Dimri i vetmisë së madhe

roman i shkruar nga Ismail Kadare
(Përcjellë nga Dimri i madh)

Dimri i vetmisë së madhe është roman i shkrimtarit Ismail Kadare, botuar në vitin 1973Tiranë. Paraqet pjesën e parë të diptikut "Koha e Grindjes". Romani është epope homerike mbi prishjen e dy shteteve komuniste,[1] i cili prekte temën tabu të përçarjes së botës komuniste.[2]

Dimri i vetmisë së madhe
AutorIsmail Kadare
ShtetiShqipëri
Gjuhashqip
Temaprishja e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike
Zhanriroman
Botoi8 Nëntori
Faqe510
ISBNISBN ISBN 978-99956-87-85-4 Invalid ISBN
Përcjellet ngaKoncert në fund të dimrit 

Vepra Redakto

Ngjarjet zhvillohen në periudhën e prishjes së Tiranës me Moskën, në dimrin e viteve 1960-1961, midis muajve shtator-mars,[3] dhe paraqiten në dy rrafshe: në atë politik e në atë personal, nga tryeza e bisedimeve në Kremlin deri në shtëpitë e njerëzve të thjeshtë në Tiranë.[4] Romani hapet e mbyllet me një stuhi që shtrembëron antenat mbi pallate.[3]

Në këtë vepër Kadare paraqet të gjitha anët e shoqërisë shqiptare.[3] Më përjashtim të Mbledhjes së Moskës ku dominon Enver Hoxha, pjesa më e madhe e romanit i kushtohet gazetarit dhe përkthyesit Besnik Struga dhe marrëdhënies së tij me të fejuarën Zanën. Besniku është gazetar dhe përkthyes i cili shoqëron delegacionin shqiptar në Moskë, me rastin e mbledhjes së 81 partive komuniste të botës në nëntor 1960. Atje marrin pjesë figura të rëndësishme të komunizmit botëror si Andropov, Kosigin, Mikojani, Ubriçti, Ho Çi Mini, Gomulka dhe partizania spanjolle Dolores Ibarruri. Theksohen mosmarrëveshjet mes Hoxhës dhe Hrushovit, ku Hoxha ishte viktima që kundërshtonte Bashkimin Sovjetik dhe shtetet servile të tij. Gjatë përkthimit Besniku bën një gabim në përkthimin e një proverbi rus duke rritur tensionin. Delegacionet e vendeve tjera komuniste shtuan kritikat dhe izolimin e delegacionit shqiptar. Besniku kthehet në Shqipëri i turbulluar nga roli që kishte luajtur në mbledhje. I preokopuar nga gabimi i tij ai nuk e sqaron të fejuarën Zanën mbi ditën e martesës, dhe kjo fillon të mendojë se ai ka gjetur grua tjetër në Moskë.[5]

E fejuara e Besnikut, Zana ëshë bijë e një familje intelektualësh të shquar. Motra e saj është e martuar me shkrimtarin e njohur Skënder Bermema,[6] i cili ka qenë "viktimë e kritikave në shtyp" dhe shihet nga ndoca studiues si reflektim i vetë Kadaresë.[3] Në katin përdhes të shtëpisë së tyre jeton plaka Nurihan e cila dëgjon radiot e huaja duke pritur ndonjë shenjë të ndryshimeve politike, dhe i biri i saj Marku, një violinçelist fati i të cilit është përcaktuar nga përkatësia klasore e tij, i cili paraqet një ndër portretizimet më simpatike të romanit.[6]

Nëna e Zanës, Liria, vendos t'i prishë marrëdhëniet e të bijës me Besnikun duke e denoncuar këtë të fundit tek organizata e partisë dhe drejtori i tij.[5] Shefi i Kuadrit, Raqi, i cili e kishte inat Besnikun e shfrytëzon me mjeshtëri rastin për ta dëmtuar. Partia ndërhyn në jetët private të njerëzve duke i kërkuar llogari Besnikut për ndarjen nga Zana,[3] por ky refuzon të jap shpjegime duke thënë se kjo nuk ka të bëjë me partinë. Aprovimi i tij për tu bërë anëtar partie pezullohet duke përkeqësuar krizën e tij emocionale. Zana në një moment josh mësuesin e saj të frëngjishtes, Markun, djalin e një familjeje borgjeze të rrënuar.[6] Në fund të romanit e ardhmja duket e zymtë, gjendja shpirtërore e Besnikut është e rënduar, vendi vuan nga një dimër i ftohtë ndërsa stacionet e vendeve perëndimore dhe lindore janë ndaluar.Morgan 2011, p. 148

