Rendi tuskan në fakt është një thjeshtëzim i Rendit dorik, me kolona pa hulliza dhe një trabeacion pa triglife ose ‘‘guttae’’. Ishte një nga rendet klasike të përshkruara nga arkitekti romak, Vitruvi. Rendi tuskan i paraqitur si një rend i standardizuar formal, është një krijim i teoricienëve të Rilindjes italiane të motivuar gjerësisht nga nacionalizmi. Gjithëses, kolonat relativisht të thjeshta me kapitele të rrumbullakëta kishin qenë pjesë e arkitekturës vendase të Italisë të paktën që nga Arkitektura etruske. Sebastiano Serlio përshkruan pesë rendet duke përfshirë një "rend tuskan", "më solidi dhe më pak i zbukuruari", në librin e tij të katërt të Regole generali di architettura sopra le cinque maniere degli edifici (1537). Megjithëse Fra Giocondo kishte provuar një ilustrim të parë të një kapiteli tuskan në botimin e tij të Vitruvit (1511), ai e paraqiti kapitelin me një zbukurim me vezë dhe shigjeta që i përkiste rendit jonik. Rendi tuskan "më rustik" i Serlio-s më vonë u përcaktua me kujdes nga Andrea Palladio. Në thjeshtësinë e tij, rendi tuskan shihet si i ngjashëm me rendin dorik edhe në proporcionet e përgjithshme, hapësirat ndërkolonëse dhe trabeacionin më të thjeshtë, ai ndjek raportet e rendit jonik. Ky rend i fortë konsiderohej më i përshtatshmi në arkitekturën ushtarake, në doket detare dhe magazinat ku ata lartësoheshin nga trajtimi arkitekturor. Serlio e konsideronte atë "të përshtatshëm për vendet e fortifikuara, si portat e qytetit, kështjellat ose ku mbaheshin artileria dhe municionet, burgjet, portet dhe struktura të ngjashme të përdorura në luftë".[1] Jo të gjithë studiuesit modern e pranojnë rendin tuskan dhe ai ndonjëherë quhet "dorik" madje edhe nga ata që i pranojnë dallimet.

Rendi tuskan, gravurë nga libri i G. B. da Vignola-s, Regola delle cinque ordini d'architettura, 1562

Teoricienët italianë mbi arkitekturën Redakto

 
Rendi toskan sipas Scamozzit, Quattro Libri di Architettura, 1570

Nga prespektiva e këtyre teoricienëve, rendi tuskan ishte një formë arkitekturore primitive dhe e vjetër italike, më i hershëm se Rendi dorik dhe jonik i Greqisë, i lidhur nga Serlio me praktikën e rustifikimit dhe praktikën arkitekturore të etruskëve.[2] Giorgio Vasari bëri një diskutim të vlefshëm për këtë pohim sipas Simone del Pollaiolo (il Cronaca) mbi rustifikimin e façatës së Palazzo Strozzi-t në Firence. Si gjithë teoritë arkitekturore të Rilindjes precedentët për rendin tuskan u morën nga Vitruvi, i cili nuk e përfshin midis tre rendeve kanonikë, por e konsideron periferik, në përshkrimin e arkitekturës etruske të tempujve (libri iv, 7.2-3). Praktika e mëvonshme romake e injoroi rendin tuskan,[3] dhe kështu bëri Leon Battista Alberti te De re aedificatoria (pak para vitit 1452). Duke ndjekur interpretimin e Serlio-s mbi Vitruvin (i cili nuk jep të dhëna mbi kapitelin e kolonës), në kolonën e rendit tuskan kishte një bazë më të thjeshtë — rrethore në ndryshim nga rendet e tjerë, ku ndiqej Vitruvi — dhe me një torus dhe qafë apo kollare të thjeshtë, me kolonë pa hulliza, ndërsa kapiteli dhe trabeacioni ishin pa zbukurime. Proporcionet modulare të kolonës ishin 1:7 te Vitruvi dhe te ilustrimi i Palladio-s për komentarin e Daniele Barbaro-s mbi Vitruvin), te libri i Giacomo Barozzi da Vignola-s, Cinque ordini d'architettura (1562), dhe te libri i Palladio-s, Quattro libri (1570).[4] Vetëm Serlio jep një proporcion më të reduktuar prej 1:6.[5] Një astragal ose taenia e thjeshtë rrethonte kolonën poshtë kreut të saj të thjeshtë. Palladio në thelb binte dakord me Serlio-n:

"Tuskani, duke qenë primitiv, është përdorur rrallë mbi terren përveç në ndërtesat një-katëshe si depot e vilave ose në strukturat e stërmëdha si amfiteatrot dhe si këto, që kishin shumë rende, mund të marin këtë në vend të rendit dorik, poshtë jonikut".[6]

Ndryshe nga autorët e tjerë Palladio gjeti precedente romake nga të cilat ai përmendëte Arenën e Veronas dhe Pula Arena[7] që janë ndërtesa me harqe që nuk paraqesin kolona dhe trabeacion. Një hollësi e rëndësishme është friza rustikexhante mbi një trabeacion përsosmërisht të thjeshtë[8] Shembuj të përdorimit të rendit tuskan janë Palazzo Massimo alle Colonne në Romë, nga Baldassarre Peruzzi, 1532-1536 dhe pronaosi i portikut të Santa Maria della Pace i shtuar nga Pietro da Cortona (1656–67).

