Veshjet tradicionale janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës e traditave shqiptare. Ato janë trashëguese të shumë elementeve, që vijnë nga lashtësia dhe gjithashtu janë edhe shprehje e marrëdhënieve kulturore mes popujve. [[Skeda:Clothing of Albania 007.jpg|parapamje|Një veshjet tradicional shqiptarë nga rajoni i Labërisë]]

Baroni Franc Nopça

Klasifikimi i përgjithshëm Redakto

Tipet kryesore të veshjeve popullore shqiptare për burra janë: kostumi me fustanellë, kostumi me këmishë të gjatë e dollamë (cibun), sipër kostumi me tirq dhe ai me poture (pantallona të shkurtra deri te gjuri). Pjesët më të zbukuruara ishin jelekët dhe xhamadanët e kostumit festiv. Burrat shqiptarë mbanin edhe stoli të ndryshme argjendi, si jastekë gjoksi, sumbulla dekorative tek jelekët, unaza, pipa e kuti cigaresh, por mbi të gjitha, armët e brezit e të krahut, që ishin gjithnjë të stolisura pasurisht.

Për gra, tipet kryesore të veshjeve, janë: kostumi me xhubletë (një fund në formë kambane), kostumi me këmishë të gjatë e xhokë shajaku sipër, kostumi me dy futa të vendosura mbi këmishën e gjatë, njëra përpara e tjetra prapa dhe kostumi me mbështjellëse (një fund i hapur, i mbledhur tek beli me rrudha ose pala).

Në veshje, ngjyrat e zbukurimet ndryshonin sipas moshës. Për të vegjëlit e të rinjtë, kostumi krahinor mund të ishte më i thjeshtë. Ndryshe nga popuj të tjerë të Ballkanit, në Shqipëri, vajza që kishte arritur moshën e martesës, duhet të vishej thjesht e pa stoli, flokët t’i mbulonte mirë me një shami dhe të mos vishte rrobë të kuqe. Kostumi i martesës ishte varianti më i pasur i veshjes së krahinës, si për nuset edhe për dhëndurët. Për nuset, stolitë metalike ishin të pamungueshme, madje, përdoreshin edhe me tepri, sepse këtu, me sa duket, kishte rendësi jo vetëm funksioni i tyre estetik, por edhe funksioni magjik që u pervishej. Për nuset, rëndësi të veçantë kishte zbukurimi i kokës. Disa vjet pas martesës, veshja fillonte të lehtësohej nga zbukurimet.

Në veshjet popullore, shenjat e zisë ishin të pakta, gratë mund të vishnin së prapthi ndonjë nga pjesët më të zbukuruara të kostumit, p.sh.: xhokën a përparësen.

Studimet e deritanishme kanë treguar se pjesët përbërëse të veshjeve tradicionale nuk kanë të gjitha të njëjtën moshë. Ka pjesë, që të kujtojnë veshjet mesjetare, me ndikime bizantine e orientale, të tjera që vijnë si një jehonë e kohës antike, por ka edhe elemente, që mund të lidhen me kulturën ilire. Mund të përmendim kështu analogjitë e vërejtura midis linjës popullore dhe “simbolikës” ilire, sikurse ndërmjet kapuçeve, strukave (shalleve), opingave, etj., dhe elementeve respektivë, të përdorura nga ilirët. Falë këtyre elementeve të trashëguar nga kultura ilire dhe ajo e arbërve të mesjetës, gjatë zhvillimit të tyre historik, veshjet popullore kanë arritur të fitojnë një varg tiparesh origjinale, që marrin vlerat e një treguesi etnik, i cili i dallon veshjet shqiptare nga ato të popujve të tjerë.