Portreti i Enver Hoxhës, monologët dhe dialogët e tij janë ndërtuar në bazë të procesverbaleve shqiptare të Mbledhjes së Moskës, kurse Kadare vetëm ka kthyer në letërsi realitetin historik.[7] Hoxha paraqitet si figurë që nuk zë në gojë doktrinën, por ia arrin qëllimit që të shkëpusë Shqipërinë nga blloku sovjetik në një kohë kur shpresohej se Shqipëria mund të kthehej drejt Perëndimit.[3] Pavarësisht se duket se e ka paraqitur figurën e Enver Hoxhës në formën e një heroi pozitiv të socializmit, romani përfundon me një nuancë dyzimi ndërkohë që pasojat ekonomike, shoqërore dhe politike fillojnë të ndikojnë në jetën e përditshme. "Heroizmi" i Enver Hoxhës ndikon në tërë vendin në mënyrë katastrofike. Pas ikjes së teknikëve sovjetikë, veprat mbesin të papërfunduara ndërsa vendi mbetet pa punëtorë të kualifikuar. Personazhet detyrohen të bëhen konformistë ose përjashtohen nga shoqëria. Pasiguria e individëve, mosbesimi në shoqëri dhe tabutë politike ndikojnë në marrëdhëniet ndërnjerëzore.[8] Romani shkon drejt paditjes së izolimit të Shqipërisë, dhe për më tepër konteston, qorton dhe ironizon me aludime vlerat e sistemit komunist.[9]

Botimi dhe dënimi Redakto

Kadare e quajti të nevojshme të shkruajë mbi ngjarjet që sapo kishin ndodhur, që t'i kishte duart e lira t'i rikthehej së shkuarës dhe legjendave për të cilat kritikohej që e kishte lënë pas dore Shqipërinë e Re. Mbledhja e Moskës i ofronte një projekt të përmasave Shekspiriane të cilin ai diti ta kapë.[3]

Romani u shkrua në vitin 1971 dhe u dorëzua në shtyp një vit më vonë por doli në qarkullim në fillim të vitit 1973, pas Festivalit të 11 të Këngës. I gjithë tirazhi fillestar prej 25 mijë kopjesh u shit ditën e parë.[3] Sapo doli romani, në shtyp shpërtheu një fushatë e paparë kritikash (terrori[10]) kundër Kadaresë dhe romanit, e cila zgjati muaj me radhë.[11][3] Kritikat filluan me artikuj plot urrejtje në shtyp, pastaj kundër tij u ngritën Ministria e Brendshme, Shkolla e Partisë "V.I.Lenin" dhe Selia e Komitetit Qendror. [3] Ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu deklaroi: "Lexova dyzet faqe dhe pështyva dyzet herë".[10] Në fushatë u përfshinë edhe fshatarë, punëtorë, studentë, ushtarë, kritikë, studiues, zyrtarë të lartë; shkurt, i gjithë mekanizmi i propagandës komuniste[11] Gazetat u përmbytën me denoncime "nga populli".[10]

Kadare kaloi një nga vitet më të errëta të jetës. U kërkua ndalimi i romanit, madje disa zëra kërkuan edhe arrestimin e autorit. Vepra nuk u ndalua zyrtarisht por nuk u rishtyp më. Në kohën që sulmi vazhdonte ai mori një telefonatë nga gruaja e diktatorit e cila shtirej e habitur nga shpërthimi i kritikave.[3] Dramaturgu Ibrahim Uruçi i dërgoi letër Nexhmije Hoxhës duke e marrë në mbrojtje Kadarenë dhe romanin, gjë pë të cilën u internua.[12]

