Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (Deklarata)
Më 28 nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, pjesa shqip hartuar nga Luigj Gurakuqi, dhe pjesa turqisht nga Ismail Qemali[1] dhe e shkruar nga Shefqet Dajiu. Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga delegatët e Kuvendit, me këtë përmbajtje:

"Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912
Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme".
Perandoria Osmane ra në Luftën e Parë Ballkanike që filloi në tetor të vitit 1912 dhe shqiptarët e gjetën veten në një pozitë tejet të vështirë. Udhëheqësit e tyre ishin më të shqetësuar nga koalicioni i forcave fqinje (Mali i Zi, Serbi dhe Greqi) se sa nga dobësimi i pranisë ushtarake Osmane, në vendin e tyre. Ajo që ata donin ishte ruajtja e integritetit territorial të Shqipërisë. Brenda dy muajve, forcat osmane pothuajse kishin kapitulluar, dhe vetëm në Shkodër dhe Janinë garnizonet turke nuk ishin dorëzuar. Ekzistenca e vendit ishte e rrezikuar.
Në këto rrethana, delegatët nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në Kuvendin e Vlorës. Ismail Qemali u kthye në Shqipëri dhe në krye të një asambleje kombëtare prej 83 anëtarësh, shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës më 28 nëntor 1912. Në të njëjtën kohë u krijua edhe një qeveri e përkohëshme. Pavarësia e Shqipërisë u njoh më 17 dhjetor 1912 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Delegatët e Asamblesë Kombëtare ishin[2]:
- Berati: Sami Bej Vrioni, Ilias Bej Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara (Jorgji Karbunara)
- Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Azis Tahir Ajdonati
- Delvina: Avni Bej Delvina
- Durrësi: Abaz Efendi Çelkupa, Mustafa Agë Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikollë Kaçorri
- Dibra: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Langu
- Elbasani: Lef Nosi, Shefqet Dajiu, Qemal Karaosmani, Dervish bej Biçaku
- Gramsh-Tomorricë: Ismail Qemali Gramshi;
- Gjirokastra: Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfit Bej Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli
- Janina: Kristo Meksi, Aristidh Ruci
- Kosova, Gjakova, Plava-Gucija: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Salih Gjuka, Mit'hat Bej Frashëri, Mehmet Pashë Deralla, Isa Boletini, Riza Bej Gjakova, Hajdin Bej Draga, Dervish Bej Ipeku, Zenel bej Begolli, Qerim Begolli
- Korça: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo
- Kruja: Mustafa Merlika
- Lushnja: Qemal Bej Mullai, Ferit Bej Vokopola, Nebi Efendi Sefa
- Mati: Ahmet Bej Zogolli, Riza Bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu
- Ohri dhe Struga: Zyhdi Bej Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Sojlliu, Hamdi Bej Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima
- Peqin: Mahmud Efendi Kaziu
- Përmet: Veli Bej Këlcyra, Syrja Bej Vlora
- Pogradeci: Hajdar Blloshmi
- Tepelena: Feim Bej Mezhgorani
- Tirana: Abdi Bej Toptani, Murat Bej Toptani, Ymer Sollaku
- Skrapar: Xhelal Bej Koprencka, Hajredin Bej Cakrani
- Shijak: Xhemal Deliallisi, Ymer Bej Deliallisi, Ibrahim Efendiu
- Shkodra: Luigj Gurakuqi
- Vlora: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqrem Bej Vlora
- Kolonia shqiptare Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo, Dion Krasniqi
Cungimi i dokumentit të Deklaratës së PavarësisëRedakto
Dokumenti u cungua qëllimisht nga regjimi komunist, duke larguar disa nga emrat nënshkrues të dokumentit të rëndësishëm. Kryetarja e Kuvendit i propozoi Presidentit të Republikës dekorimin me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Dom Nikollë Kaçorri, Mid'hat Frashëri, Mustafa Kruja, Iljaz Vrioni, Pandeli Evangjeli, Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra, Valon Badivuku dhe Lef Nosi. Duke u bërë ndoshta një nga shtetet unikalë në botë që kryente një akt të tillë. Dikush nuk shihej me sy të mirë nga regjimi, dikush, sepse ashtu kishte vendosur kupola e lartë e regjimit, apo dikush tjetër thjesht se e ka pasur emrin afër njërit prej atyre që regjimi diktatorial i ardhur mbas vitit 1944, kishte vendosur se ata nuk duhej të ishin pjesë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të këtij kombi, ditës së shpalljes së pavarësisë[3].
BurimetRedakto
- ^ Letërkëmbimi Kruja-Margjokaj, "Camaj-Pipa", Shkodër 2006.
- ^ Portret i firmëtarëve
- ^ Cungimi i Deklaratës