Arti në Kishën Ortodokse të Shqipërisë
Arti kishtar ortodoks në Shqipëri është një shprehje e besimit, jetës, kulturës dhe veprës adhuruese të komunitetit të krishterë ortodoks, thënë ndryshe e Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Mund të themi gjithashtu se përbën edhe dëshmi historike dhe monumentale e komunitetit të krishterë, duke treguar edhe potencialin e fuqishëm që zotëronte (shpirtëror, intelektual, artistik dhe ekonomik). Pikërisht me këtë vlerë dhe thesar të paçmueshëm krenohet Shqipëria në histori dhe në rajon.
Arkitektura & Mozaikët
RedaktoPër sa i përket artit, mendojmë se është më mirë vështrimi i tij sipas periudhave kulturore. Dallojmë këto periudha:
- Periudha paleokristiane (shek. IV – mesi i shek. VIII)
- Periudha bizantine (mesi i shek. VIII – XV)
- Periudha pasbizantine dhe e sundimit turk (1501 – 1912).
Arkitektura
RedaktoPeriudha paleokristiane
RedaktoGërmimet arkeologjike të dekadave të fundit, nxorën në dritë kryesisht monumente që i përkasin shekulli V – shekulli VI, si p.sh. bazilika e gjetur në Tepë, jashtë Elbasanit, që mund të jetë e shekullit IV. Tipat më të njohur të arkitekturës kishtare të kësaj periudhe janë bazilikat trenefëshe. Nefet anësore ndahen me kolona (si në Arapaj të Durrësit, Bylis, Amantia) ose kolona me seksion katrorë (në Elbasan, Butrinti), ose një kombinim i të dyjave (Sarandë); disa prej tyre janë me 3 absida (harqe pranë altarit) (në Ballsh, Lin). Bazilika njënefëshe u gjetën në Antigone, Apolloni, Durrës dhe Sarandë. Gjithashtu ruhen edhe pagëzimore paleokristiane (rrethore, katrore, ose tetëkëndëshe), p.sh. në Finiq, Lin (bregun jugor të Ohrit) dhe më e bukura dhe më e kompletuara në Butrint.
Periudha bizantine
RedaktoKishat e shekullin X paraqesin forma të reja në ndërtimet kishtare. Në disa vende ndërtohen kisha njënefëshe (si e profetit Ilia në Bual të Përmetit, e së Tërëshenjtës Mari në Çerskë të Leskovikut, e Shën Sergjit dhe Bakut në Himarë), në të tjera vazhdon tradita e bazilikës (si e Shën Stefanit në Dhërmi etj.). Në fillimet e periudhës pasbizantine ruhet ende tipi i veçantë i bazilikës së Shën Nikollës në Perondi të Beratit. Kryesisht në këtë periudhë përurohet një tip i ri kishe në formëkryqi të brendashkruar me kupolë (në Peshkëpinë e Sipërme,Kosinë). Shumë kujdes i kushtohet edhe pjesës së jashtme të kishës (kupolë, dekoracione në kornizat e dritareve, kombinime të tullës dhe gurit). Një shembull karakteristik është kisha e Hyjlindëses në Labovë të Kryqit e shekullit X, sipas disa të tjerëve e shekullit XIII, me vlerë të veçantë artistike. Në shekullin XIII dhe shekullin XIV shfaqet një lulëzim i ri arkitektonik. Në zonën e Shkodrës gjatë shekullit të XIII shihet një ndikim i arkitekturës perëndimore (si në atë të Shën Sergjit e Bakut pranë lumit Buna, atë të Vaut të Dejës). Shpesherë gjejmë të gërshetuara tiparet bizantine me ato romake. Kishat bizantine paraqesin ndikime romake, ndërsa piktura bizantine dominon edhe në ndërtesat e stilit romak. Në jug vazhdojnë të ndërtohen kisha njënefëshe (e Shën Joanit në Boboshticë), bazilikat bëhen më të rralla dhe stili në formë kryqi të lirë me kupolë mbizotëron (p.sh. në Marmiro të Vlorës, në Manastirin e Hyjlindëses në Zvërnec)E Tërëshënjta e Vllahernës (e restauruar në shekullin XVI) dhe kisha e Shën Triadhës (Trinisë së Shenjtë), në Berat, janë veçse një tip i thjeshtë kryqi i brendashkruar i të njëjtit stil; ndërsa kisha e Manastirit të Hyjlindëses, në Apolloni, i përket një tipi të ndërthurur. Një monument i veçantë bizantin, si nga kompozimi arkitekturor dhe ai dekorativ, është kisha e Shën Nikollës në Mesopotam, ndoshta e shekullit XIII.
