Shqip – kinezisht, kinezisht – shqip, fjalor i gjuhës së përditshme

Shqip – kinezisht, kinezisht – shqip, fjalor i gjuhës së përditshme Gjinia: Fjalor. Autori: Iljaz Spahiu. Shtëpia botuese: "Minerva". Viti i botimit 2012. Faqe 144. ISBN 978-99956-87-97-7

Koment nga autori

Gjuha zyrtare kineze quhet ndryshe edhe Mandarin, term i cili i referohet dialektit më të madh në morinë e dialekteve në Kinë. Mandarin mbështetet mbi dialektin e Pekinit dhe është më përfaqësues në pjesën veriore të Kinës. Mbi 800 milionë njerëz në botë përdorin gjuhën kineze.

E veçanta e gjuhës kineze është se pavarësisht nga ndryshimet e mëdha mes dialekteve, ajo është standarde, pra e kuptueshme për të gjitha dialektet në të shkruar. Po kështu gjuha kineze është e ndërtuar me rrokje, ku një hieroglif përfaqëson një rrokje dhe ka një kuptim të caktuar. Bashkimi i disa rrokjeve, pra i disa hieroglifeve, formon fjalorin e gjuhës kineze. Një tjetër veçori është se ajo ka një morfologji shumë të thjeshtë, por sintaksë shumë të pasur dhe të ndërlikuar.

Duke qenë një vend në zhvillim të pandalshëm dhe me një pozitë tashmë gjithnjë e më të fuqishme ekonomike e politike në arenën ndërkombëtare, njohja e gjuhës kineze do të përbënte një avantazh të padiskutueshëm konkurrues. Meqënëse familjarisht prej vitesh jetoj në Pekin, fillimisht nxitëse për përpilimin e një fjalori të gjuhës së përditshme kineze ishte këmbëngulja e bashkëshortes sime Burbuqe Spahiu, e cila, "e dashuruar" pas shopping – ut, artit dhe kulturës kineze ndiente nevojën e një fjalori të thjeshtë për komunikim.

Me kalimin e viteve dhe për shkak të kontakteve të shumta me miq shqiptarë dhe kinezë, u binda më shumë për nevojën e një fjalori të tillë, i domosdoshëm për këdo që punon në Kinë apo që ka ndërmend të udhëtojë në këtë vend gjigand për nga përmasat, historia dhe kultura. Sigurisht shpresoj që ky fjalor do t'i shërbejë edhe vajzës sime, Ebi, aktualisht studente në SHBA, megjithëse ajo tashmë është vetë kinezisht – folëse, si nxitje që të përsosë më tej gjuhën kineze dhe ta bëjë atë një armë të fortë në karrierën e saj.

Përmbajtja dhe ndërtimi i këtij fjalori praktik është i thjeshtë dhe i ndarë në disa leksione bazë. Po kështu, duke qenë se të gjitha fjalët dhe shprehjet në shqip janë të shoqëruara edhe në gjuhën kineze me hieroglife, fjalori besoj se do t'u shërbejë edhe miqve kinezë në komunikimin me shqiptarët.

Libri përmban edhe një fjalor të vogël me rreth 600 fjalë, në dy gjuhë shqip – kinezisht dhe kinezisht – shqip. Kështu që, para se të ndërmerrni udhëtimin për në Kinën e Largët, hidhini një sy këtij fjalori dhe mos harroni ta merrni atë me vete dhe të jeni të sigurtë që do t'ju shërbejë si një guidë mjaft praktike qoftë për turizëm, qoftë për biznes, pasi në të do të gjeni gati gjithë fjalorin dhe shprehjet që ju përdorni më dendur gjatë jetës së përditshme.