Shqipëria e rigjetur, zbulim gjurmësh shqiptare në kulturën dhe artin e Venetos në shek. XVI

Shqipëria e rigjetur, zbulim gjurmësh shqiptare në kulturën dhe artin e Venetos në shek. XVI shqip dhe italisht. Origjinali: Albania ritrovata, recuperi di presenze albanesi nella kultura e nell'arte del cinquecento Veneto. Gjinia: Histori. Autori: Lucia Nadin. Shqipëroi: Pëllumb Xhufi. Shtëpia botuese: "Onufri". Viti i botimit 2012. Faqet e librit 368. ISBN 978-99956-87-86-1

Mbi librin

Libri i kthen Shqipërisë protagonistë të kulturës dhe artit të Venecies të shekullit XVI dhe tregon përkatësinë e tyre në familje të mërguara në tokat e Republikës së Përndritur. Fill udhërrëfyes i hulumtimit është veprimtaria e Bernardino (de) Vitali – t, me rëndësi të madhe në Venecie si kryeqytet evropian i shtypit. Lidhjet e tij kulturore hedhin dritë të re edhe në prapaskenën e formimit të historianit humanist shqiptar Marlin Barletit.

Nga jeta dhe vepra e Barletit përcaktohen data e saktë e fillimit të veprimtarisë si prift, viti 1494, si dhe data e hartimit të veprës "Jeta e Skënderbeut", viti 1510. Libri paraqet gjithashtu personalitetin e Paolo Campsa – s, lindur në Venecie, por nga një familje me prejardhje nga Shkodra, të cilin sot kritika e artit e njeh si gdhendësin më të madh të drurit në Rilindjen veneciane.

Më pas ndriçon veprën e Giovanni (de) Vitali – t, kushëri i Bernardino – s, transkriptues i Matricola – s e "Shkollës së Shqiptarëve", kaligraf i çmuar në Kancelerinë dukale veneciane dhe piktor miniaturash. Më në fund hap një debat të ri mbi Gjon Buzukun, identitetin e tij, praninë e tij në Venecie, mbi Mesharin e tij, botuar në 1555: teksti i parë në gjuhën shqipe, i menduar për të mbrojtur shqiptarinë që po zbehej.

Dhe me të vërtetë, në tokën venete, dukuria e emigracionit u karakterizua nga një proces i shpejtë i integrimit dhe i bashkëjetesës mes venecianëve dhe shqiptarëve. Këta jetuan të lidhur me atdheun e tyre të parë, por qenë edhe krenarë për atdheun e ri. Libri mbush një zbrazëti në kujtesën historike të Shqipërisë.