Klasifikimi i veshjeve tradicionale për gra Redakto

Veshja me Xhubletë Redakto

E merr këtë emër nga fundi në formë këmbane të valëzuar, i qepur me rripa prej shajaku të vendosur njëri pas tjetrit në linjë horizontale, bashkimi i të cilëve realizohet me gajtanë të hollë prej leshi. Xhubleta përbëhet nga disa pjesë të tjera prej shajaku me ngjyrë të zezë, si të xhubletës, të cilat quhen: grykës, mangë, krahol, etj. Pjesë tjetër është edhe brezi i gjerë i zbukuruar me rruaza dhe gajtanë i cili në dialektin lokal quhet kërrdhokëll. Në kokë mbahej një shami e bardhë, e lëshuar mbi shpatulla. Këmbët mbroheshin me këllqe shajaku ose me çorape të gjata, si dhe me opinga lëkure. Veshja me xhubletë në gjysmën e poshtme ka formën e këmbanës dhe në gjysmën e sipërme ngjan me veshjen e kryqtarëve, sikundër dhe mjaft simbole të gdhendura mbi këtë kostum, si koka e demit kretan, forma kryqi, svastike, etj. janë të njohura si të templarëve. Studiuesja e sistemit të simbolikës në veshjet kombëtare shqiptare të Veriut, Luljeta Dano, pohon se misteri i veshjes së zezë, shkëlqen nga të gjitha pikëpamjet, si nga pamja monumentale, nga ndërtimi, teknika e endjes, ornamenteve të qëndisjeve, derdhjes së stolive, etj. duke mos qënë thjesht, një veshje grash, por një institucion i lashtë edukimi nga matriarkat. Misteri i kësaj veshjeje të zezë është më i madh se dija jonë për simbolikën që përmban, por sot për sot mund te themi se kanë një përgjigje pyetjet për të.

Në këtë veshje bie në sy forma e xhubletës, krejt e veçantë nga çdo veshje tjeter, mënyra e zbukurimit të pjesëve të saj me motive dhe ngjyra të plota, por shumë të përzgjedhura, si ngjyra e zezë, çiklaminë, vjollcë ose blu. Kjo veshje është mbajtur në të gjitha malësitë e Alpeve shqiptare, një pjesë e tyre sot ndodhet në territorin administrativ të Malit të Zi. Xhubleta përfaqëson veshjen më të hershme në Shqipëri, por njëherësh edhe tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë, ende e gjallë në kullën malësore shqiptare. Ajo sjell mesazhet e qytetërimit ilir në kulturën popullore shqiptare që vjen e gjallë deri në ditët tona.

Veshja me këmishë të gjatë dhe përparëse Redakto

Pjesë kryesore e kësaj veshje është këmisha e gjatë me mëngë të gjata, të gjera ose të ngushta. Në mes ajo shtrëngohej nga një brez leshi me ngjyra të ndryshme dhe shoqërohej në pjesën e përparme nga një përparëse e leshtë ose e pambuktë me madhësi e zbukurime që ndryshonin nga njëra krahinë në tjetrën. Në stinën e verës, në pjesën e sipërme gruaja e veshur me këtë këmishë mbante një jelek, kurse në dimër sipër tij shtohej edhe një mintan me mëngë të gjata si dhe një xhoke prej shajaku. Gjatësia, ngjyra dhe zbukurimi i xhokes ndryshonte vecantisht nga pozita gjeografike apo zhvillimi i krahinave ku mbahej kjo veshje, duke krijuar kështu veçori të shumta lokale. Kjo veshje qe e përhapur në Mirditë, Dibeër, Mat, Shpat, Çermenikë, Dumre, Myzeqe, Berat, Korçë, Kolonjë, Gjirokastër, Sarandë etj.

