Kushtrimk
brazili Brazil (portugalisht: Brasil), zyrtarisht Republika Federative e Brazilit (portugalisht :República Federativa do Brasil), është shtet i pavarur federativ në Amerikën Jugore, i përbërë nga bashkimi i 26 shteteve dhe një qarku federal.[1] Me 189,612,814 banorë,[2] dhe sipërfaqe prej 8,514,876,599 km²—47% e Amerikës Jugore[3]—Brazili është vendi i pestë në botë për nga sipërfaqja dhe popullsia, si dhe demokracia e katërt më e populluar në botë.[1][4] I lagur nga Oqeani Atlantik në lindje, Brazili ka vijë bregdetare mbi 7.491 km.[1] Kufizohet në veri me Venezuelën, Guajanën, Surinamin dhe Guajanën Franceze; në veriperëndim me Kolumbinë; në perëndim me Bolivinë dhe Perunë; në jugperëndim me Argjentinën dhe Paraguajin dhe në jug me Uruguajin. Arkipelagë të shumtë janë pjesë e truallit brazilian, sikurse Fernando de Noronha, Atolli Rocas, Shkëmbinjtë e Shën Pjetrit dhe Palit, Trindade dhe Martim Vaz.[1]
Brazili ishte koloni e Portugalisë qysh prej zbarkimit të Pedro Álvares Cabralit më 1500 deri në 1815, kur ai u ngrit në rangun e mbretërisë me formimin e Mbretërisë së Bashkuar të Portugalisë, Brazilit dhe Algarves. Lidhja koloniale në fakt ishte shkëputur disa vite më parë, në 1808, kur kryeqyteti i perandorisë koloniale portugeze u transferua nga Lisbona në Rio de Janeiro, pasi Napoleoni pushtoi Portugalinë. Pavarësia u arrit më 1822[5] me formimin e Perandorisë së Brazilit një shtet i bashkuar i qeverisur nën një monarki kushtetuese dhe një sistem parlamentar. Vendi u bë republikë presidenciale në 1889, kur një grusht shteti ushtarak shpalli Republikën, edhe pse legjislatura dydhomëshe, që tani quhet Kongresi, daton që në ratifikimin e kushtetutës së parë në vitin 1824.[5] Kushtetuta e tij aktuale, e formuluar në vitin 1988, e përkufizon Brazilin si republikë federale. [6] Federata është formuar nga bashkimi i Distriktit Federal, 26 Shtetet e Brazilit dhe 5564 bashkitë e Brazilit.[6][7]
Ekonomia braziliane në vitin 2012 ishte e shtata më e madhe në botë për nga Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) dhe e shtata sipas barazimit të fuqisë blerëse.[8][9] Reformat ekonomike i kanë dhënë vendit një njohje dhe influencë të re ndërkombëtare.[10] Brazili është një nga anëtarët themelues të Kombeve të Bashkuara[11] dhe Bashkimit të Kombeve të Amerikës së Jugut. Vend kryesisht katolik, portugalishtfolës, dhe me shoqëri shumetnike,[4] Brazili është strehë e gjallesave, mjediseve dhe burimeve natyrore të llojllojshme të ndodhura në hapësira të ndryshme nën mbrojtje.[1]