"Ju keni bërë një krim fatal jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë Shqipërinë. Ratë në grackën e Titos. Ai me Miladinët, me Vukmanoviç Tempot, dhe veçanërisht me udhëheqjen e Partisë suaj që e drejtojnë serbët, i dhatë fund pavarësisë sonë. Në mos vënçin dorë aleatët e mëdhenmj, s'ka Shqipëri më, por një bijë të bindur të Federatës së Titos. Titoja ia mbushi mendjen Stalinit që të mos pranohej ideja e Dimitrovit për krijimin e një Federate Socialiste Ballkanike ku, aty ku flitej serbishtja, të ishte Republika Serbe, aty ku flitej shqipja, të quhej Republika Shqiptare, aty ku flitej bullgarishtja, Republika Bullgare e kështu me radhë për të gjithë popujt e Ballkanit, se Ballkani jetoi afro pesëqind vjet nën të njëjtin sundim otoman, me të njëjtat kanune e zakone. Popujt e Ballkanit nuk mund t'i ndash prerazi në kufij, se ata kanë lëvizur gjatë pesë shekujve duke e bërë Ballkanin një vend ku nuk mund të gjesh vetëm një popull brenda një kufiri. Por këtë ide nuk e pëlqeu mareshali Tito, madje edhe Stalini, se, po të bëhej Ballkani një federatë socialiste, do të kalonte shumë Bashkimin Sovjetik të prapambetur, kështu që Stalini nuk donte të ishte despot i një populli të prapambetur. Edhe politikanët anglo-amerikanë nuk e përkrahën këtë mendim të Dimitrovit. Ata gjatë Luftës së Dytë Botërore ngritën dy figura: në perëndim De Golin dhe në lindje Titon, i cili pretendonte të bëhej mareshal i Ballkanit, sipas dëshirës së Çurçillit, djali i të cilit qëndronte gjatë Luftës pranë Titos. Por ja që Titoja nuk u bë do mareshal i gjithë Ballkanit, por u bë i Shqipërisë. E vërteta është se Stalini i kishte thënë që ta inkuadronte edhe Shqipërinë si republikë të shtatë, por Titoja i zgjuar nuk e pranoi, duke thënë se shqiptarët nuk janë sllavë dhe se... janë xhelozë për pavarësinë e tyre. Këtë e tha, se po të bashkohej Shqipëria si republikë e shtatë, do të ishte republika më e madhe, më e pasur, më e fortë, se do të bashkohej edhe Kosova në këtë Republikë të shtatë"/
"Tragjedinë e Kosovës e shkaktuam ne, se ishim servilë, frikacakë dhe shërbëtorë besnikë të Titos, i cili kishte këtu agjentët e tij të famshëm, Miladinin dhe Dushanin, të cilët krijuan një parti sipas planeve të tyre. Sot na vjen turp të themi se një popull me njerëz të zgjuar dhe patriotë i ra në gjunjë një Miladini, i cili e krijoi Partinë ashtu siç deshi vetë Titoja. U përpoqëm dhe krijuam Lidhjen e Dytë të Prizrenit, kryetar më caktuan mua. U bëra dhe prefekti i Pejës. Edhe i shkreti Emrush Myftari, luftëtar trim edhe në Spanjë, krijoi një çetë për të mbrojtur nga serbët dhe çetnikët popullin shqiptar. Madje ai erdhi në Shqipëri, me një thes plot me duar dhe koka të prera fëmijësh të vegjël shqiptarë, i solli në Tiranë dhe, në shtëpinë e Esat Dishnicës, thirri Enver Hoxhën dhe Nako Spirun, zbrazi thesin me koka e duar fëmijësh kosovarë dhe u tha: "Ja se ç'bëjnë druzhet tuaj që i mbanin në krahë!" Pastaj Emrushi doli në Tiranë, pa dy kryeçetnikë, i ndoqi dhe i vrau para Bankës Kombëtare".

Në fund të promemorie shkruante:

"Hapni sytë e qëroni këlyshët e Titos, përndryshe nuk ka as Shqipëri e as Kosovë!"[1].

Burimet Redakto

  1. ^ Petro Marko: Retë dhe gurët fq. 444-446, "Omsca" Tiranë 2000.