Mekanizma Mbrojtës
Mekanizmat mbrojtës janë teknika psikologjike të pavetëdijshme për të mbrojtur vetveten nga stresi e ankthi, për të zgjidhur konfliktet dhe për të ruajtur respektin për vetvehten. Ne të gjithë përdorim mekanizma mbrojtës dhe për aq kohë sa nuk i përdorim me tepëri ato nuk janë të dëmshme.
- Ndrydhja ose Represioni është një mekanizëm mbrojtës i cili bën që kujtimet e dhimbshme dhe mendimet e motivet e papranueshme harrohen ose ndrydhen në mënyrë që të mos merremi me to. Individi në mënyrë të pavetëdijshme shpenzon mjaft energji emocionale që t'i mbajë ato në pavetëdije.
- Projektimi. Me anë të projektimit një person i atribuon karakteristikat ose motivet e tij të papranueshme njerëzve të tjerë, në vend që t'ia atribuojë vehtes.
- Fantazia. Me anë të fantazisë njeriu i shmanget stresit dhe ankthit me anë të fantazive se gjithçka është e persosur dhe se problemet janë kapërcyer.Çdo kush fantazon herë pas here dhe kjo është një teknikë e mirë relaksimi. Limiti ndërmjet normales dhe anormales shprehet nga turbullimi që ndiejmë kur e veçojmë fantazinë nga realiteti.
- Regresioni. Me anë të regresionit një person kthehet mbrapsht në një formë më të hershme dhe më të papjekur të sjelljes me qëllimin e vetëm të eliminojë stresin, megjithëse përkohësisht.
- Racionalizimi. Me anë të racionalizimit personi përdor më tepër pretekste për të justifikuar sjelljen e tij sesa ekspozon motivet e vërteta të sjelljes.
- Zhvendosja. Me anë të zhvendosjes e drejtojmë agresionin dhe armiqësinë tonë ndaj një personi apo objekti tjetër, në vend që ta drejtojmë te objekti apo personi i duhur.
- Sublimimi. Me anë të sublimimit personi i ridrejton nxitjet shoqërisht të padëshirueshme në sjellje të pranuara nga shoqëria.
- Formacioni reaktiv. Me anë të formacionit reaktiv një person maskon një tipar të papranueshëm ose që e streson në mënyrë të pavetëdijshme duke marrë përsipër një sjellje me qëndrim të kundërt.