Veshja me dy futa Redakto

Edhe kjo veshje përbëhej nga një këmishë e gjatë, jelekun apo mitanin, brezi disangjyrësh, porse shoqërohej edhe me dy futa të gjata (përparje), njëra e ngjeshur nē pjesën e përparme dhe tjetra pak më e vogël vendosej prapa. Në këtë variant (të gjata) ishin përparjet (futat) që mbanin gratë e Postrripës (Shkodër) ato të fshatrave Baz, Vinjoll, Karrice etj, të rrethit të Matit. Në një variant tjetër futat kishin formë trapezi dhe ajo që vihej përpara ishte më e madhe dhe quhej paranik, ndërsa e pasmja kishte përmasa më të vogla dhe quhej mbrapanik. Ky variant ishte i përhapur në disa fshatra të rrethit të Pukës, në Malësinë e Gjakovës (rrethi Tropojë), në disa fshatra të rrethit të Hasit, si dhe në disa fshatra të Rrafshit të Dukagjinit (Kosovë). Futat kishin formë katërkëndëshi, gjithashtu edhe në këto krahina ajo që vihej përpara ishte më e madhe se e pasmja. Si në variantin e dytë edhe të tretë, ato prej leshi pëlqeheshin në ngjyra të errëta (të zezë, kafe ose vishnje).

Veshje me mbështjellëse Redakto

Pjesë kryesore në këtë tip veshjeje është një lloj fundi i gjerë, me pala të vogla. Nën të vishej një kemishe e ngushtë, kurse në pjesën e sipërme vishej jeleku dhe një si fanellë me mëngë të ngushta. Në fshatrat e krahinës së Zadrimës mbahej një variant mbështjellës, palat e së cilës vendoseshin vetëm në pjesën e pasme të trupit. Zakonisht ajo kishte ngjyrë të zezë. Në disa fshatra të Pukës dhe të Malësisë së Gjakovës, mbëshjëllsja, e cila zakonisht kishte ngjyrë vishnje ose të gjelbër dhe më rrallë ngjyrë vjollcë, kishte një pamje mjaft elegante dhe shoqërohej me çorape të leshta të zbukuruara me disa motive disangjyrëshe.

Ndërsa varianti i mbajtur në disa fshatra të krahinës së Lumës (Kukës) dhe ai i mbajtur në Shishtavec (Kukës) shoqërohej me mbathje të gjata, këmbëzat e të cilave bëheshin të gjera dhe prej leshi me ngjyra të ndryshme.

Veshja me dimit Redakto

Emërtimi i këtij tipi përcaktohet nga një lloj pantallonash shumë të gjera dhe me ngjyrë të zezë. Në pjesën e sipërme të trupit, gratë e veshura me brekesha vishnin këmishë të shkurtër, jelek ose mitan. Në këmbë mbathnin corape leshi me shumë ngjyra. Gjithnjë mbi brekesha në pjesën e përparme vishej edhe një përparëse prej leshi e zbukuruar me kuadrate disangjyrëshe. Ndërsa në kokë mbanin shamia shumëngjyrëshe të lidhura nën gushë, pa i palosur në formë trekëndëshi. Në fakt, kjo veshje është futur në përdorim nga fillimi i shek. XX dhe pati përdorim të kufizuar, kryesisht në disa fshatra të Malësisë së Tiranës, në Martanesh, në Polis, Berzeshtë, Gur i Bardhë etj.

Pavarësisht nga përcaktimi i zonave, ku janë mbajtur këto tipe veshjesh, ka raste ku në të njëjtën krahinë apo zonë janë mbajtur disa tipe, gjë që lidhet me lëvizjet e popullsisë, marrëdhëniet e krushqive etj.

Veshjet për burra Redakto

Veshja me fustanellë Redakto

Në pjesën e sipërme vishej një këmishë e shkurtër me mëngë të gjera, jeleku dhe mengorja . Në bel vinin një brez të gjere leshi, mbi të dhe një tjetër prej lekure të zbukuruar mbi të cilin futeshin e vareshin armët e brezit. Në stinën e ftohtë pjesë e kësaj veshjeje ishte edhe flokata e leshit. Ndonëse në kokë vihej një feste e bardhë me një thumb në mes. Deri në fillim të shek.20 kjo veshje është mbajtur në të gjitha trevat shqiptare, që nga Kosova e deri në Çamëri. Më pas, ajo u kufizua vetëm në fshatrat e Shqipërisë së Jugut.