Periudha pasbizantine
RedaktoNdërtimi i kishave u ndërpre plotësisht në fillim të pushtimit osman. Në shekullin XVI, paralelisht me qytetet e vjetra, zhvillohen edhe qytete të reja në zona malore, si p. sh. Moskopoli (Voskopoja), Vithkuqi dhe Nica, ku dhe ndërtohen kisha që shquhen për nga thjeshtësia arkitektonike dhe modestia e formës së tyre. Nga mesi i shekullit XVI shfaqen forma arkitektonike të zhvilluara nëpër manastire, të cilat ndërtohen kryesisht në vende të veçuara. Ndërtime karakteristike të shekullit të XVI janë: kisha e Metamorfozës së Shpëtimtarit (Sotirit), në Tremisht të Përmetit (1540 – 1560); kisha e Shën Athanasit në Mazhar të Poliçanit (1513), e Shën Dhimitrit (1526), e Manastirit të Profetit Ilia në Jergucat, e Hyjlindëses Mari në Zervat (1569), në Kamena dhe Vrahogoranxi. Nga shek. XVII shquhen kishat e manastireve: të Shën Joan Prodhromit në Voskopojë (1632) dhe e Tërëshenjtës Mari në Barmash të Kolonjës etj. Një sërë manastiresh ndeshim edhe gjatë bregdetit të Jonit –gjiri i Kakomies (1672), në Krorizi, në Krimorovë, në Piqeras (1672).
Në shek. XVIII ndërtohen më shumë kisha, me arkitekturë e dekoracion të përmirësuar. Rëndësi i jepet kryesisht ambientit të brendshëm, ndërsa nga jashtë ndërtesa mbetet e thjeshtë, që të mos provokojë pushtuesit që kishin tjetër besim. Në këtë shekull kemi një zhvillim të konsiderueshëm ekonomik e shoqëror, fuqizim të feudalëve shqiptarë dhe situatë relative të qetë politike. Në të njëjtën kohë shtohet kthimi në myslimanë dhe ligjet e rrepta ndalojnë ndërtimin e kishave të krishtera. Prandaj, në qytete e në fshatra kishat ndërtohen në mënyrë të tillë që të përzihen arkitektonisht me shtëpitë. Shembull karakteristik i kishës pasbizantine në Berat është kisha katedrale e së Tërëshenjtës Mari (1797). Në Myzeqe mbizotëron Manastiri i Ardenices (Ardhevusës), në të cilin ndërtesat e sotme (të shek. XVIII) janë ndërtuar mbi rrënojat e një manastiri të periudhës bizantine. Nga mesi i shek. XVIII deri në mesin e shek. XIX, u ndërtuan kisha pothuajse në çdo fshat të Myzeqesë. Modeli përfaqësues është stili bazilik trenefëshe, me kolona druri dhe tavan të sheshtë, siç është kisha e Shën Gjergjit, në Libofshë (1776). Edhe në Voskopojë 7 kishat që ekzistojnë sot paraqesin një formë arkitekturore unikale të mrekullueshme, veçanërisht ambjentet e brendshme të stilit bazilik janë me kupolë dhe janë ndërtuar me ndjeshmëri të veçantë. Nga shek. XIX ruhen gjer më sot pak kisha (si p.sh. e Shën Nikollës, në Toshkëz (1811) dhe kisha e Manastirit të Shën Kozmait, në Kolkondas të Fierit (1813 – 1814), e cila është bazilikë trenefëshe me kupolë.
