Kefali (greq. Kefalos, lat. Cephalus) - i biri i zotit Hermes dhe dashnores së tij Herzes, bijës së Kekropsit, mbretit të parë të Athinës.

Si zot ishte i bukur dhe njësoj e bukur ka qenë edhe bashkëshortja e tij, Prokrida, e bija e Erehteut, mbretit të tretë të Athinës. Perveç Prokridës Kefali e ka dashur edhe vetëm gjahun. Nuk është përpjekur që ta marrë pushtetin dhe as që i donte gratë e tjera, ka qenë i pajisur me të mirat e shumta të kësaj bote, prandaj ka jetuar në lumturi dhe i kënaqur. Ndoshta kështu kishte për t'i jetuar dhe ditët e mbrama të jetës, sikur të mos dashurohej të Eosa, hyjnesha e agimit dhe ta çojë në skaj të botës. Përkundër të gjitha premtimeve dhe të ngashënjimeve të saja e ruajti besnikërinë ndaj Prokrides dhe hyjneshën e luti vetëm për një gjë : që t'i lejojë që të kthehet në shtëpi. Në fund Eosa ia plotësoi lutjen e tij, por e detyroi që të bindet se a është edhe Prokrida poashtu besnike ndaj tij, sikur që është ai ndaj saj. Në të vërtetë i ka njohur gratë dhe ishte e bindur se do t'i hakmerret. Kefali pranoi që të shndërrohet në një pamje tjetër dhe plotësisht i lumtur iu kthye Prokridës.

Në fillim çdo gjë ishte ashtu siç e ka paramenduar. Prokrida i refuzonte të gjitha ofertat e tij, duke e përsëritur se është e martuar dhe se është grua besnike ndaj burrit të saj. Kur përpiqej që ta bindë se burri i saj është vrarë, i përgjegji se do t'i mbesë besnike edhe pas vdekjes së tij. Kefali pastaj ia paraqiti stolitë e mrekullueshme dhe Prokrida u luhat. Në momentin kur Eosa më nuk u hamend, ia ktheu Kefalit pamjen e tij të vërtetë, kurse Pro krida e shkarëzuar dhe e turpëruar, ik në male.

Një kohë të gjatë Kefali nuk ka mundur të shërohet nga dëshpërimi, por me kohë mbizotëroi dëshira për Prokridën, andaj u nis ta kërkojë. E gjeti në përcjelljen e Artemidës dhe hyjnesha si adhuruesit të vet ia ktheu Prokridën. Për më tepër, lejoi që Prokrida t'ia falë dhuratat që i kishte fituar prej saj: shigjetën magjike e cila kurrë nuk e dështon cakun dhe zagarin para të cilit nuk ka mundur të ikë asnjë qenie e gjallë.

Megjithatë, me kthimin e Prokridës lumturia nuk u kthye në shtëpinë e Kefalit. Në besë një bari i tha Prokridës se e kishte ndëgjuar Kefalin i cili në pyll e thërriste njëfarë Nefele. Bariu me siguri ka qenë një i ri, i cili nuk mirrej vesh në mitologji dhe se nuk ka pasur kurrfarë kuptimi për metaforën poetike : Nefela është hyjneshë e reve dhe kur Kefali e thirrte emrin e saj mendonte në renë, nën hijen e të cilës dëshironte të pushojë pas gjahut të mundimshëm. Të nesërmen Prokrida menjëherë u nis për në pyll dhe u fsheh në kaçubën jolarg fushës ku Kefali rëndomtë pushonte. Kur e ndjeu zërin e tij : "O, Nefelë, plotë dashuri, eja dhe largoma lodhjen time...!" menjëherë e kuptoi qartë se Kefali ka ardhur në takim me hyjneshën. Nuk mundi të përmbahet dhe ia plasi vajit. Kefali kërceu dhe, duke menduar se në kaçubë fshihej bisha, menjëherë e hudhi atje shigjetën e vet. Sipas britmës kuptoi se e ka goditur bashkëshortën e vet. Plaga qe vdekjesjellëse. Kur Prokridës nuk mundi më t'i ndihmojë dhe nuk mundi t'ia lehtësojë vuajtjet trupore, të paktën ia lehtësoi atë shpirtërore : ia Shpjegoi gabimin me thirrjen e emrit të hyjneshës dhe kështu Prokrida vdiq në prehërin e tij, me buzë në gaz.

Sikurse secili që e vret njeriun edhe Kefali ka qenë i detyruar ta braktisë qytetin ku ka lindur. Strehimin e gjeti në Tebë dhe ndihmoi që qyteti të çlirohet nga dhelpra e egër e Teumesë, të cilës tebanët ishin të detyruar që çdo muaj t'i flijojnë një djalë. Më vonë me mbretin Atafitrion shkoi në luftë kundër Tafiut, armikut të vet. Pas ngadhënjimit e fitoi prej tij ujëdhesën në bregun perëndimor të Peloponezit, i cili sipas emrit të tij u quajt Kefaloni.

Miti për Kefalin dhe Prokridën sot na është i njohur kryesisht nga Metamorfozat e Ovidit. Prej duarve të artistëve grekë janë ruajtur vetëm disa vizatime dhe piktura në vaza me figurën e tij, ndërsa nga koha helenistike ansambli skulptural Kefali dhe Prokrida (sot gjendet në Muzeun e Vatikanit). Prej veprave të reja të njohura janë pikturat e Nicolas Poussinit (Nikolas Pusinit) Kefali dhe Eosa i Claud Lorraineit (Klod Lorenit) Kefali dhe Prokrida të cilët sërish i ka bashkuar Afrodita (e viteve 1630, dhe 1640, të dyjat në Galerinë Popullore në Londër). Këtyre pikturave u bashkohet edhe ajo e fundit, piktura e pakryer e Rubensit dhe gjendet në të njëjtën galeri. Operën Kefali dhe Prokrida e komponoi Andre Grëtryn.

Historianët modern tregojnë interesim të madh për këtë mit. Në të me të vërtetë gjejnë elemente që e vërtetojnë mendimin se kanë ekzistuar lidhjet dhe kontaktet e kahershme në mes të Athinës dhe ujdhesave të bregut perëndimor të Greqisë.