Agim Faja ka lindur në (Eminas i Vogël), Shijak, më 14 mars 1939, djali i dytë i pesë djemve të familjes së mësuesit Hamdi Faja (“Mësues i Merituar”), dhe Bejte Gjoshit. Ai është piktor, ilustrator, dizajn, grafist dhe autor librash. Nga vitet 1946-1952 kreu shkollën fillore (unike) në vendlindje. Agim Faja filloi shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan, ku do të merrte mësimet e para për pikturë në kursin e vizatimit nga piktori Vasil Toli, por pasioni për pikturën e shtyn të vazhdojë studimet për pikturë. Më pas vazhdon Liceun Artistik "Jordan Misja" në Tiranë, ku përfundon studimet në vitin 1958. Ai studioi në klasën e pedagogëve Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Kristina (Koljaka) Hoshi dhe Kel Kodheli. Në vitin 1960 ndjek studimet në Institutin e Lartë të Arteve, i sapo hapur në atë kohë. Atje merr mësime nga pedagogët Vilson Kilica dhe Guri Madhi. Artisti Agim Faja ishte një nga studentët e grupit të parë që mbaruan Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë (1960-1964). Pas studimeve kthehet në vendlindje dhe punon si mësues vizatimi në shkollat e Shijakut deri në vitin 1970, kur doli në profesion të lirë si piktor. Më 1967 bëhet Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (pa u bërë kandidat). Nga viti 1970 der në vitin 1974, emërohet Kryetar i Degës së Arteve figurative të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe më tej anëtar i Kryesisë së saj si dhe anëtar i Komitetit Drejtues të këtij institucioni.

Agim Faja.JPG

Agim Faja është një ndër piktorët e Realizmit Socialist që e filloi krijimtarinë e tij në mesin e viteve ’60 të shekullit XX. Tema e tij kryesore ishte bujqësia dhe jeta e fshatit. Ai jetoi dhe krijoi në qytetin e vogël të Shijakut, duke u evidentuar edhe si një piktor ilustrator mjaft i rëndësishëm veçanërisht për revistat e fëmijve.

Agim Faja është pjesëmarrës në shumë ekspozita kolektive dhe personale. Ai ekspozoi për herë të parë në publik në vitin 1959, ku merr pjesë në ekspozitën kombëtare në Tiranë dhe atë lokale në Durrës. Tërhiqet nga tabloja kompozicionale, trajton peizazhin, portretin dhe merr pjesë vazhdimisht në ekspozitat dhe konkurset e arteve pamore të para viteve 1990, ku trajton temat ndërtimit të socializmit, gjithmonë me mjete realiste piktorike. Ndër punimet e Fajës kujtojmë: “Fëmijët në Erzen”, “Bisedë e përzemërt”, ”Verë e vitit 1965” ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve - Tiranë, “Pranvera” ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve - Tiranë, “Mbrëmje” ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve - Tiranë, “Mëngjes fshatarak” ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve - Tiranë, etj. Ai ka çelur disa ekspozita vetjake, duke filluar nga viti 1968. Piktori Faja i ka ekspozuar veprat e tij edhe jashtë Shqipërisë, ku mund të kujtojmë Bienalen e Aleksandrisë, në vitin 1967 (“Verë e vitit 1965”), në ekspozitat kolektive në Kinë, Vietnam, Algjeri, Jugosllavi, etj. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve - Tiranë, nga krijimtaria e artistit ruhen njëzet e katër tituj punimesh të viteve 1965 -1982. Gjithashtu punime të artistit ndodhen në Galerinë e Arteve të Durrësit, si dhe në institucione të ndryshme shtetërore e koleksione private. Artisti Agim Faja ka qënë vlerësuar me çmime artistikë për krijimtarinë e tij në ekspozita dhe konkurse të ndryshëm duke filluar nga viti 1965. Organizator dhe njeri i përkushtuar ndaj arteve Faja, ndikoi dukshëm me personalitetin e tij në krijimin e figurës së artistit, në atmosferën artistike të qytetit të vogël – Shijakut, ku jetonte, por gjithashtu edhe në qytetin e Durrësit.

Agim Faja ka qënë piktori ilustrator i revistës për fëmijë “Fatosi” që në botimin e numrit të parë të saj (1959) deri në vtin 1974. Ai ka ilustruar mbi njëqind tituj botimesh të ndryshme kryesisht për fëmijë ndërmjet të cilave “Abetaren”, "Aritmetikën" dhe "Këndimin" (1971).

