Inteligjenca e përgjithshme artificiale

Inteligjenca e përgjithshme artificiale (ang. Artificial General Intelligence ose shkurtimisht AGI) i referohet një forme të inteligjencës artificiale që është e aftë të kryejë apo të mësojë çdo detyrë njohëse[1] që karakterizon njeriun apo gjallesat e tjera. Krijimi i një inteligjence artificiale të përdorimit të përgjithshëm është një nga synimet kryesorë të kompanive si OpenAI[2], DeepMind dhe Anthropic. Ky koncept është gjithashtu një temë e rëndësishme e fantashkencës dhe e parashikimeve për të ardhmen. Edhe pse GPT-4 është përshkruar si një model që ka shfaqur "shkëndija të inteligjencës artificiale të përgjithshme", në vitin 2024 ende nuk ekziston asnjë inteligjencë artificiale që të konsiderohet unanimisht e përgjithshme.

Pavarësisht potencialit të saj për të qenë jashtëzakonisht e dobishme në shumë fusha, studimet e tanishme po shqyrtojnë rreziqet e mundshme të kësaj teknologjie në zhvillim. Veçanërisht shqetësojnë rreziqet e keqinformimit dhe papunësisë masive. Sipas ekspertëve të inteligjencës artificiale, si Stjuart Rasëll, Joshua Benxhio, Xhefri Hinton dhe të tjerë studiues të fushës, humbja e kontrollit mbi këtë teknologji mund të sjellë rreziqe ekzistenciale, duke përfshirë edhe fundin e njerëzimit.[3]

Terminologjia

Redakto

Sipas shumicës së ekspertëve, inteligjenca e përgjithshme artificiale (IPA) ose inteligjenca artificiale në nivel njerëzor i referohet aftësisë së një makine autonome për të kryer të gjitha detyrat mendore që mund të kryejë një njeri. Ky përkufizim mjaft kufizues nënkupton se një inteligjencë artificiale mund të prodhojë tekst me cilësi të lartë dhe të jetë shumë më i shpejtë se një njeri dhe sërish të mos konsiderohet si "e përgjithshme", nëse ekzistojnë ende detyra që ajo nuk i kryen aq mirë sa një njeri. Nga ana tjetër, OpenAI e përkufizon IPA-në si një sistem shumë autonom që është i aftë të tejkalojë njeriun në shumicën e detyrave me interes ekonomik.

Inteligjenca e përgjithshme artificiale njihet gjithashtu si inteligjencë artificiale e fuqishme, inteligjencë e plotë, inteligjencë në nivel njerëzor ose veprim inteligjent i përgjithshëm. Megjithatë, disa burime akademike rezervojnë termin "inteligjencë artificiale e fuqishme" vetëm për programet kompjuterike që përjetojnë ndjeshmëri ose ndërgjegje. Në kontrast, inteligjenca artificiale e dobët (ose inteligjenca artificiale e ngushtë) është e aftë të zgjidhë një problem specifik, por i mungojnë aftësitë njohëse të përgjithshme. Disa burime akademike përdorin termin "inteligjencë artificiale e dobët" në mënyrë më të gjerë për t’iu referuar çdo programi që nuk përjeton ndërgjegje ose që nuk ka mendje në të njëjtin kuptim si njerëzit. Ky dallim midis inteligjencës artificiale të fuqishme dhe asaj të dobët lidhet me konceptin filozofik të vetëdijes, duke vënë theksin tek aftësitë njohëse të përgjithshme krahasuar me zgjidhjen e detyrave të veçanta.

Këto koncepte lidhen me hipotezën e inteligjencës artificiale të fuqishme dhe të dobët, të paraqitura në eksperimentin mendor të argumentit të "dhomës kineze". Termi "super-inteligjencë artificiale" ose "mbi-inteligjencë" përshkruan një inteligjencë artificiale me aftësi mendore shumë më të larta se ato të njeriut në pothuajse të gjitha fushat. Ekspertët shfaqin pasiguri të madhe lidhur me kohën që do të nevojitet për të kaluar nga një inteligjencë teknike në një super-inteligjencë artificiale, me vlerësime që variojnë nga më pak se një orë deri në disa dekada, duke supozuar se kjo është e mundur. Megjithatë, këta terma mund të kenë përkufizime të ndryshme dhe janë mjaft të paqarta, aq sa bëhet e vështirë të kategorizohet nëse një inteligjencë artificiale është e përgjithshme.

