Ismail Mehmeti lindi më 27 qershor 1982 në lagjen DrenocTetovës, Maqedoni i njohur si ushtar shqiptar dhe ra dëshmor17 gusht 2001 gjatë luftës në Maqedoni.

Ismaili rrjedh nga një familje me tradita patriotike e atdhetare. Si djalë i vetëm i prindërve dhe dy motrave, që në fëmijëri tregoi një zgjuarsi të rrallë dhe një këmbëngulje për realizimin e detyrave që donte të bënte. Tetëvjeçaren e ka kryer në Shkollën "Migjeni" të Tetovës me rezultate të mira. Vitin e parë të shkollës së mesme e filloi në gjimnazin e qytetit por për arsye të bindjeve dhe problemeve të tjera ai vazhdoi mësimet në shkollën teknike. Pasditeve punonte në një internet-kafe në qytetin e Tetovës.

Ismaili rrezatonte një kulturë dhe edukatë të gjerë. Sjellja, kultura dhe dija e tij kishte rënë në sy tek të gjithë njerëzit që e rrethonin, si dhe te familja e tij. Ismailit nuk i mungonte guximi e trimëria. Ngjarjet e Kosovës si dhe vrasja e xhaxhait të tij, Hasan Mehmetit, në luftën e Kosovës, rrisin edhe më tej karakterin e tij. Kjo natyrë duket në krijimet e tij dhe në disa poezi që gjenden në dorëshkrimet që ka lënë. Puna e tij ne internet-kafe, disa fakse e faksimile flasin për jetën e Ismailit si një i ri patriot, i formuar me ide të urrejtjes për pushtimin maqedonas dhe me qëndrim të prerë drejt bashkimit kombëtar.

Ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që luftonte për lirinë e shqiptarëve në territoret e administruara nga Maqedonia, gjatë vitit 2000. Këmbëngulja e tij për të shkuar në luftë që me fillimin e saj më 14 mars 2001, me gjithë refuzimin e disa komandantëve, duke qenë djalë i vetëm, u tregoi atyre vendosmërinë e tij. Ai e urrente pushtimin, diskriminimin dhe ishte për të luftuar, rrugë nga e cila nuk e shmangën dot. Ismaili në fillim shkoi në Brigadën 116 (e cila më vonë mori emrin e Komandantit, Tahir Sinani) dhe pas një kohe, meqë Brigada nuk po hynte në luftim, u kthye në Drenoc në Brigadën 112 "Mujdin Aliu" ku dhe u plagos më 16 gusht 2001. Me gjithë ndërhyrjet mjekësore në spitalin e Brigadës, ai ndërroi jetë më datën 17 gusht.

Ismailin për në banesën e fundit, në fshatin Xhepçisht, populli e përcolli me respekt të veçantë, nderim e dhimbje. Jeta dhe vepra e Ismailit do të ndrijë me rreze të arta në radhët e të gjithë dëshmorëve të Atdheut. Jeta e tij do të jetë për rininë tonë një frymëzim e sinjal për veprim për ralizimin e amanetit të dëshmorëve.