Në vitin 1987 i akordohet titulli "Piktor i Merituar", kurse në vitin 1996 presidenti i asaj kohe Sali Berisha i jep titullin "Pishtar i Demokracisë" dhe më 1999 shpallet “Qytetar Nderi” i qytetit Shijak. U nda nga jeta më 27 qershor 2017.


Ekspozita vetjakeRedakto

1968 Ekspozita “Hapat e para” në Shijak. 1968 Ekspozita “Hapat e para” në Durrës. 1968 Ekspozita “Hapat e para” në Kavajë. 1969 Ekspozita “Hapat e para” në Shkodër. 1972 Ekspozita “Në minierë” në Manzë. 1972 Ekspozita “Në minierë”në Durrës. 1981 Ekspozita “Peizazhe të vendlindjes” në Shijak. 1981 Ekspozita “Peizazhe të vendlindjes”në Durrës. 1981 Ekspozita “Peizazhe të vendlindjes” në Tiranë. 1982 Ekspozita e përbashkët me piktorin Foto Stamo “Midis minatorëve” në Pogradec. 1983 1984 Ekspozita e përbashkët me piktorin Foto Stamo “Midis minatorëve” në Shijak.

Pjesëmarrje në Ekspozita Kolektive të ndryshmeRedakto

1966 Ekspozoi për herë të parë në Ekspozitën Kombëtare e Arteve Figurative - Tiranë, tablonë “Verë e vitit 1965” (lufta kundër thatësirës). 1970 Ekspozita “Rinia në punë dhe në jetë” - Tiranë, veprat “Bijtë e Partise” dhe “Pas Punës”. 1971 Ekspozita "Portreti i Klasës Punëtore në Artet Figurative", vepra “Në Minieren e Manzës”. 1973 Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative “30 Vjet Ushtri Popullore” - Tiranë, vepra “Heronjte e Vigut”. 1974 Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative - Tiranë, vepra “Në emër të jetës (Nëna Zeliha)”, “Krevati i Perandorit” - ilustrime te poemës të Dritëro Agollit. 1975 Ekspozita e Arteve Figurative dhe e Fotografisë - Tiranë, vepra “Për nder Flamurit”. 1976 Ekspozita e 35 Vjetorit të PPSH - Tiranë, vepra “Ne Jemi Pranvera që solli Partia” dhe “Gjithmonë pranë i kemi”. 1977 Ekspozita Kombetare e Bujqësisë - Tiranë, vepra “Lufta për bukën, luftë për socializëm” – triptik. 1978 Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative "Ushtri e Popullit Ushtar" - Tiranë, vepra “Në stërvitje” dhe “Portoromano”. 1978 Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative "Lidhja Shqiptare e Prizrenit" - Tiranë, vepra “Shqipëri o mëma ime” dhe “Vëllezrit pishtarë” - triptik. 1979 Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative - Tiranë, vepra “Rebelët” dhe “Mbrëmje në bregdet” 1981 Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative - Tiranë, vepra “Ashtu Myzeqe” – ilustrime te poemës të Aleks Çaçit. 1984 Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative - Tiranë, vepra “Zgjedhjet e para”. 1986 Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative - Tiranë, vepra “Përurimi i kanalit të Jubës”.


Pjesëmarrtje në ekspozita kolektive jashtë ShqipërisëRedakto

1967 Bienale e Egjyptit. U ekspozua tabloja “Verë e vitit 1965”. 1968 Ekspozitë e arteve figurative ne RP të Kinës dhe në Vietnam. U ekspozua tabloja “Verë e vitit 1965”. 1969 Ekspozitë e arteve figurative ne RP të Kinës .U ekspozua tabloja “Para fluturimit” dhe peizazhi “Remonti i avionave”. 1972 Ekspozitë e arteve figurative në qytetin Grac të Austrisë. U ekspozua tabloja “Në mimierën e Manzës”. 1977 Ekspozitë e arteve figurative në qytetin Algjer të Algjerisë. U ekspozua tabloja “Me ballin tek liria” (Gjikë Kuqali). 1978 Ekspozitë e arteve figurative në Jugosllavi, në qytetet Prizren, Prishtinë dhe Beograd. U ekspozua tabloja “Shqipëri o nëna ime” (Naim Frashëri).

BurimeRedakto