Mozaikët
RedaktoBashkë me monumentet arkitektonike, ruhen edhe mozaikë me vlerë (në Tiranë, Arapaj të Durrësit, Bylis, Sarandë, Antigone etj.). Tematika e tyre nuk është nga Shkrimi i Shenjtë; ata, duke ndjekur traditën njerëzore formojnë relieve, figuracione bimësh, zogjsh, kafshësh e skena barinjsh. Mozaiku më i rëndësishëm nga ata të dyshemesë së bazilikës së Mesaplikut, që ruhet në Muzeun e Tiranës, paraqet portretin e një burri në profil me mbishkrimin: APARKEAS. Disa mozaikë duken disi të thjeshta, por megjithatë ato kanë vlera të mëdha artistike si p.sh. mozaiku në pagëzimoren rrethore të Butrintit. Mozaikët e vetëm muralë që janë gjetur deri tani janë ato të kishëzës (kapeles) së amfiteatrit të Durrësit, (ku paraqiten Shën Stefani, një figurë perandoreshe – ndoshta e së Tërëshenjtës Mari –, kryeengjëjt, dhuruesit) që paraqesin mjaft ngjashmëri me mozaikët e Selanikut.
Miniaturat & Ikonografia
RedaktoMiniaturat
RedaktoModelin më të hershëm të ikonografisë e përbëjnë miniaturat e Kodikut të famshëm të Purpurt të Beratit, e një dorëshkrimi Ungjilli, ndoshta i (shek. VI), i shkruar me gërma të mëdha. Miniaturat më të shumta të dorëshkrimeve datojnë nga shek. IX – XIV dhe shquhen për bukurinë e shkrimit me gërma të arta. Modele të stilit të shkëlqyer bizantin gjenden edhe në dy kodikët e Vlorës (fundi i shek. XI, fillim i shek. XII). Këta na kujtojnë vepra të ngjashme me ato të Konstandinopojës të shek. X.
Ikonografia
RedaktoPeriudha bizantine
RedaktoIkonat më të vjetra në Shqipëri i përkasin shek. XII – XIV. Ikonat e së Tërëshenjtës Mari (Odhigjitrias) në Mborje të Korçës dhe e së Tërëshenjtës në Blasti, në shpellën e liqenit të Prespës së Madhe, konsiderohen nga më të bukurat e artit bizantin. Stili i kohës së dinastisë së Maqedonëve e veçanërisht të Paleologëve (mesi i shek. XIII – fundi i shek. XIV), që lulëzoi në Konstandinopojë e në Selanik, ndikoi thellësisht veprat që gjenden në vend. Mjaft mbreslënëse për nga bukuria është imazhi i kryeengjëllit Mihail në kishën e Mborjes, në Korçë (shek. XIV).
Modele mjaft me vlerë të afreskeve (pikturave murale) bizantine, kanë mbijetuar në vende të izoluara, si shpellat në Vllastonjë, Letmi e Kallmet, afër Lezhës (shek. XII). Në shek. XIII e XIV u krijuan vepra të rëndësishme, midis të cilave afresket e manastireve të Apollonisë dhe të Rubikut (në juglindje të Shkodrës), të kishës së Vaut të Dejës (përsëri në Shkodër), në Maligrad (ishulli i vogël i Prespës së Madhe) dhe të kalasë së Beratit. Stili i pikturës paraqet ndikime vendase, bizantine por edhe perëndimore. Prirja më e theksuar drejt modeleve të lashta klasike duket në afresket e menxës së Manastirit të Apollonisë (fundi i shek. XIII – fillim i shek. XIV), që shquhen për nivelin e lartë artistik (p.sh. lutja në Getsemani). Afreske të shkëlqyera të një ikonografi anonim të shek. XIV ruhen në muret e jashtme e të brendshme të kishës, në ishullin e Malingradit të Prespës së Madhe (1345-1369).
