërisë, si në Monte Gargano, Kampostellë, Assizi, Bari e në Romë (Itali), ose në malin i Shenjtë, Konstandinopojë apo në Palestinë, me shpresë se kjo do t’i ndihmonte të shlyenin mëkatet e tyre.

Shtrati popullor e tradicional dhe karakteri jodogmatik i krishterimit shqiptar, bëri që te shqiptarët të mos kultivohej kurrfarë fanatizmi e intolerance fetare. Ai ofronte një pikë referimi të përbashkët për të gjitha besimet, besimin katolik, atë ortodoks e më vonë edhe me besimin mysliman. Prandaj Marin Barleci, që vetë ishte prift, ka shkruar për shqiptarët se janë “më shumë luftëtarë sesa fetarë”. Kjo është arsyeja që në festa e në ceremoni fetare, siç qenë ato për Shën Gjon Vladimirin apo Shën Gjergjin, merrnin pjesë sa të krishterët (katolikë e ortodoksë), aq edhe myslimanët.