Hanet kanë qenë ndërtime të ngritura gjatë rrugëve të komunikacionit ose në qendrat e banuara për t’u shërbyer udhëtarëve e karvanëve me kafshë. Përbëheshin nga mjediset e fjetjes dhe të shërbimeve. Pranë tyre ngriheshin punishte për nevojat e kafshëve. Në qytete, zakonisht ishin pranë pazareve. Planimetria më karakteristike e haneve ishte një oborr i brendshëm me ndërtesa dykatëshe përreth. Kati përdhes përdorej për stalla e depo ndërsa në ballin nga rruga, për dyqane. Në katin e sipërm ishin dhomat e fjetjes, me një galeri të hapur ndaj oborrit. Pajisjet e dhomave të haneve ishin tepër të varfra.