 
Kopshti i konventit të St Paul, nga Inigo Jones (1633) në Angli

Përhapja e mëvonshme Redakto

Një kishë relativisht e rrallë në rendin tuskan është Covent Garden e St Paul nga Inigo Jones (1633). Sipas një historie të përsëritur shpesh, të regjistruar nga Horace Walpole, Lordi Bedford i dha Jones një buxhet shumë të ulët dhe i kërkoi atij një kishë të thjeshtë "jo më të mirë se një hambar", të cilës arkitekti ju përgjigj: "atëherë ju duhet të keni hambarin më të bukur në Angli".[9] Christ Church, Spitalfields në Londër (1714–29) nga Nicholas Hawksmoor, përdor rendin tuskan jashtë dhe rendin korintik brenda. Në një përdorim tipik, në shtëpinë madhështore palladiane të Wentworth Woodhouse në Yorkshire, që është ndërtuar kryesisht në rendin korintik, oborri i stallës së vitit 1768 përdor rendin tuskan. Një tjetër shtëpi angleze, West Wycombe Park, ka një lozhë façate në dy kate me rendin tuskan poshtë dhe atë jonik lartë. Kjo është e ngjashme me Palazzo Chiericati-n e Palladio-s, që përdor rendin jonik mbi atë dorik. Neue Wache është një vendroje në Revivalin grek në Berlin, projektuar nga Karl Friedrich Schinkel (1816). Megjithëse në pjesën më të madhe respekton frontonin e tempullit grek është një ushtrim i kujdesshëm i revivalizmit, ka baza minimale të thjeshta në kolonat e trasha me hulli dhe megjithëse ka relieve metopash dhe një grup të madh skulpturash në fronton, nuk ka triglife ose guttae. Megjithë këto aspekte "tuskane", përshtypja e përgjithshme është fortësisht greke dhe gjithmonë është përshkruar si i rendit "dorik". Rendi tuskan ësthë përdorur shpesh për portikët dhe hyrjet e tjera ku kërkohen vetëm një palë kolona dhe që përdorin një tjetër rend. Pasi rendi tuskan është lehtësisht i punueshëm me pak vegla, kështu u bë pjesë e Arkitekturës Georgiane që haset në vende si New England dhe Ohio nga mesi i shekullit të XIX. Në kopshtari, ofron elegancë të thjeshtë të vendit të hyrjes dhe rrethimit në shumë kontekste të kopshteve tradicionale.

Shiko edhe Redakto

Referimet Redakto

  1. ^ Sebastiano Serlio: Regole generali di architettura sopra le cinque maniere degli edifici; 1537
  2. ^ James S. Ackerman: "The Tuscan/Rustic Order: A Study in the Metaphorical Language of Architecture"; Journal of the Society of Architectural Historians, 42, 1, mars 1983, fq. 15-34
  3. ^ Ackerman nuk dinte ndonjë përjashtim (Ackerman 1983:16) dhe Giacomo Barozzi da Vignola pohonte se ai nuk kishte gjetur zbukurime tuskane mes mbetjeve romake ("non havendo io fra le antichità di Roma trovato ornamento toscano" [përmendur te Ackerman 1983: fq. 17, shënimi 11]); Ackerman identifikon disa elemente tuskane në mjaft vizatime të hershme të shekullit të XVI të mbetjeve të paidentifikuara romake.
  4. ^ Andrea Palladio: Quattro libri d’architettura, 1570, Libri I, 13, fq.15-21
  5. ^ Ackerman 1983 ofron një tabelë krahasuese të komponentëve që jep secili teoricien, figura 1, fq. 16.
  6. ^ Andrea Palladio: The Four Books on Architecture, kapitulli 12
  7. ^ Ackerman 1983: fq. 22.
  8. ^ Ackerman 1983: fq. 21 dhe fig. 9 (nga gravura e Palladio-s).
  9. ^ Horace Walpole & George Vertue: Anecdotes of painting in England; J. Dodsley, 1782, volume=2, 3rd edition, London, f. 275

Bibliografia Redakto

  • Sebastiano Serlio: Regole generali di architettura sopra le cinque maniere degli edifici; 1537.
  • James S. Ackerman: "The Tuscan/Rustic Order: A Study in the Metaphorical Language of Architecture"; Journal of the Society of Architectural Historians, 42, 1, mars 1983, fq. 15-34.
  • Andrea Palladio: The Four Books on Architecture, kapitulli 12
  • Horace Walpole & George Vertue: Anecdotes of painting in England; J. Dodsley, 1782, volume=2, 3rd edition, London, f. 275

Lidhje të jashtme Redakto