Përfitimet

Redakto

Inteligjenca e përgjithshme artificiale ka një gamë të gjerë përdorimesh. Nëse drejtohet drejt qëllimeve frytdhënëse, kjo inteligjencë e përgjithshme artificiale mund të ndihmojë në lehtësimin e shumë prej problemeve të tanishme të botës si uria, varfëria dhe sëmundjet.[4][5] Ajo mund të përmirësojë ndjeshëm produktivitetin dhe efikasitetin në shumicën e punëve. Për shembull, në fushën e shëndetit publik, kjo teknologji mund të përshpejtojë kërkimet mjekësore, sidomos në luftën kundër kancerit. Ajo mund të kujdeset për të moshuarit dhe të bëjë të mundur një qasje të barabartë ndaj diagnostikimeve të shpejta e cilësore mjekësore.[6] Gjithashtu, IPA-ja mund të ofrojë një arsimim argëtues, të lirë dhe të personalizuar për gjithsecilin.[7] Me shpërndarjen e drejtë të pasurisë që prodhohet, nevoja për të punuar për mbijetesë mund të shndërrohet në një relike të së shkuarës. Megjithatë kjo ngre edhe pyetje të mëdha mbi pozitën e njeriut në një shoqëri tërësisht të automatizuar.

Keqpërdorimet

Redakto

Krijimi automatik i imazheve ose teksteve të besueshme është tashmë i mundur dhe ka pasoja konkrete. Për shembull, një imazh i rremë që tregonte një shpërthim në Pentagon më 22 maj 2023 [8], i shpërndarë nga llogari financiare dhe media ruse, shkaktoi një rënie të përkohshme prej 0.3% në tregjet e aksioneve amerikane.

Inteligjenca e përgjithshme artificiale mund të arrijë një kuptim më të mirë të kontekstit, të bashkëveprojë me mjete të tjera dhe të bëhet më bindëse, strategjike, e personalizuar dhe autonome. Aftësia e modeleve të inteligjencës artificiale për të prodhuar përmbajtje me shpejtësi të madhe dhe me kosto të ulët mund të përmbytë internetin me tekste, imazhe ose video të prodhuara automatikisht. [9] Ky kontroll mbi informacionin mund të përdoret gjithashtu nga regjime autoritare për qëllime mbikëqyrjeje dhe kontrolli. Kjo mund të intensifikojë përhapjen e dezinformimit dhe propagandës. Një zgjidhje e propozuar është adoptimi i gjerë i sistemeve digjitale që do t’i lejonin përdoruesit të provojnë në mënyrë anonime që vërtetë janë njerëz. Kjo do të ndihmonte në filtrimin efektiv të llogarive të rreme dhe përmbajtjeve të krijuara automatikisht.

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ "Kuptimi i fjalës Njohës ‹ FJALË". fjale.al. Marrë më 2024-12-09.
  2. ^ "Planning for AGI and beyond". openai.com (në anglishte amerikane). Marrë më 2024-12-09.
  3. ^ Varanasi, Lakshmi. "Here's how far we are from AGI, according to the people developing it". Business Insider (në anglishte amerikane). Marrë më 2024-12-09.
  4. ^ Vota, Wayan (2024-10-31). "Kozma Test for AGI: Can Artificial Intelligence End Global Poverty?". ICTworks (në anglisht). Marrë më 2024-12-10.
  5. ^ Dembski, William A. (2024-01-30). "AGI: The Poverty of the Stimulus". Evolution News (në anglishte amerikane). Marrë më 2024-12-10.
  6. ^ Lin, B., Chen, Z., Li, M., Lin, H., Xu, H., Zhu, Y., Liu, J., Cai, W., Yang, L., Zhao, S., Wu, C., Chen, L., Chang, X., Yang, Y., Xing, L., Liang, X. (2023), Towards Medical Artificial General Intelligence via Knowledge-Enhanced Multimodal Pretraining (në anglisht), marrë më 10 dhjetor 2024
  7. ^ Latif, E., Mai, G., Nyaaba, M., Wu, X., Liu, N., Lu, G., Li, S., Liu, T., Zhai, X., AGI: Artificial General Intelligence for Education (në anglisht)
  8. ^ Passantino, Donie O'Sullivan,Jon (2023-05-22). "'Verified' Twitter accounts share fake image of 'explosion' near Pentagon, causing confusion | CNN Business". CNN (në anglisht). Marrë më 2024-12-10.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja)
  9. ^ Milmo, Dan; Stacey, Kiran (2023-09-25). "Experts disagree over threat posed but artificial intelligence cannot be ignored". The Guardian (në anglishte britanike). ISSN 0261-3077. Marrë më 2024-12-10.