Kadare u akuzua për aktivitet antisocialist, armiqësi ndaj diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave. Përdorimi i fjalës "vetmi" në titull u kuptua si kritikë për Enver Hoxhën.Morgan 2011, p. 153 Më tej u akuzua për mungesë "patriotizmi socialist", për "shtrembërim të historisë së prishjes me Bashkimin Sovjetik", ironizim të "parimeve të socializmit", "futjen e teorive borgjeze të revolucionit seksual", dhe "përkrahje të fshehtë të liberalizmit".[11] Në korrespodencën zyrtare, kritikët e romanit e krahasojnë me romanin disident sovjetik, Pavioni i kancerozëve.[9]

Sekretari i Partisë në Tiranë, Dashnor Mamaqi, në kritikën e tij vinte në dukje tonin e zhgënjimit dhe të zymtësisë duke theksuar se "romani përshkohet nga një lloj ankthi ekzistencialist".[13] Dashuria e njerëzve ndaj kombit në roman shihet nga Mamaqi si patriotizëm "arkaik" dhe jo patriotizëm socialist. Armiku i brendshëm, sipas tij, përshkruhet me ngjyra pozitive, ndërsa brezi i partizanëve paraqitet në kalbëzim shpirtëror dhe psikik. Ata që kërkojnë të futen në Parti paraqiten si të pasigurt dhe imoralë. Më tej romanin e kritikon për përfshirjen e alkoolit dhe prostitucionit në shoqërinë socialiste, dhe për ndikimet surrealiste dhe dekadente.

Në një artikull të botuar në gazetën Zëri i Rinisë, romani sulmohet për shkak se në të nuk ka asnjë përfaqësues të klasës punëtore, të fshatarëve ose kooperativistëve. Në kritikë thuhet:"edhe nëse personazhet nuk janë negativë, nuk paraqiten anët pozitive të tyre". Shkrimtarët në roman përfaqësohen nga R.C. i pamoralshëm ndërsa kritiku letrar Zija Shkurti është i paaftë. Inteligjenca paraqitet e papjekur ideologjikisht dhe e gatshme ta lërë në baltë partinë komuniste. Rinia përfaqësohet nga "Broduejsat" e shthurur. Brezi partizan paraqitet në dekadencë, kurse shefi i kuadrit, Raqi, i cili është element i kohës së Koçi Xoxes, vazhdon të punojë me atë stil, madje siç vihet në dukje, Raqi zhvillohet akoma më shumë si element negativ që përdor mjaft mirë situatat e krijuara për të dëmtuar personat që i ka inat.[14] Autori i artikullit shpreh zhgënjim për mosparaqitjen e unitetit dhe të "heroizmit të Partisë dhe masave punonjëse në luftën dhëmb më dhëmb me revizionizmin". Kritika konkludon se ky roman nuk i shërben edukimit të vërtetë të masave punonjëse, por është shkruar për oreksin e lexuesit të huaj.[14]

Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit Elbasan shfaqi kritika lidhur me personazhin e Zanës. Sipas tij "shkrimtari e fut këtë vajzë me prejardhje, me qëndrim të mirë politik, e katandis në marrëdhënie me një pjesëtar të familjes së deklasuar". Sipas tij në roman shfaqen tendeca feministe, jepet shthurja morale e rinisë, paraqitet një jetë e zymtë dhe një pasiguri pas ndarjes nga Bashkimi Sovjetik. Në fund konkludon se nuk ka vlerën e duhur edukative dhe propozon që të hiqet nga qarkullimi.[15]

Enver Hoxha qëndroi i heshtur dhe reagoi vetëm dy muaj pas fillimit të fushatës.[10] Kur gjatë një vizite në Elbasan u pyet rastësisht se çfarë mendonte për romanin, ai u dha të drejtë atyre që e quanin romanin antisocialist, por theksoi se shkrimtarët janë qenie të veçanta me mendje të mjegulluara. Të ndaloje romanin sipas tij ishte tu jepje të drejtë sovjetikëve. Kjo ndërhyrje u dha fund kritikave. Megjithatë është shtruar pyetja si kishte qenë e mundur të shpërthente një fushatë kaq e egër kundër romanit nëse numri një i Partisë nuk kishte lejuar qentë e regjimit të lëshoheshin drejt Kadaresë.[3]