Veshja me kemishë të gjatë e dollame (ose cibun) Redakto

Pjesët më të rëndësishme të kësaj veshjeje për burra janë: këmisha me ngjyrë të bardhë si dhe dollama ose cibuni i gjatë prej shajaku. Në stinën e verës në vend të dollamës vishej një lloj xhamadani prej shajaku. Nën këmishë visheshin mbathje të gjata të shoqëruara me kelleinje. Dollama apo cibuni paraqitet me disa ndryshime në zona të ndryshme. Diku ishte e gjatë deri mbi gju, diku tjetër deri në pulpat e këmbës. Diku me ngjyrë të bardhë dhe e zbukuruar me gajtanë të zinj, e diku me ngjyrë të zezë. Kjo veshje është përdorur në Mirditë, Mat, Dibër, Malësi të Madhe, në Korçë, Kolonjë, Gjirokastër etj. Pas Luftës II Botërore, ky tip veshjeje u zëvendësua me veshjen me tire. Dollama vazhdoi të mbahet si veshje ceremoniale e veshur mbi tire ose përdoret në raste kuvendesh.

Veshja me tirq Redakto

Elementi me tipik i kësaj veshjeje janë tirqet të cilat kanë formën e pantallonave të ngushta prej shajaku (më të shumtën e rasteve të bardhë dhe më rrallë të zi ose të murrme). Përgjithsisht, ato lidhen poshtë belit (në kërdhokëll) shoqëruar edhe me një brez të leshtë me vija disangjyrëshe. Në pjesën e sipërrme vishej një këmishë me mëngë të gjata, jelek pa mëngë dhe xhamadan më mëngë të gjata, të dy prej shajaku. Në stinë të ftohta mbi xhamadan vishej edhe një xhaketë me mënge të shkurtra dhe me jakë marinari (prej shajaku me ngjyrë të zezë) e quajtur diku xhurdi, diku tjetër kaporane ose herke. Tirqet zakonisht janë mbajtur në Shqipërinë Veriore, në Kosovë dhe në Shqipërinë Verilindore, duke arritur deri në rrethin e Beratit.

Veshja me Brekushe (Citjane) Redakto

Emërtimi i kësaj lloj veshjeje lidhet me pjesën e poshtme të saj, e cila ka formën e pantollonave të gjëra, të bëra me lesh ose pambuk të endura në tezgjah shtëpiak. Ato ishin gjithmonë të gjata deri në nyjen e këmbës si dhe shoqëroheshin me një brez të gjere leshi me ngjyrë të kuqe në vishnje. Në pjesën e sipërme të trupit vishej këmishe me mënge të gjata dhe të ngushta. Në stinët e ftohta përveç jelekut e xhamadanit prej shajaku, vishej edhe xhubleta me xhufka (një lloj xhakete me dy palë mënge). Kjo veshje është përdorur në fshatrat e Zadrimës (në stinë të ngrohta) në Shqipërinë e Mesme dhe disa fshatra të Matit, Martaneshit, Mirdites, Librazhdit, Çermenikës.

Veshje me poture Redakto

Poturet kanë formën e pantallonave të gjera e të gjata deri në gju. Ndryshe nga veshjet e tjera këto lloj pantallonash kanë mjaft ndikim (në formën e prerjes) nga e njëjta veshje e përdorur në vendet orientale. Në pjesën e poshtme të këmbëve (poshtë gjurit) visheshin kallce prej shajaku. Ndërsa në pjesën e sipërme vishej këmisha me mëngë të gjata e shoqëruar me një jelek prej shajaku, i cili mbërthehej në pjesën anësore të gjoksit. Në stinë të ftohtë, vishej dhe një xhamadan me mëngë qe vareshin në pjesën e pasme të trupit. Kjo veshje kishte edhe një pjesë tjetër që dallonte nga krahinat e tjera, është pikërisht qeleshja e lartë ose takija gjysmësferike.

