Pse? është një roman i shkruar nga Sterjo Spasse.

Në literaturën studimore dhe atë kritike botërore flitet shpesh për gërshetimin e krijimit letrar me filozofinë e pastër. Teorikisht, letërsia (arti) është një pasqyrim apo riprodhim i realitetit në mënyrë krijuese dhe figurative, ndërsa, filozofia është shkenca e zhvillimit shoqëror dhe mendor njerëzor. Të dyja i bashkon objekti i përbashkët, jeta dhe mendimi njerëzor, pra, i njëjti brumë, por i gatuar dhe i servirur në mënyra të ndryshme, artistike dhe shkencore. Gërshetimi i tyre nuk ka pse të quhet një gjë e pamundur dhe as ndonjë zbulim i papritur. Gjersa në qendër të veprës letrare është njeriu si qënie e ndërgjegjshme shoqërore, ai, si karakter letrar, jo vetëm do te emocionohet apo do të fantazojë, por edhe do të meditojë për veten e vet dhe për shoqërinë.

Një gjë e tillë nuk ndodh me filozofinë, e cila ka si objekt jo direkt njerinë (personazhin konkret), por ndërgjegjen dhe mendimin njerëzor, nuk synon “rikrijimin” e njeriut, por përpunon bazat e përgjithshme të metodës për njohjen e shndërrimin e shoqërisë dhe të ndërgjegjes së tij, pa pasur aspak nevojë për përvojën artistike. Kurse letërsia e ka të nevojshëm arsyetimin filozofik në mënyrë të pastër apo të figurshme. Në mënyrë të figurshme mendimi filozofik është mishëruar në folklor dhe në letërsinë botërore nëpërmjet gjuhës së figurëshme, me anën e sentencave apo figurave letrare përgjithësuese, simbolike.

Duke pasur parasysh evolucionin, që ka ndodhur në historinë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, në mënyrën e të jetuarit, të komunikimit, të menduarit dhe abstragimit të njeriut, vlerësimi i shijeve dhe normave të jetesës, të mundësive që krijon zhvillimi teknik dhe shkencor për t’u thelluar në enigmat dhe sekretet kozmike dhe tokësore, ka pësuar ndryshim edhe mënyra e perceptimit dhe pasqyrimit figurativ të realitetit natyror dhe atij jetësor; mendja njerëzore shkon çdo ditë e më shumë drejt gërshetimit, ndërthurjes të shumë disiplinave dhe kategorive shkencore, filozofike dhe estetike, për pasojë, ka lindur natyrshëm dhe kërkesa për ta modifikuar edhe filozofinë krijuese artistike. Dhe të gjitha këto, për arsyen kryesore, për ta afruar krijimin letrar sa më pranë perceptimit, gjykimit dhe shijeve te lexuesit të epokës së globalizmit gjithëpërfshirës.

Kjo prirje është ndjerë në letërsinë tonë që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar kur kemi dhe shembujt e parë të atij modernizmi, siç është edhe romani “Pse?” i Sterjo Spasses. Është për të ardhur keq që kjo risi e letërsisë sonë nuk pati asnjë mundësi të konsolidohej me zyrtarizimin e metodës së realizmit socialist në letërsisë tonë.

Romani “Pse?” është fillimi i kësaj risije në prozën tonë të gjatë. Një fillim të cilit edhe vetë autori i saj, Sterjo Spasse, iu shmang i detyruar nga kushtet letrare dhe jashtëletrare, e “harroi”, e “mohoi” duke shkruar gjithë ato vepra, romane sipas metodës së realizmit socialist, që, jo vetëm nuk i pranonte, por edhe i ndëshkonte risi të tilla. Sterjo Spasse e shkroi dhe e botoi romanin e tij në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar kur ishte fare i ri, në moshën njëzetedyvjeçare; kohë kur ishte nën ndikimin e letërsisë moderne evropiane dhe të shkollave filozofike ndikuese të atyre viteve. Ai guxoi dhe talenti i tij krijues i spikatur i dha letërsisë sonë një etalon të ri krijues, etalonin e gërshetimit të krijimit letrar me meditimin e drejtpërdrejtë filozofik, të mishëruar ne figurën e heroit të veprës, Gjon Zaverit. Gjon Zaveri është një karakter letrar që përfaqëson të riun shqiptar me origjinë katundare, të ushqyer me mendimin artistik dhe filozofik evropian të kohës së vet. Ai ka lexuar klasikë të letërsisë evropiane që nga Bokaçio e gjer në Tolstoi, ka shfletuar vepra të filozofëve antikë dhe atyre bashkëkohorë që nga Aristoteli e Platoni e deri te Nitçe dhe Shopenhauri. Nga ana tjetër, filozofia e jetës së tij reale është nën presionin e vazhdueshëm dhe agresiv të zakoneve, mentalitetit dhe traditave patriarkale të familjes së vet katundare dhe të opinionit të mjedisit fshatar, ku u lind dhe me të cilin nuk arriti dot te shkëputet, t’i kundërvihet realisht.

