Erveheja është një poemë e shkruar nga Muhamet Çami rreth vitit 1820. U botua për herë të parë e tejshkruar me alfabetin e Stambollit dhe e purifikuar nga orientalizmat nga Jani Vreto, në Bukuresht1888.

Rrëfenja romantike në vargje e njohur me emrin Erveheja, në fillim mbante titullin Ravda (Kopshti). Burimi i variantit poetik të Ervehesë së Kyçykut është Tûtî-nâme-ja persiane (Rrëfenja e një papagalli) e Zijaudin Nakshabit (Ziyâ'uddîn Nakhshabî), e frymëzuar nga origjinali sanskritisht Shukasaptati.[1] Kjo poemë me strofa katërvargëshe e tetërrokësh me rimë ABAB jep peripecitë e së bukurës Ervehe, e cila ia del mbanë të mbrojë nderin e virtytin e saj, duke kaluar shumë sprova e fatkeqësi.[2]

Ideja e kësaj historie moralizuese për «virtytin e femrës» ndeshet mjaft në historinë e letërsisë. Teksti shqip prej shtatëmbëdhjetë faqesh përbëhet nga 856 vargje dhe ruhet në Bibliotekën KombëtareTiranë.[2]

Është edhe nga të rrallat vepra të bejtexhinjve të botuara në shekullin e nëntëmbëdhjetë, ndonëse në një variant të ndryshuar. Publicisti rilindës Jani Vreto jo vetëm e transliteroi dhe e botoi Ervehenë në Bukuresht më 1888, por edhe e purifikoi nga leksiku turqisht, persisht e arabisht i shqipes së Kyçykut. Sipas Elsie varianti origjinal është më i kuptueshëm dhe ruan karakterin narrativ të pastolisur të një historie poetike, ndërsa varianti i përpunuar i Vretos rreket ta paraqesë veprën në një formë më epike me epitetet përkatëse.[2]

Përshtatje

Redakto

Më 1967 me motivet e poemës Ahmet Qirezi e përshtati në zhanrin e dramës. Më tej u inskenua me sukses me regji nga Muharrem Qena, drejtor i Teatrit Popullor Krahinor. Erveheja u vu në skenë më pas në Tiranë më 1972.[2]

Studime

Redakto

Për këtë vepër, orientalisti Osman Myderizi shkroi artikuj shkencorë më 1951, 1957 dhe Ardian Vehbiu më 1989.[2]

Referime

Redakto
  1. ^ Elsie, Robert (2005). Albanian Literature: A Short History (në anglisht). I.B.Taurus. fq. 41. ISBN 1-84511-031-5.
  2. ^ a b c d e Robert Elsie (1995), Histori e Letërsisë Shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997.