Sipas legjendës shqiptare thuhet se: “Dikur një djalë i ri nga fshati shkon tek guri i “Bletës” për të marrë mjaltë. Aty kishte shumë bletë dhe mjalti ishte në sasi të madhe. I riu futet brenda në gur dhe fillon të mbushë enët me mjaltë. Guri i thotë djalit se duhet të marrësh mjaltë vetëm aq sa të takon. Por ai nuk e dëgjon duke vazhduar të marrë mjaltë pa u ndalur. Atëherë guri mbyllet duke e zënë brenda. Djali fillon e rënkon. Zëri i tij dëgjohet dhe njerëz nga fshati i shkojnë në ndihmë për ta nxjerrë nga guri. Ata përdorin mjete të ndryshme si pyka prej thane për të hapur gurin, por pa mundur ta nxjerrin dot. Pykat e thanës (katër copë) gjenden edhe sot e kësaj dite në mesin e gurit. Pikërisht në atë vend guri është i lagur për shkak të lotëve të njeriut brenda tij. Madje edhe sot thuhet se, sa herë që bie shi, po të qëndrosh afër gurit në heshtje dhe të dëgjosh me kujdes, do të ndiesh zërin e të riut që vjen nga brenda duke rënkuar”.