Gjon Zaveri është në kontakt të vazhdueshëm edhe me jetën moderne të qytetit shqiptar të atyre viteve dhe të mentaliteteve të mbingarkuara dhe kontradiktore metafizike. Atë e mundon dilema hamletiane e dashurisë dhe martesës, si institucione shpirtërore dhe morale të errësuara nga koncepti i tij tragjik: “Bota e hiçit, prej hiçit, për hiçin, rrotullohet rreth qëllimit të hiçit”. Autori shkruan;”Gjërat që dukeshin dhe prekeshin, i ngjanin (Gjon Zaverit) sikur i bënin pyetjen pa fund:”Pse? Jeta pyeste: Pse? Vdekja pyeste: Pse? Ai e mbyti Kështu veten e tij ndërmjet pse-ve pa fund e pa përgjigje. ” Brumi i romanit, pra, është sa brumë jetësor, real (shkollimi, dashuria, martesa e detyruar nga kanuni drakonian, çmenduria dhe mbytja në valët e liqenit) aq edhe arsyetimet e tija filozofike për t’u dhënë përgjigje pyetjeve mbi dashurinë dhe martesën.

Gjon Zaveri është sa një medium filozofik, po aq edhe një karakter letrar.

Sterjo Spase i vetëdijshëm i ka vënë për titull romanit pyetjen klasike të filozofisë, Pse-në, duke nënvizuar kështu prirjen e risisë së tij letrare.

Romani “Pse?” është, në radhë të parë, një monolog filozofik i heroit me vetveten, monolog i cili i jep veprës një ngjyrim filozofik. Në të njëjtën kohë, heroi i romanit dhe përjeton gjithçka si një karakter i gjallë letrar: ndjen, dyshon, përjeton dhe vuan emocionalisht.

Ai, njëherësh, filozofon dhe përjeton kalvarin e ndjenjave, mendimeve të jetës së tij tragjike. Autori ka gërshetuar kështu natyrshëm riprodhimin e karakterit njerëzor në mënyrë krijuese me mendimin dhe ndërgjegjen njerëzore.

Hullia filozofike e romanit, pyetjet, arsyetimet, tezat dhe antitezat racionale, ashtu si tezat dhe antitezat filozofike ilustrohen në roman me episode të shkëputura dhe të rastësishme me personazhe episodike që takon apo i ka rrotull heroi i romanit. Përvoja e jetë së këtyre personazheve pohon ose mohon konceptet e tije filozofike.

Ndërsa, subjekti i romanit, historia e marrëdhënieve të ndërsjella ë heroit me njerëzit, me mjediset qytetare apo katundare, veprimet e tij emocionale, përbëjnë shtratin e subjektit të romanit, duke i dhënë veprës ngjyrimin e mirëfilltë letraro-artistik, riprodhimin krijues dhe figurativ të realitetit.

Romani “Pse?” është kështu një vepër krejtësisht letrare që na bën, në radhë të parë, ta lexojmë dhe ta përjetojmë emocionalisht dhe figurativisht, si një përgjithësim artistik krahas forcës sugjestionuese të arsyetimit filozofik. Romani “Pse?” i Sterjo Spases shënon kështu një risi të vërtetë e të suksesshme në historinë e romanit kombëtar, një hap drejt modernizimit të tij.

Po sjell disa mendime dhe vlerësime të lexuesve dhe të kritikës së asaj kohe për romanin. “Sterjo... në romanin tënd shihet një filozofi, që kur e nis e deri sa e mbaron...” “... e lëçita tri herë me radhë, sepse më tërhiqte shumë...”

“Vepra juaj e parë sentimentale e plot mendime filozofike, do të korrte suksesin më të bukur dhe opinioni publik i atjeshëm (i Korçës) do të impresionohej si edhe në Gjermani kur këndoi Vertherin e Gëtes.”

“Pse-ja” është roman që del nga rrethi historik patriotik dhe një roman i ideve në Shqipëri”.