Periudha pasbizantine
RedaktoOnufër Neokastriti nga Elbasani, në shek. XVI, duke vlerësuar me gjenialitet të gjitha traditat e mëparshme, shfaqet si ikonografi më i rëndësishëm i Shqipërisë. Nga veprat e tij shpëtuan ikonat e ikonostasit të kishës së Evangjelistrias (eTërëshenjtës Mari) dhe Shën Dhimitrit, në kalanë e Beratit; afresket e kishës së Shën Nikollës në Shelcan të Elbasanit dhe Shën Theodhorëve, në Berat. Ky artist i madh i familjarizuar me traditën bizantine, asimilon në mënyrë krijuese arritje të suksesshme të artit perëndimor të kohës së tij. Në veprat e Onufrit të bëjnë përshtypje lidhja armonike e ngjyrave të ngrohta me tone të fuqishme dhe transparencë, ndryshimi i rregullave tradicionale, fuqia psikologjike e fytyrave, kontrasti dritë-hije si dhe elementi dramatik që përshkon afreskët e tij. Shpirti artistik i Onufrit formon një shkollë ikonografike në Shqipëri, të cilën do ta quanim “Shkolla e Beratit”. Ata që e pasuan, i biri i tij, Nikolla, Joani, bashkëpunëtori i Nikollës, më vonë Onufër Qiprioti dhe anonimë të tjerë, që pikturuan kisha në zona të ndryshme të Shqipërisë, janë ndikuar mjaft nga ai, por pa arritur dot në lartësinë e tij.
Në shek. XVII krijimtaria artistike vazhdon dhe shumë kisha zbukurohen me ikona dhe afreske p.sh. zona e Beratit, fshatra të Myzeqesë, Voskopoja, Vithkuqi, Lubonja, Postenani, Radova dhe Lunxhëria. Në vitin 1622, Onufër Qiprioti pikturon kishën e së Tërëshenjtës në Vrahogoranxi, me stil të qetë, të ekuilibruar, ku tregohet artist i talentuar, por që nuk të emocionon mjaft si artisti tjetër me të njëjtin emër. Afresket me mbishkrime në greqisht ruajnë e na tregojnë emrat e mjaft ikonografëve si të: Mihail Linotopit e të shokut të tij Nikollës, në kishën e Profetit Ilia të Stegopolit (1653); Mihail dhe Konstandin Gramozit dhe Mihail Zermas. Shumë kisha u pikturuan nga anonimë, si p.sh. Manastiri i Shën Joan Prodhromit (Pararendësit), në Voskopojë (1659).
Midis ikonografëve vendas të shek. XVIII dhe XIX shquhen: David Selenica (nga Selenica e Kolonjës), Konstandin Shpataraku (nga Shpati), Konstandin dhe Athanas Zografi (nga Korça) bashkë me bijtë dhe nipërit, Gjergj dhe Joan Çetiri (nga Grabova) bashkë me bijtë dhe nipërit, Nikolla Gunga (nga fshatrat e Myzeqesë). Kështu, pra, pas “Shkollës së Beratit”, të shek. XVI – XVII, do të mund të flisnim edhe për grupin e ikonografëve të “Shkollës së Korçës”, të shek.XVIII – XIX. Tek veprat e këtyre artistëve është i dukshëm ndikimi i ikonografisë së Malit të Shenjtë, por edhe i stilit perëndimor. Tek veprat e artistëve korçarë Konstandin e Athanas Zografi (mesi i shek. XVIII) vërehen edhe tendenca të stilit barok, portretet kanë më plasticitet dhe shumë elemente etnografike. Mjaft shprehëse shfaqet pasuria e afreskeve pasbizantine në 7 kishat e Voskopojës, që ruhen gjer më sot. Veçanërisht në muret e kishës së Shën Nikollës, që i pikturoi David Selenica (1726), hasim 2000 figura me kompozicion të larmishëm. Në veprat e tij ato që të lënë mbresa janë: ngjyrat, kompozimi lakonik, dëshira e tij realiste, interesimi për ambientin dhe perspektivën, përpjekja për t’i bërë sa më familjarë shenjtorët gjatë kishërimit (pjesëmarrjes në adhurim), p.sh. fytyra e kryedhjakonit Stefan. Afreske interesante ruhen dhe në zona të tjera, si p.sh. në Manastirin e Shën Triadhës (Trinisë së Shenjtë) në Pepeli, që u pikturua nga Adam Theotoqi (1754), i Tërëshenjtës në Pecë (1770), i Shën Spiridhonit në Vuno (në fund të shek. XVIII). Në të njëjtën kohë u pikturuan shumë kisha në Myzeqe, si p.sh. e Shën Gjergjit në Libofshë (1782), që u pikturua nga korçari Kostandin dhe i biri i tij Terpo, e Shën Nikollës në Vanaj (1795) dhe e Shën Athanasit në Karavasta (1797) nga vëllezërit Gjergj dhe Joan Çetiri.
