Stugara është mal në skajin më jugor të rrethit të Gjirokastrës, me lartësi 1806 metra në majën e Murganës. Shtrihet nga Leshnica e Sipërme në veri-perëndim, deri tek maja e Murganës në juglindje. Është i ndërtuar nga gëlqerorë të kretakut dhe paleogjenit. Kurrizi i këtij mali është në formë kubeje, me rënie graduale në drejtim të veri-perëndimit dhe ndan pellgun ujëmbledhës të Drinos nga ai i Povllës. Shpati lindor ka rënie të butë dhe është i çarë nga disa lumenj të përkohshëm. Mbulesa pyjore është e rrallë. Ka më tepër shkurre dhe dushk, si dhe mjaft bimë mjekësore, kryesisht sherebelë. Shfrytëzohet si kullotë verore.