Botimi i rishikuar, «Dimri i Madh» Redakto

Kadare e rishikoi dorëshkrimin dhe e paraqiti për diskutim nëpër komisione po atë vit. Në përgjigjen zyrtare që mori në nëntor 1973, rishikimet u quajtën të pamjaftueshme.[16] Gjatë tre viteve për librin nuk u fol asgjëkundi.[3] Pa u fashitur stuhia e «Dimrit», në vitin 1975 plasi skandali me poemën Pashallarët e Kuq, e cila kritikonte Partinë, Byronë Politike dhe nomeklaturën komuniste, pa goditur drejtpërdrejtë Enverin.[17] Kadare bëri një autokritikë ku pranoi se ishte armik i Partisë dhe i komunizmit,[18] u syrgjynos në Myzeqe[19] dhe iu ndalua të botonte romane të reja. Për të kapërcyer këtë pengesë iu kthye ripunimit të "Dimrit".[3]

Dorëshkrimi i rishikuar i vitit 1977 nuk i pëlqeu Nexhmije Hoxhës. Disa departmente të KQ të PPSH dhe Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste i drejtuar nga ajo, analizuan në mënyrë anatomike gjithë tekstin e veprës së ripunuar dhe dorëshkrimin ia kthyen mbrapsht autorit shoqëruar me një material të vëllimshëm dhe të detajuar me kritika të gjithfarëshme.[20] Nexhmija tërhoqi vëmendjen rreth paraqitjes së Enver Hoxhës "si i shkëputur nga qeveria e partia", poashtu u kritikua paraqitja e burokracisë partiake dhe vëmendja që i kushtohej figurave si Koçi Xoxe. U hartua një listë e detajuar me pjesë dhe fraza që duhej të hiqeshin.[21] Në botimin e dytë u insistua që vepra të mos quhej «Dimri i vetmisë së madhe».[20]

Ndryshimet më të shumta që bëri Kadare kanë të bëjnë me pasqyrimin e brezit të vjetër, një temë delikate për gardën e vjetër të partisë, kurse pasqyrimi i shthurjes së rinisë nuk pati ndryshime të ndjeshme. U shtuan punëtorët e uzinës "Engels", plaku që zbret nga Bjeshkët e Namuna për të takuar Hoxhën, Hoxha shfaqet si udhëheqës i partizanëve, shtohen kujtimet e brezit partizan nga lufta por ankthi ekzistencialist i tyre mbetet ashtu siç ishte.[22] Në versionin e dytë janë ruajtur pandryshuar pjesët mbi terrorin e policisë sekrete pas luftës, si dhe figura e denoncuesit, shefit të kuadrit të gazetës së partisë.[3] Në këtë pjesë është theksuar më shumë patriotizmi "arkaik" për të cilin ishte kritikuar në botimin e parë, si kundërvënie ndaj regjimit dhe patriotizmit socialist.Morgan 2011, p. 156 Nga studiues të sotëm botimi i dytë është quajtur trukim.

Botimi francez i vitit 1978 është të shumtën rikthim tek versioni i vitit 1973.[3]

Kritikë letrare Redakto

Në kohën e komunizmit, Arshi Pipa e çmonte si «vepër të madhe në rrafsh të invencionit teknik, diçka që mund ta "vlerësojnë vetëm lexuesit profesionalë dhe kritikët letrarë". Pipa e quajti «panenergjist i Enver Hoxhës»,[23] Megjithatë studiuesi bashkëkohor spanjoll Jose Carlos Rodrigo Breto, i specializuar në veprën e Kadaresë, e hedh poshtë këtë mendim, duke pohuar se asesi nuk glorifikohen Hoxha ose Hrushovi, përkundrazi Breto aty sheh sulme dhe akuza ndaj sistemit dhe udhëheqësve komunistë. Në këtë tekst të rrezikshëm, një repertor madhështor i imazheve dëshmon rënien dhe natyrën çnjerëzore të komunizmit.[24] Sipas studiuesit Shaban Sinani, është e sigurt se po të mos kishte qenë në roman figura e Enver Hoxhës, autori do ta kishte pasur pasoja shumë të rënda. Ai thekson se romani shkon drejt paditjes së izolimit të Shqipërisë, dhe për më tepër konteston, qorton dhe ironizon me aludime vlerat e sistemit komunist.[20] Ca studiues vënë re se propaganda komuniste i thurte lavde ndarjes së Shqipërisë nga Perëndimi, ndërsa Kadare i thurte lavde ndarjes së Shqipërisë nga Lindja komuniste.[3] Nga studiues rusë është vënë re se kryeqyteti shqiptar në roman duket si metropol perëndimor aq sa krijohet iluzioni që ndarja e Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik, është ndarje nga komunizmi dhe orientim i ri politik drejt perëndimit.[20]

