Skepticizmi filozofik ka te beje me skeptiket e atehershem.Mirëpo, megjithkëtë, do të ishte gabim sikur ta reduktonim në skepsën gjithërrënuese. Në kuadrin e problematikës etike, ai për shembull flet mbi «ndjenjën morale» të sigurt dhe medoemos të nevojshme, e cila konkretizohet në simpati dhe aftësi për të pasur dhimbsuri për të tjerët. E mira morale është identike me të dobishmen, prandaj sipas kësaj teze të vet Hjumi deri diku është edhe paraardhës i drejtimit utilitarist në etikë. ,Por për Hjumin në përgjithësi, etika dhe estetika «nuk janë objekte të mendjes sa të shijes dhe të ndjenjës». Bukuria dhe vlera konsistojnë në ndjenjën e këndshme; bukuria para së gjithash është kënaqësi, kurse kënaqësia është motiv themelor i gjithë aktivitetit tonë. Në këtë drejtim, arsyeja «duhet të bëhet vetëm skllave e pasioneve dhe kurrë nuk mund të pretendojë se ka të drejtë për çfarëdo pune tjetër përveç që t'u shërbejë dhe t'u nënshtrohet».

Shikuar në tërësi, filozofia e Hjumit është pa dyshim një zhvil'lim i mëtejshëm i traditës filozofike angleze, me ç'rast përveç peshkopit Berklit nuk duhet harruar as ndikimin e Haçesonit. Ndikimi që bëri në filozofinë e mëvonshme, ishte ndoshta ndikimi më i madh që e bëri ndonjëherë një filozof anglez. Për shembull, Kanti e pranoi këtë me ngurrim. Pavarësisht nga një seri konkluzionesh negative, skeptike, pavarësisht nga konsekuencat paradoksale dhe të papranueshme që pasonin nga premisat në esencë të gabuara - siç është për shembull kuptimi pasiv i nocionit të përvojës - çështjet e Hjumit pa dyshim ishin nxitje për t'u futur më thellë në problemet themelore të filozofisë dhe në këtë kuptim kritik, ndikuan pozitivisht në zhvillimin e mëtejshëm të mendimit njerëzor.