Kjo veshje ka pasur përhapje të kufizuar, kryesisht në Labëri, Mallakastër, Myzeqe etj. Poturet kanë zëvendësuar veshjen me fustanellë aty nga fundi i shek. XIX

Fustanella Redakto

Veshje popullore burrash në vise të ndryshme, në jug dhe veri. Fustanella ka trajtën e një fundi të gjerë, me shumë kinde (pala) në formë trapezi, të qepura së bashku e të mbledhura me rrudha të dendura tek beli. Copa ishte pëlhurë shtëpiake e bardhë prej pambuku e liri. Kostumi me fustanellë përbëhet nga këmisha, fustanella, tirqit/kalcet, brezi, jeleku dhe xhamadani. Luftëtar të ndryshëm kanë veshur edhe fustanelle të murrme dhe të zezë.

Fustanella është veshje që i përket një kohë shumë të vjetër. Dokumentohet, në disa gjetje arkeologjike, të jetë që nga shek IV - III para erës sonë.

Xhubleta Redakto

Veshje tipike e grave në Shqipërinë Veriore, mbi lumin Drin, Nikaj-Mërturi e Rugova, Malësi e Madhe dhe shqiptarMalit të Zi. Në zonën e Nënshkodrës deri në Breg të Matit ku malësorët e Malësisë së Madhe kanë zbritur. Xhubleta është një fund në trajtë kambanë, që vjen i valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme përbëhej nga një numër i madh copash e rripash të ngushte shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë. Në shek. XVIII, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra, por ato që na kanë mbërritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhezi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinë, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj. Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit të dytë para erës sonë dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare. Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes ilire të kulturës sonë që malësorët e përcollën deri në vitet 1950 -1960, pra përbën një nga elementet identifikues të veshjes popullore shqiptare, nëpërmjet motiveve, ku emblema për të gjitha është shqiponja. Xhubleta përmban një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin te Zoti, dashurinë dhe thekson bukurinë e femrës malësore.

Opingat Redakto

Opingat janë këpucë tradicionale që vishen nga shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Greqi (nga Arvanitasit) dhe fshatrat arbëreshe të Italisë. Ajo ishte veshur gjithashtu nga bashkatdhetarët në Rumani (opinca), Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë (opanak), Bullgari (opinka) dhe vende të tjera. Ato janë bërë nga një lëkurë, e formuar në këmbë me shirita lëkure ose leshi. Një varietet i opingave në jug të Shqipërisë janë këpucët tipike prej lëkure të kthyera me pompone leshi të kuqe dhe të zeza në skajet, të cilat shpesh përdoren për valle popullore. Provat më të hershme arkeologjike për opinga datojnë në shekujt 5-4 p.e.s., duke treguar që ato ishin një element në kulturën ilire. Provat e mëvonshme të përdorimit të tyre në Shqipëri, vijnë nga veprat e piktorit ikonografik të shekullit XVI Onufri. Është sugjeruar që etimologjia e fjalës vjen nga Proto-Shqipe * api (shqipja e sotme: hapi), që do të thotë "hap". Në 1610 Marino Bizzi, një patrician venecian në Dalmaci dhe Kryepeshkop i Antivarit, vëren se burrat e Mirditës kishin veshur opinga, të bërë nga lëkura e lopës, të përgatitura nga vetë burrat. Artizanët e kazasë së Përmetit mbajtën monopolin në tregtinë e opingave në vilajetet e Shkodrës dhe Janinës deri në 1841, kur ai privilegj u revokua nën reformat e Tanzimat. Diçka më shumë për "këpucët me apo pa xhufka".

Pjesë përbërëse e veshjes popullore me traditë të vjetër dhe shtrirje mbarë shqiptare. Llojet më të thjeshta bëheshin prej një cope të vetme lëkure në trajtë katërkëndëshi kënddrejtë, buzët e së cilës rrudheshin me retra lëkure duke u afruar pas këmbës e pastaj shtrëngoheshin me gjalma prej leshi. Sipas mënyrës se si qepej maja, si viheshin rripat e gjuhëza ose si thurej faqja e sipërme e opingës e si zbukurohej ajo, dalloheshin variante të shumta: opinga lope, me retra, me gjuhëzë, opinga me përkresa, me tufëza, me xhufka, opinga me prroqe etj. Dëshmitë më të hershme arkeologjike për opingat u përkasin shek V-IV para erës sonë dhe tregojnë se ato kanë qenë një element i kulturës ilire dhe dalloheshin qartë nga sandalet e tipit klasik greko-romak dhe më vonë nga llaptiet tipike të popujve sllave. Dëshmi të mëvonshme janë të shek XVI në disa vepra të Onufrit. Opingat kanë qenë të përhapura gjithashtu tek arbëreshët e Greqisë dhe Italisë.