Në Perëndim romani pati sukses falë tablosë së përgjithshme që jep nga Olimpi i zymtë i botës komuniste.[3]

Pritje të tjera Redakto

Historiani Kastriot Dervishi, në një artikull të botuar në Gazetën Tema tregon se sipas dokumenteve të Sigurimit, disidentja Asamble Hatibi kishte deklaruar në vitin 1978 mbi këtë roman dhe mbi Ismail Kadarenë:

-Enver Hoxhës i pëlqen ta ngresh në qiell, siç ndodh me kapitullin e qëndrimit të tij në Moskë në romanin “Dimri i madh”, ku autori paraqet tërë mizerjen e jetës sonë. Vaniteti (kotësia) e Enver Hoxhës arrin deri aty sa të mos i bëjë përshtypje se vepra e Kadaresë është e zezë. Autori (Ismail Kadare) është i madh se e bën armën e Sigurimit zhele.:— Asamble Hatipi [25]

Ndërsa motra e shkrimtarit, Kadrije Kadare, e cila ishte spiunuar te Sigurimi, kishte thënë se vëllai i saj "është aq i zgjuar saqë në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” diti t’ia hedhë Enver Hoxhës dhe i gjeti pikën më të dobët.[26] Vetë autori ishte i bindur se në të kishte paraqitur një tablo të zymtë të komunizmit dhe udhëheqësve komunistë, dhe që ishte ndryshe nga romanet e realizmit socialist, meqë ishte i zymtë, në të paraqiteshin fantazma ministrash të vrarë etj.[11]

Sigurimi tregoi interes edhe për mendimet e të dënuarve politikë mbi romanin. Kësodore i kërkuan shkrimtarit të dënuar politikisht Visar Zhiti për të dhënë mendim se si i kuptonte "klasa e përmbysur" dhe "armiku i klasës" disa fragmente të «Dimrit të Madh». Hetuesi ia kishte dhënë Zhitit librin e Kadaresë dhe i kishte thënë: «ti je armik dhe ti e kupton më mirë armikun, prandaj edhe përmes analizave të tua ti mund ta ndihmosh Partinë.»[27]

Trashëgimia Redakto

Edhe me rastin e dënimit të veprave të ardhshme do ia rikujtonin Kadaresë "tezat armiqësore" që i kishte hedhur në romanin «Dimri i vetmisë së madhe»: "Revolucioni i ha bijtë e vet" dhe "Socializmi është lufta midis të aftëve dhe të paaftëve, ku fitojnë të paaftët"[28]

Pas këtij romani, Kadare do të braktiste bashkëkohësinë për të ikur në legjenda dhe në të shkuarën e largët të dheut të Arbrit, për të krijuar një Shqipëri tjetër, fisnike, të epokës së humanizmit europian, si sfidë ndaj himnizimit që i bëhej kohës moderne si periudha më e lavdishme në historinë e Shqipërisë. Do të rimerrte dhe tema historike nga Perandoria Osmane për të denoncuar me aluzion Shqipërinë komuniste.[18]

Përkthime Redakto

Vepra është botuar në frëngjisht, Paris 1978; suedisht, Stokholm 1980; gjermanisht, Kiel 1987; spanjisht, Madrid 1991 dhe serbokroatisht.[4]

Koncert në fund të dimrit Redakto

Në vitet 1978-1981 shkroi pjesën e dytë të diptikut, Koncert në fund të dimrit, i cili trajtonte prishjen e Shqipërisë me Kinën. Nga zyrat partiake e shtetërore u konsiderua se ishte një vepër antikomuniste, një tallje me sistemin politik dhe kundërvënie e hapur ndaj ideologjisë komuniste, prandaj mbeti pa u botuar deri në vitin 1988.[29]

