Spiro Dine (Vithkuq, 1846 - Egjipt, 12 prill 1922) ishte atdhetar dhe folklorist shqiptar.

Jeta Redakto

Lindi në VithkuqKorçës i biri i Risto Dines, ku sipas një pohimi të tij, nxuri rreth alfabetit të Veqilharxhit. Dinia që fëmijë kishte mësuar alfabetin e Veqilharxhit nga mësuesi i tij i shkollës Than Xheka në fshatin Treskë[1].

Dinia emigroi në Egjipt më 1866, në moshën njëzet vjeç, rreth një vit pas Thimi Mitkos, të cilin e takoi atje e me të cilin pas pak kohe do të bashkëpunonte për përmbledhjen e Mitkos me këngë dhe përralla popullore shqiptare. Ai ishte edhe anëtar themelues i seksionit të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip në Egjipt më 1881[1].

Ndërkohë që ishte në Shibîn el Kôm, Spiro Dinia pati letërkëmbim me Jeronim De Radën dhe u frymëzua nga veprimtaria e vëllezërve Frashëri. Më vonë në jetë do të entusiazmohej sidomos nga botimi i poemës epike të Naim Frashërit Istori' e Skënderbeut, e cila ishte vepra poetike më e dashur për të[1].

Ndërroi jetë në Egjipt, më 12 prill 1922[1].

Vepra Redakto

Libri për të cilin përmendet Spiro Dinia, madje i vetmi botim i rëndësishëm i tij, është një përmbledhje monumentale 856 faqesh me folklor e letërsi shqiptare, i titulluar "Valët e detit", Sofje 1908. Këtë titull Dinia e zgjodhi për të simbolizuar rrugën e mundimshme të historisë së Shqipërisë si dhe dallgët e njëpasnjëshme të pushtimeve që kishin pllakosur atdheun e tij. Valët e detit është e ndarë në dy pjesë. Në 412 faqet e para kemi poezi atdhetare të vetë Dines, asnjë nga të cilat nuk është tërheqëse për lexuesin e sotëm, si dhe poezi të shkrimtarëve të tjerë e të udhëheqësve kombëtarë të periudhës së Rilindjes: Koto Hoxhi, Thimi Thoma Kreji, Kostandin Kristoforidhi, Anastas Kullurioti, Loni Logori dhe Jani Vreto. Ndonjë vjershë atdhetare, ndonëse disi e fryrë e në traditën e Rilindjes, iu kushtohet albanologëve të shquar si Johan Georg fon Han, Dora d'Istria dhe Kostandin Kristoforidhi. Pjesa e dytë e veprës i kushtohet letërsisë folklorike; ndër to gjejmë këngë dashurie, këngë dasme, vaje, vargje humoristike e satirike, ndonjë vjershë fetare e didaktike, përralla dhe mitologji. Në kohën e botimit Valët e detit ishte libri më i madh në faqe se çdo libër tjetër shqip i botuar deri atëherë[1].

Referimet Redakto

  1. ^ a b c d e Robert Elsie (1995), Histori e Letërsisë Shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997.