Hans-Joachim Lanksch përkthyesi i letërsisë shqipe në Gjermani. Ka lindur në vitin 1943 në Braunschweig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Mynih, ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji. Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqiptare u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë me prof. Martin Camajn, i cili drejtonte atëbotë degën e albanologjisë në universitetin elitar "Ludëig-Maximilian" të Mynihut. Falë kësaj njohjeje zoti Lanksch nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë kandin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse. Puna e tij është laureuar me çmimet "Nikolaus Lenau" i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999); "Penda e Argjendtë" (Tiranë 2002) dhe "Azem Shkreli" (2018). U nda nga jeta më 20 maj 2019.