Industria elektroteknike në Shqipëri

Industria elektroteknike në Shqipëri është ngritur vetëm pas Çlirimit.

Në vitet e para u mor kryesisht me riparimin e makinave, pajisjeve dhe aparateve elektrike. Më 1962 u ngrit ndërmarrja e parë e I.E. Uzina elektromekanike në Tiranë, ku filloi projektimi dhe prodhimi në seri i elektromotorëve asinkronë me fuqi deri 3 kW, prodhimi i transformatorëve të fuqisë deri 50 kW me tension deri 60 kV, etj. Sot në këtë uzinë prodhohen disa dhjetëra tipa motorësh dhe transformatorësh me fuqi deri qindra e mijëra kVA. me tensione deri dhjetëra kV, që përballojnë nevojat kryesore të vendit, ndër të cilët motorë elektrikë asinkronë e sinkronë, transformatorë të fuqisë, transformatorë dhe agregate të saldimit, transformatorë matës të rrymës dhe të tensionit, pulte të komandimit dhe pika shpërndarëse të energjisë elektrike. Po më 1962 u ngrit edhe Uzina elektromekanike në Durrës, filloi të prodhojë motora elektrikë asinkronë, transformatorë dhe gjeneratorë të saldimit, si dhe mjaft pajisje elektrike për ind. dhe konsumin e gjerë.

Më 1969 u ngrit Uzina elektroteknike në Tiranë, e cila mbi bazën e specializimit e kooperimit, prodhon pajisje elektroshtëpiake ngrohëse. ndriçues inkandeshentë e lumineshentë, pajisje të imëta elektrike, pajisje elektrike automjetesh matës të energjisë elektrike dhe shumë aparate të tjera. Më 1969 u ngrit edhe Fabrika e llambave elektrike në Vlorë (shih), që prodhon llamba elektrike inkandeshente e lumineshente, me tension dhe fuqi të ndryshme. Më 1973 u ngrit Uzina elektromjekësore në Tiranë, e cila prodhon komplekse aparaturash radiologjike, fizioterapike, aparatura të ndryshme laboratorike për mjekësinë etj. I.E. sot plotëson një pjesë të madhe të nevojave të vendit për makineri e pajisje elektrike, për aparatura të ndryshme për industrinë, ndërtimin, mjekësinë, ekonominë komunale dhe konsumin e gjerë etj.