Baptisteri i Butrintit është monument i rëndësishëm i periudhës paleokristiane. Përbëhet nga salla e pagëzimit dhe një sallë ndihmëse në veri të saj, të dyja të shtruara me mozaik. Salla e parë është rrethore në plan me diametër 13.50 m, brendashkruar një kuadrati, me dy radhë kolonash graniti. Figurat e mozaikut, kryesisht nga bota e kafshëve, janë vendosur në 69 medalione në shtatë rrathë bashkëqendrorë, që ndërpriten nga dy skena. Salla mendohet të jetë mbuluar me sistem qemeresh e kupolë qendrore mbi kolonat. Është ndërtuar në mesin e shek. VI. Edhe salla tjetër përafërsisht drejtkëndëshe, është e shtruar me mozaik me motive nga bota shtazore e figura gjeometrike. Mozaikët kanë vlera të veçanta artistike dhe zbukurimorja paraqet karakteristika të përbashkëta për një krahinë të gjerë që nga Vjosa deri në Nikopojë.