Filip Shiroka (Shkodër, 3 gusht 1859 - Bejrut, 14 nëntor 1935) ka qenë inxhinier, poet lirik dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.

Filip Shiroka
U lind më13 gusht 1859[1]
Shkodër, Perandoria Osmane (tani Shqipëri)
Vdiq më14 nëntor 1935 (76 vjet)[2]
Bejrut, Libani i Madh

Biografia

Redakto

U lind më 1859Shkodër, i biri i Ejll ose Angjelin Shirokës dhe i Rozes së Ndoc Heqimit. Mësimet fillore i mori tek etërit françeskanë, ndër mësuesit e tij qe edhe françeskani arbëresh Atë Leonardo de Martino.[3] Pasi i ati pësoi disa humbje në tregti në vogëlinë e Filipit, më 1877 hapi një dyqan për të lidhur libra te Dugajtë e Reja në qytetin e vendlindjes.[4]

Gjatë ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, u dërgoi javë për javë artikuj gazetave italiane L'osservatore triestino dhe Il Piccolo, përmes të cilave u bëri të ditur opinionit italik paudhësitë në pësonin në kurriz shqiptarët nga Mbretënija e Stambollës qi ndigjonte fjalët e anmiqve t'onë (dhe anmiqve të vet).[5] Në letrat me Sotir Kolean, Shiroka pohonte se ka qenë "përgjegjësi i fletoreve L'Osservatore Romano dhe La voce della verità dhe se kishte shkruajtur shumë edhe tek Osservatore Triestino dhe Il Cittadino që botoheshin në Trieste.[6]

Më 1880, pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit, emigroi në Lindjen e Afërt, ku punoi si inxhinier ndërtimi hekurudhash. Atje formoi familje me një grua të huaj dhe u trashëguan me djalë, të cilit i dha emrin e të atit, Angjelini[7] dhe një vajzë, Alice.[8] Megjithatë, me anë të letërkëmbimeve me të afërmit e tij interesohej për gjendjen e vendlindjes dhe risitë e emërimeve në dikasterit e shtetit të pavarur shqiptar.[7]

Nga letërkëmbimi i tij, mund të kuptohen vendqëndrimet e përkohshme sa në Liban, sa në Misir. Më 14 shtator 1892, nga një letër dërguar Faik Konicës, kuptohet se është në Beirut.[9] Më 1900 u kthye në Shkodër për pak kohë.[10]

Më 8 gusht 1911 gjendej në Kairo, dhe po në atë periudhë në një letër dërguar Koleas në Aleksandri nga Asiuti, Shiroka përcjell se po merrej vesh me autoritetet hekurudhore që të vendosej me banim në kryeqytetin e sotëm egjiptian. Më 29 prill 1912 në një letër dërguar po Koleas, kumton se e kishin diagnostifikuar anemik Sipas letërkëmbimit të tij, Shiroka gjendej në Kairo së paku deri më 15 janar 1921.[9] Atë vit emërohet kryetar i shoqërisë "Vllazëria e shqiptarvet në Misir".[10]

Më 9 dhjetor 1930 në një letër dërguar Zef Sumës, kumton se gjendet në Hadet, pranë Beirutit.[7] Vend ku priti edhe letrat e tjera nga kushëriri i tij.

Poema e parë e botuar ishte All’Albania all’armi, all’armi!, një poezi me theks luftarak kombëtar kushtuar mbrojtjes së Ulqinit[11] kur fuqitë e mëdha, pasi dështuan t'i jepnin Malit te Zi, Hotin e Grudën, vendosën t'ia kompensojnë me Ulqinin e Tivarin. U shkrua në italisht dhe u publikua në Osservatore CattolicoMilanos1878.[12] Vjersha u ribotua më 15 shtator 1886 me emrin e pendës Karolip Shifip në të përkohshmen Fiamuri Arbërit botuar nga De Rada.[13]