Guna Redakto

Veshje dimri, në formë manteli të gjerë prej leshi, me mëngë dekorative (që nuk visheshin) dhe me kapuç për kokën. Njihej me disa emra: gunë çile (e dhirtë) për barinjtë, gunë larë ose laroshe, tallagane, tamare etj. Të ngjashme nga funksioni dhe nga materiali, por në formë pelerine, ishin disa veshje të tjera dimri që përdoreshin në zona të ndryshme të vendit si: bërruci e sharku në Labëri, japanxha e bardhë e burrave në Kosovë, tallagani i grave në Malësinë e Madhe etj.

Riprodhimi është domosdoshmëria Redakto

Në fondet muzeale të Institutit të Kulturës Popullore ruhen një numër i konsiderueshëm kostumesh popullore dhe jo thjesht si numër, por variante të shumta që përfaqësojnë të gjitha tipet e veshjeve popullore shqiptare. Variante që konsistojnë në veshje ceremoniale, në veshjet e përditshme, në veshjet sipas grupmoshave, në veshje për fëmijë, vajza, për gra të një moshe të kaluar. Po, përsëri nevoja e riprodhimit është domosdoshmëri.

Veshjet më të lashta Redakto

Kostumi më i hershëm, që përcjell një mesazh qindravjeçar është xhubleta, e cila e ka origjinën përgjatë Alpeve dhe kalon deri në malësinë e Malit të Zi. Megjithëse etnografët më të shquar të Shqipërisë kanë bërë studime nga më të ndryshme, për të akoma nuk është arritur në një shpjegim konkret, pse kjo veshje ka qenë ekzistente vetëm në Malësinë e Veriut. Ndërsa elemente të tjera të antikitetit, që përcillen nëpërmjet veshjes popullore, janë këmisha e gjatë, struka (pelerina e gjatë) dhe opingat me majë.

Kostumet popullore dhe e ardhmja e tyre Redakto

"Mbledhja e këtyre kostumeve popullore ka filluar pas Luftës së Dytë Botërore, më saktë në vitin 1947. Për veshjet popullore duhet ruajtur origjinaliteti i tyre, se janë një shprehje e qartë e identitetit shqiptar. Në një festival folklorik, të zhvilluar jashtë shtetit, ne duhet të përfaqësohemi me kostumin tradicional. Edhe bota i ruan dhe i mirëmban shumë. Është një element identiteti. Gjenden forma të ndryshme për organizimin e festivaleve folklorike. Me të vërtetë, një festival i bërë para 30 vjetësh nuk ngjan me një festival të bërë sot, por forma të tilla duhen ruajtur, pasi janë vlera të trashëgimisë kulturore të pakontestueshme të çdo populli. Kostumet kanë rëndësi për procesin studimor. Këtu pasqyrohet edhe historia e zhvillimit ekonomik e kulturor të një vendi, të një krahine e të një fshati. Nëpërmjet një veshjeje ne kuptojmë edhe nivelin e zhvillimit kulturor, si dhe psikologjinë e një vendi. Krahina e Zadrimës ka një kostum femëror në formë me të zbuluar, gjë që tregon liri më të madhe të gruas Zadrimore. Ky kostum në Kukës është ndryshe, i mbyllur deri në fyt. Në një formë tregon fanatizëm. Të gjitha këto elemente, të marra një nga një, kompletojnë fizionominë e krahinës."

Galeria Redakto

Lidhje të jashtme Redakto