Në fillim të shek. XIX Joan Çetiri dhe nipi i tij, Nikolla, pikturojnë kishën e Shën Gjergjit në Strumë; Nikolla Çetiri kishën e Shën Nikollës në Krutje të Lushnjes (1811); Joan Çetiri dhe djali i tij, Naumi, kishën e Shën Nikollës në Toshkëz të Lushnjes (1813). Joani dhe nipi i tij, Nikolla, kishën e Shën Theodhorit në Kadipashaj (1801). Kërkimi metodik ndoshta mund të përcaktojë edhe një prirje të tretë të ikonografisë ”Shkollën e Myzeqesë”.
Libra historikë të kohërave më të hershme përshkruajnë thesare shumë të çmuara të punimit artistik të metaleve, të gdhendjeve të imta dhe qëndisjeve. Prej gjithë këtyre krijimeve artistike kishtare ruhen mjaft punime gdhendjeje: ikonostasesh, amvonesh, fronesh dhespotikë, ndenjësesh epitropësh etj. (ikonostase në Korçë, Voskopojë, Ardenicë, Labovë, Gjirokastër, Libofshë, Berat, Elbasan, Leusë, Lashovë, Sopik dhe Vithkuq); punime argjendarie e punim metalesh: enë të shenjta (disk e potir), kapakë ungjilli; dhe punime qëndistarie (p.sh. Epitafi i Gllavenicës). Gjer më sot këto nuk janë studiuar aq sa duhet.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë tregon një interesim të veçantë, duke dhënë kontributin e saj për studimin, regjistrimin dhe restaurimin e monumenteve ortodokse të ruajtura gjer më sot. Shumë kisha e manastire, kryesisht në zona të veçuara malore, të pasura me afreske, të kërcënuara nga koha dhe kushtet e disfavorshme atmosferike, presin studiues dhe restaurues. Thesaret e vyera ortodokse të artit të këtij rajoni skajor perëndimor të Perandorisë Bizantine e më vonë të Perandorisë Osmane, ato që nuk u grabitën nga pushtuesit e ndryshëm të kohërave të ndryshme, mbeten pasuri kulturore të Shqipërisë, por dhe në përgjithësi monumente të rëndësishme të krijimtarisë artistike ballkanike e evropiane.
Galeria
RedaktoBurime
Redakto- Γιαννουλάτος Aναστάσιος, “Εκκλησία της Αλβανίας: Ιστορική – Πνευματική Παράδοση. Τέχνη” në librin Χριστόπουλος Γεώργιος Α., Ο ΘΗΣΑΥΡΟΣ ΤΗΣ ΟΡΘΟΔΟΞΙΑΣ. 2000 Χρόνια, Ιστορία • Μνημεία • Τέχνη, Β΄ Τόμος - Πατριαρχεία και Αυτοκέφαλες Εκκλησίες, Εκδοτική Αθηνών, Αθήνα, 2000. (Kryepeshkopi Anastas, THESARI I ORTODOKSISË 2000 Vjet Histori - Monumente - Art. Vol. II - Patriarkanat dhe Kishat Autoqefale).
- Orthodoxalbania.org