Referime Redakto

  1. ^ Apolloni, Ag (2012). Paradigma e Proteut. Prishtinë: OM. fq. 23. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Kadare, Helena (2011). Kohë e pamjaftueshme. Onufri. fq. 316. ISBN 9789995687519. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ a b c d e f g h i j k l m n o p q r Faye, Eric (2012). "Parathënie". përmbledhur nga Kadare, Ismail (red.). Dimri i vetmisë së madhe. Onufri. fq. ix–xiii. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ a b Robert Elsie (2005). Albanian Literature: A Short History. I.B.Taurus. fq. 182–183. ISBN 1-84511-031-5. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ a b Morgan 2011, p. 146
  6. ^ a b c Morgan 2011, p. 146-147
  7. ^ Faye, Eric (2012). "Parathënie". përmbledhur nga Kadare, Ismail (red.). Dimri i vetmisë së madhe. Onufri. fq. vii–xii. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  8. ^ Morgan 2011, p. 149
  9. ^ a b Sinani 2011, p. 96
  10. ^ a b c d Morgan 2011, p. 153
  11. ^ a b c d "Disidenca te "Dimri i madh"". Gazeta Shqip (në anglisht). 5 shtator 2014. Marrë më 30 shtator 2017.
  12. ^ Morgan 2011, p. 156
  13. ^ Morgan 2011, p. 150
  14. ^ a b Kaloçi, Dashnor (2018). Kadare dhe regjimi komunist. Mapo. fq. 314–316. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  15. ^ Kaloçi, Dashnor (2018). Kadare dhe regjimi komunist. Mapo. fq. 307–308. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  16. ^ Morgan 2011, p. 153-154
  17. ^ Morgan 2011, p. 164-165
  18. ^ a b Sinani 2011, p. 98
  19. ^ Morgan 2011, p. 175
  20. ^ a b c d Sinani 2011, p. 96
  21. ^ Morgan 2011, p. 156
  22. ^ Morgan 2011, p. 154
  23. ^ Hamiti, Muhamet (2017). "Pamje e letërsisë shqipe në studimet e Arshi Pipës" (PDF). kens.al. Kêns 1, 2017. fq. 154. ISSN 2521-7348. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 9 gusht 2017. Marrë më 1 nëntor 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  24. ^ Jose Carlos Rodrigo Breto (2013). "El gran invierno". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  25. ^ Asamble Hatibi (2017-08-02). "Hoxha është pederast, për këtë vrau Kokalarin dhe gjellëbërësin e tij që e kish mbajtur për marrëdhëniet e mësipërme". Gazeta Tema. Marrë më 2018-11-01. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  26. ^ Kadrije Kadare (2017-08-01). "Deklaratat e motrës së Kadaresë, kundër regjimit komunist: E ku pyet bota jashtë për veprat e Enverit?". Telegrafi.com. Marrë më 2018-11-01. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  27. ^ Sinani 2011, p. 33-34, 427.
  28. ^ Sinani 2011, p. 272
  29. ^ Stampa:1=Sinani

Bibliografia Redakto

  • Dervishi, Met (2014). Intertekstualja dhe disidentja te Dimri i Vetmisë së Madhe. Tirana: Saras.
  • Sinani, Shaban (2011). Letërsia në totalitarizëm dhe "Dossier K". Naim Frashëri.
  • Kadare, Helena (2011). Kohë e pamjaftueshme. Tirana: Onufri. ISBN 978-99956-87-51-9.
  • Jose Carlos Rodrigo Breto (2018). Ismail Kadare: La grand estratagema. Barcelona: Ediciones del Subsuelo. ISBN 978-84-947802-0-2.
  • Morgan, Peter (2011). Kadare: Shkrimtari dhe diktatura 1957-1990 (bot. 1). Tiranë: Shtëpia Botuese "55". ISBN 978-9928-106-12-4.
  • Apolloni, Ag (2012). Paradigma e Proteut. Prishtinë: OM.