Daim Miftari
Daim Miftari është njëri nga poetët e rinj më të talentuar në poezinë e sotme shqipe. Për dhuntinë krijuese, Daimi është edhe vetë i vetëdijshëm, prandaj vargun e ka stabil e të sigurt, të qetë e lirik edhe kur shqetësimin nga brenda e ka të trazuar. Poezitë që ia afron lexuesit – si vëllim, i ka të paka, e megjithatë ato rrezatojnë dëshmi: Daimi jeton intenzivisht me to, me poezinë. Botën, përditshmërinë në të cilën jeton, kohën që rrjedh i shndëron në fiksione poetike të tanishme. Natyrën, çfarësinë e frymëzimit e ka maksimalisht të ndijshëm. Mjafton lëvizja më e lehtë; e pakapshme nga shikimi i rëndomtë t’i nxisë shqetësim, dhembje, përkatësisht gëzim apo buzëqeshje ironike. Është poet normal, do të thoshte Kadare. Hapësira brenda së cilës ngjizet frymëzimi poetik i Daimit është nga më frytdhënëset, - e klasit të parë në fushën e krijimtarisë letrare: perceptimi i botës si kërshëri dhe shqetësim konstant, vetmia dhe dhembja, malli për mikun – miqësinë, kujtimi, mikja, intimiteti, dashuria… Daim Miftari, me tufën e poezive më të reja, për mbështetje ka shkollën poetike shqiptare – traditën më të mirë të saj, troll që e bën më të sigurt gjatë takimeve me përvojat poetike universale.
Ali Aliu