Shiroka kishte letërkëmbim të gjerë me bashkëatdhetarët, si të vendlindjes me djalin e dajës Zef Sumën ashtu edhe të idealit kombëtar. Ndër figurat me të cilat ka shkëmbyer letra të cilat gjenden në fondin e tij në Arkivin e Shtetit, janë Faik Konica, Nikollë Ivanaj, Nikolla Naço, Andon Zako Çajupit dhe Leonidha Naço.[9]

Poezia kombëtare, satirike dhe meditative e Shirokës në gjuhën shqipe u shkrua kryesisht nga 1896 deri më 1903. Ajo doli në organe shtypi si Albania e Faik Konicës, në periodikë shqiptarë që botoheshin në Egjipt, dhe në të përmuajshmen fetare të Shkodrës Elçija i Zemers t'Jezu Krisctit. Shiroka, i cili përdorte edhe pseudonimet Geg Postrippa dhe Ulqinaku, është autor i të paktën gjashtëdhjetë vjershave, tre tregimeve të shkurtra, disa artikujve e përkthimeve, sidomos përkthime veprash fetare të liturgjisë katolike.[12] U mor gjithashtu edhe me mbledhje folklori që nga 1908, sidomos këngëve popullore të veriut shqiptar, të cilat i botoi te Albania me pseudonimet e lartpërmendura.[14] Më 1921 botoi Moji i të dekunve, në prozë, në Shtypshkronjën e të Papërlyemes në Shkodër. Në këtë vëllim, me gjuhë të thjeshtë dhe të ëmbël, shtjellon se ç'duhet të dijë një i krishterë i mirë për t'i ndihur shpirtërat e Purgatorit. Ndjesitë e veta fetare Shiroka i radhit që nga zanafilla: edukata dhe mirërritja që kishte marrë në gjirin e familjes.[3]

Përmbledhja e tij poetike, Zani i zemrës, Tiranë 1933, të cilën e hartoi në zgrip të shekullit, u botua nga Ndoc Nikaj dy vjet para vdekjes së Shirokës në Beirut.[12]

Referime

Redakto
  1. ^ Vila 1986, p. 3
  2. ^ Vila 1986, p. 8
  3. ^ a b "Në dekë të veteranit shqyptar, Filip Shirokës". Hylli i Dritës vj. XI, nr. 12. dhjetor 1935. Arkivuar nga origjinali më 2 maj 2018. Marrë më 8 mars 2018.
  4. ^ Koliqi, Ernest (1933). "Filip Shiroka: Vjerrshatari i dallëndyshave" (PDF). Minerva: 27–29.
  5. ^ Shiroka, Filip (2005). Zani i Zemrës. Tiranë: Toena. fq. 32. ISBN 99943-1-039-9.
  6. ^ Shiroka 2005, pp. 195-196.
  7. ^ a b c Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Shkodër: Kolë Idromeno. fq. 579–581.
  8. ^ Shiroka 2005, p. 201.
  9. ^ a b c Shiroka 2005, pp. 175-220.
  10. ^ a b Shiroka 2005, p. 247-250.
  11. ^ Norris, H. T. (1993). "Islam in the Balkans: Religion and Society Between Europe and the Arab World" (në anglisht). Univ. of South Carolina Press. fq. 207. ISBN 9780872499775. Marrë më 8 mars 2018.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  12. ^ a b c Elsie, Robert (1997) [1995]. "Histori e Letërsisë Shqiptare" (PDF). Pejë: Dukagjini. Marrë më 8 mars 2018.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  13. ^ Kondo, Ahmet (1982). "Çështja kombëtare në faqe të shtypit të Rilindjes". 8 Nëntori. fq. 52–53. Marrë më 8 mars 2018.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  14. ^ Podgorica, Fadil (2004). Fjalori etnofolklorik. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 406. ISBN 9992749970.

Referime

Redakto
  • Vila, Besa (1986), Zani i zemrës dhe shkrime të tjera, Tirana: Naim Frashëri Publishing House